HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-21 17:08:30
A+ A- Printo artikullin



50-vjetori i zgjedhjes së Papës Pali VI, papni nën shenjën e Apostullit të Popujve



Pali VI, i lindur në Konçesio, në provincën e Breshias, më 26 shtator 1897, u zgjodh Papë më 21 qershor 1963. Ishte i 262-ti Pasardhës i Shën Pjetrit, pas Gjonit XXIII. Njihet si Papa që çoi deri në fund nismën e madhe të paraardhësit, duke përfunduar me sukses Koncilin II të Vatikanit.
Të shumta, reformat e risitë, që solli Pali VI në strukturat dhe në jetën e Kishës.
Në 50 vjetorin e zgjedhjes së Papës Montini, po kujtojmë ngjarjet më të rëndësishme të papnisë së Tij:
“Fidem servavi”, e ruajta fenë: në këtë pohim, bërë pak ditë para vdekjes, përmblidhet gjithë papnia e Palit VI. Një papë i butë e i vendosur, i dashuruar me të Vërtetën, që e drejtoi barkën e Pjetrit në vite të stuhishme për Kishën e për Botën.
Menjëherë pas zgjedhjes në fronin e papnisë, Papa Montini pati përpara një sfidë epokale: të përfundonte me sukses Koncilin II të Vatikanit, lindur nga intuita profetike e Gjonit XXIII por që, pas entuziazmit fillestar, rrezikonte të ngecte në rërë. Në Meshën e fillimit të papnisë, më 30 qershor 1963, Pali VI nuk i fshehu shqetësimet dhe u paraqiti besimtarëve vizionin e tij për Kishën:
“Do ta mbrojmë Kishën Shenjte nga gabimet e doktrinës e të dokeve të cilat, brenda e jashtë kufijve të saj, ia kërcënojnë integritetin e ia vrugnojnë bukurinë; ne do të përpiqemi t’i ruajmë e t’i zhvillojmë virtytet baritore të Kishës, që ajo i paraqet, e lirë dhe e varfër, në sjelljen e saj si nënë e mësuese”.
Tre muaj më pas, më 29 shtator, Papa Montini hapi solemnisht sesionin e dytë të Koncilit. Në fjalimin e hapjes, numëroi katër qëllime të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme: shtjellimin doktrinor të natyrës së Kishës; përtëritjen e saj të brendshme; forcimin e bashkimit të të krishterëve dhe dialogun e Kishës me botën bashkëkohore.
Pali VI, i cili si kryeipeshkëv i Milanos mori pjesë në sesionin e parë konciliar, nuk do të ishte thjesht ‘noteri’ i Koncilit. Ndoqi me kujdes e pasion punimet e ndërhyu me urti në rrethanat më delikate. E, më 7 dhjetor të vitit 1965, mbylli takimin ekumenik me ndjesi gëzimi e emocioni të thellë:
“Concilium hoc nostrum posteris eiusmodi Ecclesiae imaginem tradet… Ky Koncil i dorëzon historisë figurën e Kishës katolike, e cila paraqitet në këtë sallë plot me barinj, që dëshmojnë të njëjtën fe, përhapin të njëjtën dashuri, kanë të njëjtin bashkim në lutje, të njëjtën disiplinë, të njëjtën veprimtari – e ç’është më e mrekullueshmja – të gjithë dëshirojnë një gjë të vetme, të flijojnë vetveten, si Krishti, Mësuesi ynë e Zoti ynë, për jetën e Kishës e për shëlbimin e botës”.
Gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të papnisë së Tij, Papa Montini u impenjua me të gjitha forcat për paqen në botë, duke gjallëruar edhe përmasën misionare të Kishës, nënvizuar në Nxitjen Apostolike “Evangelii nuntiandi’. Themeloi Ditën e Paqes, që kremtohet çdo vit më 1 janar. U bë apostull i paqes deri në skajet më të largëta të tokës me nëntë shtegtimet e tij apostolike ndërkombëtare, në të pesë kontinentet. Mbeti i gjallë në kujtesën historike të njerëzimit fjalimi që Papa Pali VI mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 4 tetor të vitit 1965. Jehon edhe sot fuqimisht, në hapësirë e kohë, britma e tij kundër luftës:
“Jamais plus la guerre, jamais plus la guerre! C'est la paix, la paix…” Kurrë më luftë, kurrë më luftë! Paqja, paqja duhet t’i udhëheqë fatet e popujve e të mbarë njerëzimit!”.
Papa Pali VI nuk qëndroi indiferent përballë vuajtjeve të kombeve afrikane, të shtypura nën barrën e rëndë të mjerimit. Në vitin 1967 u botua Enciklika ‘Populorum Progressio’. “Zhvillimi – shkroi Papa – është emri i ri i paqes. Por - vijoi të shpjegojë - duhet të jetë një zhvillimi i plotë, për çdo njeri e për të gjithë njerëzit”.
Me Koncilin, Kisha nisi të përtërihet, të rinohet në thellësi. Megjithatë disa u përpoqën t’i japin një shpjegim herë progresist e herë konservator, që nuk përkonte me domethënien e vërtetë të ngjarjes së madhe. Trazirat paskonciliare i shkaktuan Palit VI vuajtje të thella, por nuk e bënë të heqë dorë nga dëshmimi i së Vërtetës sepse, si Shën Agostini, ishte i bindur se lumturia s’është tjetër, veçse gëzimi që buron nga e vërteta ‘gaudium de veritate’. Rasti më i bujshëm në këtë kuptim, është ai i botimit të ‘Humanae Vitae’, më 1968.
Enciklika, e përqendruar tek dashuria e përgjegjshme bashkëshortore, ripohon qëndrimin negativ të Kishës lidhur me përdorimin e sistemeve artificiale të ndalimit të shtatzanisë. Në vitin simbol të kundërvënieve, Pali VI bëhet, edhe në botën katolike, objekt kritikash të rrepta, të cilat nganjëherë përfundojnë edhe në fyerje. Papa Montini mendoi gjatë, para se ta zgjidhte këtë rrugë, me vetëdijen se nuk do të ishte aspak e lehtë. Më 4 gusht të vitit 1968, në Engjëllin e Tënzot, Papa shpjegoi arsyet e kësaj zgjedhjeje me koherencë të plotë:
“Fjala jonë nuk është e lehtë, nuk përkon me zakonin që sot, për fat të keq, vijon të përhapet si i dobishëm e, në dukje, i favorshëm për dashurinë e për harmoninë familjare. Nuk duam të kujtojmë përsëri se norma e ripohuar nga Ne, nuk është Jona, por e vetë mënyrës së ndërtimit të jetës, të dashurisë e të dinjitetit njerëzor”.
Pararendës i ‘qytetërimit të dashurisë’, Pali VI vuri krah për krah me përpjekjet e tij për paqe, impenjimin e pëhershëm e të frytshëm ekumenik, me bindjen se vetëm të bashkuar, të krishterët mund të japin kontributin e tyre të rëndësishëm për pajtimin e popujve. Historik takimi i tij në Jeruzalem me Patrikun e Kostandinopojës, Atenagora, në vitin 1964. Përqafimi i tyre vëllazëror i preku thellë si katolikët, ashtu edhe ortodoksët. Një vit më pas u arrit në zhvleftësimin e shkishërimit reciprok të të dyja Kishave, në fuqi që nga viti 1054.
Hapa përpara u bënë edhe në dialogun me anglikanët. Në vitin 1966, Pali VI u takua me kryeipeshkvin e Kantërburit, Majkëll Ramsei. Tri vjet më pas ishte në Gjenevë, për të vizituar Këshillin Ekumenik të Kishave. Natyrë tepër e ndjeshme, në vitin 1978 Pali VI jetoi një çast dramatik, pikërisht kur jeta e tij po i afrohej perëndimit: u rrëmbye miku i tij, Aldo Moro. Të shumta e plot ankth, thirrjet që u drejtoi ‘njerëzve të Brigadave të Kuqe’, duke nisur nga lutja e Engjëllit të Tënzot e 19 marsit, tri ditë pas rrëmbimit gjaktar në Rrugën Fani.
Njeri me kulturë të gjërë, dashuronjës i arteve e i letërsisë, Pali VI rizbuloi vlerën e mecenatizmit, të Kishës që mbron artistët e porosit vepra arti. Skorceli, Manzù e Nervi janë disa nga artistë më në zë, që punuan për Selinë e Shenjtë gjatë papnisë së Tij. Fuqizoi Radio Vatikanin dhe Akademinë Papnore të Shkencave, i nxiti njerëzit e kulturës t’i shërbejnë së vërtetës, të promovojnë dinjitetin e njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit. Ndërmjet fryteve të shumta të shërbimit të tij papnor, duhet kujtuar edhe reformimi i Kuries e i liturgjisë si dhe kremtimi i Vitit jubilar 1975. Më 29 qershor 1978, më pak se një muaj para vdekjes, Pali VI, ashtu si Shën Pali, mund të pohonte se e kishte luftuar me fund betejën e mirë të Ungjillit:
“Detyra jonë është ajo e vetë Pjetrit, të cilit Krishti i besoi mandatin t’i përforconte vëllezërit (Cfr. Lk. 22,32): është detyra për t’i shërbyer së vërtetës së fesë (…). Ja, pra, Vëllezër e Bij, ky është qëllimi që na nxiti të përpiqemi pa u lodhur kurrë, me ngulm e vigjilencë, gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të papnisë. “Fidem servavi’! mund të themi sot, me vetëdijen e përvujtë e të patundur, se nuk e tradhtuam kurrë të vërtetën shenjte”.
Ishte mbrëmja e 6 gushtit 1978, festa e Shndërrimit të Jezusit, kur u kthye në shtëpinë e Atit qiellor Papa Pali VI: dëshmitar i përvujtë e guximtar i së Vërtetës, apostull i paqes, njeri i dialogut ndërmjet popujve e kulturave, që diti ta çojë deri në fund Koncilin II të Vatikanit me urti e largpamje.E sot, 50 vjet pas zgjedhjes së tij në papni, dioqezi i vendlindjes, Breshias, shtegtoi drejt Romës, ku nesër, në orën 12.00, do të takohet me pasardhësin, Papën Françesku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama