HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-19 18:42:54
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: përçarjet e dëmtojnë Kishën. Thirrje për refugjatët dhe mbrojtjen e jetës.



T’i lypim Zotit hirin të na çlirojë nga tundimi i përçarjes dhe i ndeshjes ndërmjet nesh. Këtë pohoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 50 mijë vetëve, që kishin mbushur plot edhe rrugët përqark. Papa pohoi se të jesh pjesë e Kishës, do të thotë të jesh i bashkuar me Jezusin dhe i ftoi gjithë të krishterët të impenjohen për bashkim e unitet. Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Ati i Shenjtë bëri thirrje për mbrojtjen e refugjatëve dhe të jetës, në të gjitha fazat e saj.

“Kisha nuk është shoqatë ndihmëtare, kulturore ose politike, por korp i gjallë, që ecën e vepron në histori”. Papa Françesku e zhvilloi katekizmin, duke u nisur nga figura e Kishës si korp e nga përshkrimi, që i bën Shën Pali në Letrën drejtuar Korintianëve. Nënvizoi, kështu, se korpi na kujton një realitet të gjallë e se ka edhe një krye, Jezusin, që i prin, e ushqen, e mbështet:
“Kjo është një pikë, që dëshiroj ta nënvizoj: në se ndahet koka nga pjesa tjetër e korpit, njeriu nuk mund të jetojë. Vdes. Kështu edhe Kisha: duhet të jemi të lidhur gjithnjë më fort me Jezusin. E jo vetëm: ashtu si në një korp ka rëndësi të rrjedhë limfa jetike, që të jetojë, kështu duhet ta lëmë Jezusin të veprojë në ne, duhet që Fjala e Tij të na prijë, prania e Tij në Eukaristi të na ushqejë, të na gjallërojë; dashuria e tij të na japë forcë për ta dashur edhe të afërmin. E kjo duhet bërë gjithnjë, gjithnjë, gjithnjë”.
Në Kishë, vijoi Papa, ka shumë larmi detyrash, ka funksione të ndryshme. Nuk ka uniformitet, por pasuri dhuratash, për t’u shpërndarë. Por, shtoi, ka edhe e sidomos, bashkim e unitet: të gjithë janë në lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin e të gjithë përpiqen të formojnë një korp të vetëm, të gjallë, tejet të lidhur me Krishtin:
“Ta kujtojmë mirë këtë; të jesh pjesë e Kishës, do të thotë të jesh i bashkuar me Krishtin e të marrësh prej Tij jetën hyjnore, që na bën të jetojmë si të krishterë, do të thotë të mbetesh i lidhur me Papën e ipeshkvijtë, që janë mjete të unitetit e të bashkimit, e do të thotë edhe t’i kapërcesh interesat personale e përçarjet, t’i kuptosh më shumë e t’i harmonizosh larmitë e pasuritë e secilit”.
Uniteti, vijoi Papa, qëndron përmbi konfliktet. Konfliktet, nëse nuk zgjidhen mirë, na ndajnë nga tanët, e aq më tepër, nga Zoti:
Nuk duhet të ecim në rrugën e përçarjeve, të luftërave ndërmjet nesh, jo! Të gjithë të bashkuar, me ndryshimet tona, por të bashkuar, gjithnjë, sepse kjo është udha e Jezusit. Uniteti është shumë më i lartë se konfliktet, uniteti është hir. Duhet t’ia lypim Zotit, që të na çlirojë nga tundimi i përçarjeve, i luftërave ndërmjet nesh, i egoizmave, i thashethemeve, e? Sa keq bëjnë thashethemet, sa keq! Nuk duhet t’i marrim kurrë nëpër gojë të tjerët, kurrë!”.
E sa dëm i sjellin Kishës përçarjet ndërmjet të krishterëve, vërejti Shenjtëria e Tij, sa shqetësim buron nga interesat e vogla, të ngushta. Papa vuri, kështu, theksin, mbi përçarjet ndërmjet katolikëve, por edhe ndërmjet bashkësive: të krishterë ungjillorë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë... Duhet të përpiqemi për të sjellë unitetin, pohoi:
“Po ju tregoj një gjë. Sot, para se dilja nga shtëpia, nja 40 minuta më parë, me një Pastor evangjelik, u lutëm së bashku, për të kërkuar unitetin. Duhet të lutemi së bashku, katolikë e kristianë të tjerë, që Zoti të na japë unitetin: unitetin ndërmjet nesh! Po si mund ta kemi unitetin ndërmjet të krishterëve, nëse nuk jemi të aftë ta kemi ndërmjet nesh, katolikëve, nuk arrijmë ta kemi në familje – sa familje ndeshen e ndahen?”.
Papa i drejtoi Zotit lutjen: “Ndihmona të mos i shkaktojmë vuajtje Korpit të Kishës me konfliktet tona, me përçarjet tona e me egoizmin tonë: ndihmona, u lut Papa, të jemi gjymtyrë të gjalla, të lidhura fort me njëra-tjetrën përmes forcës së dashurisë, që Shpirti Shenjt ndikon në zemrat tona”.
Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi se nesër kremtohet Dita Botërore e Refugjatit dhe u kushtoi një mendim të posaçëm familjeve, që detyrohen të largohen nga atdheu i tyre:
Nuk mund të jemi të pandjeshëm ndaj familjeve e ndaj të gjithë vëllezërve e motrave refugjate: jemi të thirrur t’i ndihmojmë, t’i mirëkuptojmë, t’i mikpresim. Uroj të mos mungojnë kurrë në botë njerëz e institucione, që i ndihmojnë: në fytyrën e tyre është e vulosur fytyra e Krishtit”.
Së fundi, Papa kujtoi se të dielën e kaluar kremtuam “Zotin, që është jetë e burim jete”:“Dëshiroj t’i ftoj edhe një herë të gjithë për ta pranuar e për ta dëshmuar Ungjillin e jetës, për të promovuar e për të mbrojtur jetën në të gjitha përmasat, në të gjitha fazat. I krishterë është ai, që i thotë ‘po’ jetës, që i thotë ‘po’ Zotit, të Gjallit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama