HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-22 15:08:26
A+ A- Printo artikullin



100 ditët e para të Papës Françesku. Fjalët karakteristike të Atit të Shenjtë!



100 ditët e para të papnisë së Atit të Shenjtë, Françeskut, u kremtuan pikërisht javën e kaluar, më 21 qershor. Shumë bënë një bilanc të punës së Papës “ardhur nga fundi i botës”, siç pati thënë në fjalën e parë drejtuar besimtarëve, të cilët i përshëndeti thjesht me një “mirëmbrëma”, që tashmë ka hyrë në histori. Ne po e bëjmë sot këtë bilanc, duke iu propozuar fjalët karakteristike të papnisë së Horhe Mario Bergolios:

    Mikpritja. Shumë herë, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa ka folur për nevojën e përhapjes së kulturës së mikpritjes. Kisha duhet t’i mbajë dyert hapur.
  • Mirëmbrëma. Fjala e parë thënë nga Papa argjentinas, më 13 mars, ndërsa u fliste besimtarëve nga llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit. Që atëherë, ai i përdor gjithnjë fjalët e zakonshme të përshëndetjes, duke shtuar edhe “drekën e mirë” për besimtarët pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot.

  • Kthimi i zemrave. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 26 maj, ashtu si Gjon Pali II në Luginën e Tempujve të Siçilisë, 20 vjet më parë, Papa Françesku bëri thirrjen: “mafiozë, kthehu nga Zoti!”.

  • Djalli. Në shumë raste, por sidomos në meshën e parë me kardinajtë, që sapo e kishin zgjedhur në krye të Kishës Katolike, Ati i Shenjtë nënvizon “Kush nuk lut Zotin, lut djallin”.

  • Ungjillëzimi i periferive. “Kur Kisha nuk del nga vetvetja për të ungjillëzuar, ka si pikë referimi vetëm vetveten dhe sëmuret”, i tha Papa Bergolio Kongregatës së Ipeshkvijve.

  • Françesku. Qe vetë Papa, që shpjegoi, në ditën e takimit me mediat, psenë e zgjedhjes së emrit të shenjtit të njohur italian. “Quhem Françesk, sepse dua një Kishë të varfër”.

  • Gazetarët. I dashur me punonjësit e mediave, më 16 mars, kur i takoi, menjëherë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, bëri shaka: “Keni punuar eh? Keni punuar! Në këtë periudhë kaq të ngjeshur, filluar me lajmërimin e paraardhësit tim, Benediktit XVI, që më 11 shkurt na habiti të gjithëve, ju falenderoj për shërbimin cilësor të ditëve të kaluara. Ju dua shumë, ju falenderoj për gjithçka bëtë”.

  • Hoteli. Të nesërmen e zgjedhjes, Papa Françesku u paraqit në rezidencën ku kishte qëndruar gjatë Konklavit dhe pagoi llogarinë nga xhepi i vet.

  • Kollarisja. “Jo të krishterëve të kollarisur, njerëz të salloneve”, e ngriti zërin Ati i Shenjtë në një prej homelive në meshën e Shën Martës.

  • Xhipi i zbuluar. Papa e përdor gjithnjë gjatë audiencave për të përshëndetur nga afër besimtarët. E ata mbushin përplot Sheshin e Shën Pjetrit, edhe për të nderuar këtë zakon të bukur.

  • Kodama. Kështu quhet vejusha e shkrimtarit Horhe Luis Borges, që i dhuroi Atit të Shenjtë, veprën e plotë të të shoqit. Papa Bergolio e vlerëson shumë, që nga koha kur jepte mësim në universitetin e Buenos Airesit.

  • Liria fetare. Papa Françesku ka folur shpesh për nevojën e mbrojtjes së lirisë fetare, duke ua përsëritur vazhdimisht të gjithë krerëve të shteteve, që ka takuar.

  • “Miserando atque eligendo”(E deshi, prandaj e zgjodhi). Motoja e Atit të Shenjtë është marrë nga homelitë e Shën Bedës së Nderuar, i cili, duke komentuar episodin ungjillor të thirrjes së Shën Mateut, shkruan: “Jezusi pa një publikan e meqë e pa me ndjenjë mëshire e dashurie, e zgjodhi dhe i tha: më ndiq”.

  • “Nuk desha të bëhem Papë”. Horhe Mario Bergolio e pohoi këtë para një vajze të vogël, në takimin me nxënësit e mësuesit e shkollave të jezuitëve, ndër të cilët edhe të ardhurit nga Shkodra.

  • Ojq (organizatë jo qeveritare). Papa përsërit shpesh se Kisha nuk duhet të jetë ojq. Herën e parë e shprehu këtë koncept para kardinajve të Konklavit: “nëse nuk dëshmojmë fenë tonë në Jezu Krishtin do të kthehemi në një ojq të mjeruar e nuk do të jemi më Kishë”.

  • Delet. Meshtarët, për Papën Bergolio, duhet të jenë “barinj me erën e deleve”.

  • Revolucionarët. “Duhet të përgatitemi pa frikë për betejë shpirtërore: të krishterët duhet të jenë revolucionarë”, pohoi Papa Bergolio, duke hapur “maratonën e fesë” në Vatikan.

  • Spray. “Zoti nuk është spray (bomboletë me spërkatje)” pati thënë Ati i Shenjtë në një nga homelitë në Shtëpinë e Shën Martës. “Të flasësh me Zotin është si të flasësh me vetje: me Atin, me Birin, me Shpirtin Shenjt. Sepse ky është Zoti ynë, një e tri; nuk është ndonjë zot i papërcaktuar e i spërkatur, si të ishte ‘spray’ i përhapur gjithandej.

  • Tirania e parasë. Jo, tiranisë së parasë: ky është paralajmërimi i Papës Françesku. “Sot – denoncon Ati i Shenjtë, komandon paraja, të hollat, por Zoti, Ati ynë, ia ka dhënë detyrën për ta mbarështuar tokën jo parave, por njeriut”.

  • Pushime. Ati i Shenjtë nuk do të shkojë me pushime në Kastelgandolfo. Vendosi të qëndrojë në Vatikan edhe në gusht.

  • “Lënesha”. Duke i lavdëruar murgeshat për punën e çmuar, Papa u kujtoi atyre se nuk duhet të sillen si “lënesha”, pra, si gra të pamartuara, idhtuar nga jeta. “Silluni si nëna – u tha – sepse edhe Kisha është nënë e jo lëneshë”.


E fjala e fundit, që po përmendim sot është “i përvuajtur”. Nuk ka nevojë për koment. Papa Françesku është “i përvuajtur pranë të përvuajturve”, ashtu siç e do edhe Kishën e Krishtit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama