HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-22 15:06:57
A+ A- Printo artikullin



Imzot Çullikat në OKB: papunësia është padrejtësi shoqërore, që minon lirinë



“Turp kolektiv për qeveritë, krerët e botës, bashkësinë ndërkombëtare”: kështu e quajti Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Frensis Çullikat, pamundësinë për të vazhduar shkollën, plagë për 250 milion fëmijë në botë. Prelati foli javën e kaluar në Nju Jork para Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke denoncuar ashpër edhe papunësinë, “vuajtje e madhe e kohës sonë”, si edhe shfrytëzimin në punë deri në skllavëri të vërtetë.
400 milion punëtorë – këto janë statistikat – jetojnë në varfëri të skajshme, 10 milion fëmijë shfrytëzohen si skllevër pune thjesht për të shtuar mirëqënien dhe rehatinë e perëndimorëve. E 250 milion fëmijët, që nuk dinë shkrim e këndim, pyeti me zemërim imzot Çullikat, si do të mund të ecin në një hap me kohën? Prandaj, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë kërkoi politika për t’u siguruar punë dinjitoze të gjithëve, kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë qeveritë e shoqëritë, që thyejnë pa turp normat e Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve. Nëse nga njëra anë, puna është e drejtë themelore e njeriut, theksoi imzot Çullikat, nga ana tjetër, shfrytëzimi i fëmijëve për punë, pa i lënë të shkollohen, nuk u jep atyre mundësinë të integrohen si duhet në shoqëri e as t’u përshtaten ndryshimeve në ambientin e punës.
Në shkollimin dhe edukimin e fëmijëve, vazhdoi më tej prelati, rol kryesor luan familja dhe solidariteti ndërmjet brezave, për t’i ndihmuar të rinjtë të bëhen qytetarë të shëndoshë, të aftë të prodhojnë e të marrin përsipër përgjegjësitë e së ardhmes. Këto janë vlera, theksoi imzot Çullikat, e vlerat kalojnë së pari, përmes familjes. Prandaj, kërkoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, është me rëndësi të jashtëzakonshme, që politika të respektojë e të mbrojë rolin themelor të familjes.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama