HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-23 18:46:13
A+ A- Printo artikullin



Papa në Engjëllin e Tënzot: “Shkoni kundër rrymës, duke i thënë ‘po’ Krishtit me guxim.



Shkoni me guxim kundër rrymës e mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën sendet, që bëjnë keq, si gjella e prishur. Është porosia e Papës, drejtuar me zë të lartë sot në mesditë, rreth 80 mijë besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit nën dritaren e studios së Atit të Shenjtë. Papa kujtoi martirët, të cilët sot, më shumë se në të kaluarën, e paguajnë me çmim shumë të lartë impenjimin për të vërtetën e Ungjillit.
Hovi i Papës ishte i pafrenueshëm; gjestet e toni i zërit të tij i dhanë forcë e thellësi fjalëve: “Ungjilli është kauzë për gra e burra, të cilëve s’u tutet syri, për ata që dje, ashtu si sot, e sot më shumë se dje, nuk kthehen mbrapsht, kur shikojnë se besnikëria e tyre ndaj Krishtit mund të bëhet e rrezikshme, madje fatale”. Mesdita e Papës Françesku ishte një bubullimë e vërtetë, që tundi altoparlantet e Sheshit të Shën Pjetrit e ndërgjegjet, kur lartoi zërin për të kujtuar gjithë njerëzit e drejtë, të cilëve u pëlqen më shumë të shkojnë kundër rrymës, sesa ta tradhtojnë zërin e ndërgjegjes, zërin e së vërtetës:
“Njerëz të drejtë, që nuk kanë frikë të shkojnë kundër rrymës. E ne nuk duhet të kemi frikë të shkojmë kundër rrymës. E juve, të rinjve, ju them: mos kini frikë të shkoni kundër rrymës, kur duan të na i rrëmbejnë shpresat, kur na propozojnë vlera, që duken si të tilla, ndërsa janë të prishura, si gjella e ndiçme, na bën keq: këto vlera na bëjnë keq. Po, duhet të shkojmë kundër rrymës! E ju, të rinj, duhet të jeni të parët: shkoni kundër rrymës! Kini krenarinë t’i kundërviheni rrymës!”.
Duartrokitjet e 80 mijë besimtarëve poshtë dritares, pasqyruan energjinë e ndezur nga zëri i Papës. E Ati i Shenjtë kujtoi Shën Gjon Pagëzuesin, festa liturgjike e të cilit do të kremtohet nesër, duke e paraqitur si martir të së vërtetës, njëlloj si të gjithë ata që, në agun e Kishës e deri në kohët e kronikës më aktuale, derdhën gjakun nga dashuria për Jezusin:
Gjatë dymijë vjetëve, një aradhe e pafundme burrash e grash flijuan jetën për t’i qëndruar besnikë Jezu Krishtit e Ungjillit të Tij. E edhe sot, në të katër anët e botës, ka shumë shumë, më shumë se në shekujt e parë, martirë, që japin jetën për Krishtin, që shkojnë drejt vdekjes, për të mos e mohuar. Kjo është Kisha jonë! Sot kemi më shumë martirë, se në shekujt e parë”.
E kemi edhe ‘martirizim të së përditshmes’, sepse të martirizohesh nuk do të thotë gjithnjë të derdhësh gjak. Shpesh martirizmi është pa gjak, por po aq i vështirë, sa ai që e çoi Shën Gjonin në vdekje, me kokë të prerë. Shpesh njerëzit martirizohen për shkak të logjikës së Jezusit, që i bën ta kryejnë punën e vet me dashuri, edhe në mes kundërshtimesh, moskuptimesh, keqdashjesh:
“Sa baballarë e nëna e vënë çdo ditë në praktikë fenë, duke e shkrirë konkretisht jetën e tyre për të mirën e familjes! Ta mendojmë këtë: sa meshtarë, vëllezër, motra e kryejnë bujarisht shërbimin e tyre për mbretërinë e Zotit! Sa të rinj heqin dorë nga interesat e tyre, për t’iu kushtuar fëmijëve, të gjymtëve, të moshuarve. Edhe këta janë martirë. Martirë të përditshëm, martirë të së përditshmes”.
Në përfundim, thirrja për të mos harruar:Kujtojeni mirë: mos kini frikë të shkoni kundër rrymës! Jini të guximshëm! E ashtu si nuk duam të hamë gjellë të prishur, të mos shkojmë pas vlerash të prishura, që të rrënojnë jetën e të shuajnë shpresën. Përpara!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama