HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-21 17:08:17
A+ A- Printo artikullin



Papa: Zoti na ndihmoftë të grumbullojmë thesare, që na shpëtojnë zemrën



T’i kërkojmë Zotit hirin e një zemre, që di të dojë e nuk na lë të dredhojmë rrugë në kërkim të thesareve të kota. Ky është thelbi i homelisë, që mbajti sot në mëngjes Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë Meshës bashkëkremtuar me kardinalin Françesko Kokopalmieri, ipeshkvin Huan Injacio Arrieta dhe ndihmësin Hosé Aparesido de Almeida, përkatësisht kryetar, sekretar e zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore, shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të dikasterit. I pranishëm në kremtim, personeli i Fabrikës së Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga imzot Xhakomo Çereto, si dhe punonjësit e Shtëpisë së Shën Martës.

Kërkimi i të vetmit thesar, që mund ta marrësh me vete në jetën pas jetës, është arsyeja e të qenit i krishterë. Është arsyeja e vetë jetës, që Jezusi ua shpjegon dishepujve në fragmentin e sotëm të Ungjillit, sipas Mateut: “Ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote”. Problemi, shpjegoi Papa Françesku, është të mos i ngatërrojmë pasuritë. Ka thesare të rrezikshme, që të joshin, por që duhen lënë. Janë ata, që kemi mbledhur gjatë jetës, por që nuk mund t’i marrim me vete atje, ku do të shkojmë pas vdekjes. Unë, vërejti jo pa ironi Papa, nuk kam parë kurrë ndonjë kamion ngarkuar me plaçka, që shkon pas arkivolit, kurrë! Por është edhe një thesar, që mund ta marrim. Nuk mund të na e rrëmbejë askush. Nuk është ai, që e kursyem për vete, por thesari, që ua dhuruam të tjerëve:
Këtë thesar, që ua dhamë të tjerëve, këtë e marrim me vete. E kjo do të jetë edhe merita jonë, domethënë e Jezusit, që është në ne! Këtë e marrim me vete. Na lë vetë Jezusi ta marrim. Dashuria, bamirësia, shërbimi, durimi, mirësia, butësia, janë thesare të bukura: këto, po, i marrim me vete. Të tjerat, jo!”.
Mund të themi, pra, se thesari që vlen para syve të Zotit, është ai, i cili mblidhet nga toka, për qiell. Po Jezusi, kujtoi Papa Françesku, shkon më larg: e lidh thesarin me zemrën, krijon një lidhje ndërmjet dy termave. Kjo, shtoi, sepse zemra jonë është e shqetë: Zoti vetë e bëri kështu, për ta kërkuar Atë:
“Zoti na bëri të shqetë, për ta kërkuar, për ta gjetur, për t’u rritur. Por nëse thesari ynë nuk është pranë Zotit, nuk është nga Zoti, zemra jonë shqetësohet për gjëra pa pikë vlere, për thesare, që nuk hyjnë në punë. Shumë njerëz janë të shqetë, e edhe ne vetë... Për të pasur këtë, për të pasur atë... E, në fund të fundit, zemra jonë lodhet, pa u mbushur kurrë: lodhet, dembeloset, bëhet zemër pa pikë dashurie. Lodhja e zemrës! Të mendojmë për këtë. Unë si e kam zemrën, të lodhur? Që s’mendon tjetër, veç për të sistemuar dy-tri gjëra, një llogari të mirë në bankë, këtë e ndonjë gjë tjetër të kësaj natyre? Apo kam zemër të shqetë, gjithnjë në kërkim të gjërave jo materiale, të gjërave të Zotit? Duhet pasur gjithnjë kujdes për këtë shqetësim të zemrës”.
Në këtë pikë, vijoi Papa Françesku, Krishti vë theksin edhe mbi syrin, që është simbol i ndjeteve të zemrës. Zemra që do, e ndriçon edhe korpin; zemra e keqe, e nxin. Nga kontrasti dritë-hije, vërejti Papa, varet edhe gjykimi ynë mbi sendet E tregon fakti se luftërat vijnë pikërisht nga një zemër guri, e lidhur me thesaret e tokës, me thesaret egoiste, që mund të bëhen edhe thesare të urrejtjes.
Në fund, me ndërmjetësimin e Shën Luigj Gonzagës, që u përkujtua sot në Kishë, Papa i kërkoi Zotit hirin e një zemre të re, zemër mishi, jo guri:“Të gjitha copat e zemrës, që janë prej guri, Zoti i bëftë njerëzore, me shqetësimin e ankthin e mirë për ta kërkuar Atë, duke e lënë të na kërkojë. E kjo do të na shpëtojë! Zoti na e shndërroftë zemrën, që të mbledhë thesarin e vërtetë e kështu të bëhemi njerëz të dritës, jo të terrinave”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama