HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-19 18:43:25
A+ A- Printo artikullin



Papa të krishterëve: mos jini hipokritë e moralistë, por shpirtmëdhenj e zemërgjerë



Krishterimi nuk është kazistikë rregullash: ky konceptim e pengon njeriun të kuptojë se Zoti është gëzim, shpirtmadhësi. E edhe të jetojë me këtë frymë. Papa Françesku e pohoi këtë në Meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në elter me Atin e Shenjtë ishin kardinali Mark Uilet dhe kryeipeshkvi Lorenco Baldiseri, përkatësisht prefekt e sekretar i Kongregatës për Ipeshkvijtë, shoqëruar nga një grup bashkëpunëtorësh, si dhe kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, kryeipeshkvi Vinçenco Palia dhe imzot Zhan Lafit, të shoqëruar nga personeli i dikasterit.

Hipokritët, që e çojnë popullin e Zotit në udhë pa krye: ishin këta, protagonistët e Ungjillit e të homelisë së Papës Françesku. Ati i Shenjtë reflektoi për fragmentin e njohur nga Ungjilli i Shën Mateut, ku pasqyrohet kontrasti ndërmjet skribëve e farizenjve, që kapardisen në publik kur japin lëmoshë, kur luten e agjërojnë, dhe Jezusit, që i porosit dishepujt të luten në fshehtësi, sepse Zotit i pëlqen maturia. Në mënyrë të posaçme, përveçse për mburrjen, Papa i dënoi skribët e farizenjtë edhe pse i ngarkojnë besimtarët me një mori normash të kota. I quajti, prandaj, hipokritë të kazistikës, intelektualë pa talent, që duke u sjellë kështu, pengojnë vetveten e të tjerët, për të hyrë në Mbretërinë e Qiellit:
“Jezusi u thotë: ‘Nuk hyni vetë e nuk i lini as të tjerët të hyjnë’. Janë eticistë, njerëz pa mirësi, nuk e dinë as ku bie me shtëpi mirësia. Po, janë eticistë, e?’. Duhet të bësh këtë e këtë e këtë...’. Të ngarkojnë me norma e rregulla, po pa mirësi. E ata të filaktereve, që mbështillen me pëlhura e ngarkohen me stoli, nuk e kanë as idenë e bukurisë. U mungon kuptimi i së bukurës. Arrijnë deri tek një bukuri muzeumi. Intelektualë pa talent, eticistë pa mirësi, mbartës të bukurive muzeale. Këta janë hipokritët, që i qorton aq shumë Jezusi”.
Po nuk mbaron këtu, vijon Papa. Në Ungjillin e sotëm, vërejti, Zoti flet edhe për një tip tjetër hipokritësh, ata që mburren me gjërat e shenjta:
“Zoti flet për agjërim, për lutje, lëmoshë: tri shtyllat e mëshirës së krishterë, të kthesës së shpirtit, që Kisha ua propozon të gjithëve gjatë Kreshmëve. Edhe në këtë rrugë ndeshim hipokritë, që duan të duken e të admirohen, kur agjërojnë, kur japin lëmoshë, kur luten. E kur hipokrizia arrin deri në këtë pikë të marrëdhënies me Zotin, ne jemi shumë pranë mëkatit kundër Shpirtit Shenjt. Këta nuk dinë ç’është bukuria, nuk e njohin dashurinë, nuk e kuptojnë të vërtetën: njerëz të ulët, janë vetë vogëlsia”.
E nuk duhet harruar as hipokrizia në Kishë: sa keq na bën të gjithëve, pohoi me sinqeritet Papa Françesku, e më pas propozoi si model, figurën e përshkruar në një fragment tjetër të Ungjillit. Është fjala për publikanin që, me thjeshtësi të përvuajtur lutet, duke thënë: “Ki mëshirë për mua, mëkatarin, o Zot!”. Kështu, porositi Papa, duhet të lutemi çdo ditë, me vetëdijen se jemi mëkatarë. Por duke i njohur konkretisht mëkatet, jo vetëm teorikisht. E kjo lutje, vijoi, do të na ndihmojë të përshkojmë rrugën, që i kundërvihet hipokrizisë, tundim, kujtoi, që e kemi të gjithë:
“Por të gjithë kemi edhe hirin, hirin që vjen nga Jezu Krishti: hirin e gëzimit, hirin e shpirtmadhësisë, të zemërgjerësisë. Hipokriti nuk di ç’është gëzimi, nuk e njeh bujarinë, nuk di ç’është shpirtmadhësia”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama