HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-06-22 15:26:51
A+ A- Printo artikullin



Shqipëria në pritje të votimeve



Shqipëria në pritje të votimeve të 23 qershori. Qendrat e votimit do të hapen për votuesit në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00. Në këto zgjedhje, statistikat zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë regjistrojnë 3 milionë e 271 mijë e 956 zgjedhës.
Sipas kodit zgjedhor, fushata elektorale përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve dhe ia lë vendin heshtjes zgjedhore, e cila përfundon në momentin që mbyllet votimi ditën tjetër. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.
Subjektet politike janë të ndarë në dy koalicione të mëdha, ‘Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim’ i udhëhequr nga PD me 24 parti politike dhe ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ e udhëhequr nga Partia Socialiste tubon me 40 parti politike. Kësaj gare i bashkëngjiten edhe dy partitë FRD dhe Aleanca Kuq e Zi, gjithashtu si të pavarur do të konkurrojnë edhe Arben Malaj, Dritan Prifti dhe emra tjerë në disa qarqe.
Në zgjedhje do të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë, mbi 18 vjeç, përfshirë këtu edhe ata që mbushin këtë moshë më 23 qershor, të cilët kanë të drejtë të votojnë. Për të votuar duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi, kartë identiteti ose pasaportë.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në prag të zgjedhjeve parlamentare, u bën thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke respektuar rendin dhe procedurat e nevojshme. Kreu i shtetit shqiptar nënvizon se mosvotimi është një pasivitet i pafalshëm që nuk mund të justifikohet.
“Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë. Nesër do të votojmë, pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë, që është veprimi politik, qytetar, shoqëror më i rëndësishëm që përmban në vetvete thelbin e demokracisë. Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt kërkojnë prej të gjithëve në përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri për gjithçka që ka lidhje me këto votime. Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh lirinë për veten dhe të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen. Të mos votosh është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë”,- thuhet në mesazhin e Presidentit të Shqipërisë Nishani.
Presidenti i Vendit të shqiponjave u kujton qytetarëve se dallimet politike nuk duhet t’i ndajnë, por t’i bashkojnë më shumë shqiptarët.

Nishani thekson se “votimet duhet vlerësohen për rëndësinë që kanë lidhur me marrëdhëniet e vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura”.
Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit. Vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave. Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit. Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme votojnë ndryshe se mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon. Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore, se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një. Të mundësojmë sa më tepër të rinjtë të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë, që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur. Votim të mbarë”,- përfundon mesazhi i Presidentit Nishani. (ngaBalkanWeb)




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama