HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-24 14:19:01
A+ A- Printo artikullin



Papa: Kisha duhet të jetë si Shën Gjoni, zë që tregon Fjalën, pa ide vetjake



Si Shën Gjoni, Kisha është e thirrur ta shpallë Fjalën e Hyjit deri në martirizim. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në Solemnitetin e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Papa pohoi se Kisha nuk duhet të marrë asgjë për vete, por të jetë gjithnjë në shërbim të Ungjillit. Në Meshë bashkëkremtuar, ndërmjet të tjerëve, nga kardinali Xhanfranko Ravazi, mori pjesë një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh të Këshillit Papnor të Kulturës, një grup punonjësish të Komisionit Papnor të Arkeologjisë Kishtare dhe një i Zyrës Filatelike e Numizmatike të Vatikanit.

Në ditën kur Kisha kremton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, Papa Françesku e nisi homelinë duke u bërë urimet për ditën e emrit të gjithë atyre, që quhen Gjon. Figura e shën Gjon Pagëzuesit, tha Papa, nuk kuptohet gjithnjë lehtë. Kur kujtojmë jetën e tij, shpjegoi, vërejmë se ishte profet, njeri i madh, që përfundon si mjeran. Kush është, atëhere, Shën Gjoni? Na e shpjegon ai vetë, vijoi Papa: “Jam zë, zë në shkretëtirë”. Është zë, pa Fjalë, sepse Fjala nuk është ai, është një Tjetër. Ja pra, cili është misteri i Gjonit: ‘Nuk e përvetëson kurrë Fjalën! Është ai, që e tregon; ai, që e shënon’. Kuptimi i jetës së Shën Gjonit, shtoi Papa, është të tregojë me gisht një tjetër.
Ati i Shenjtë nënvizoi, në vijim, se është prekur gjithnjë nga fakti, që Kisha zgjedh për festën e Shën Gjonit periudhën kur ditët janë më të gjatat e vitit, ditë plot me dritë. E edhe Gjoni ishte njeri i dritës, sillte dritë, por drita nuk ishte e tija, pasqyrohej në të. Është si hëna e, kur Jezusi nis të predikojë, drita e Gjonit nis të ulet, të zbehet e të tretet: “Zë, jo Fjalë, tha Papa, dritë, po jo e tija”:
Gjoni duket si të ishte kurrëkushi. Për këtë është i thirrur: të asgjësohet. E kur ne e kundrojmë jetën e këtij njeriu tepër të madh, tepër të fuqishëm, për të cilin të gjithë patën besuar se ishte Mesia, kur e kundrojmë këtë jetë, që bëhet asgjë, deri në errësirën e një burgu, kundrojmë një mister të madh. Nuk e dimë si ishin ditët e fundit të Gjonit. Nuk e dimë. Dimë vetëm se e mbytën e një valltare ia dhuroi kokën e tij, mbi tabaka, një gruaje të përdalë. Besoj se askush nuk mund të asgjësohet më shumë se kaq. E ky ishte fundi i Gjonit”.
Në burg, vijoi Papa, Gjoni nisi të dyshonte, u pushtua nga ankthi, thirri dishepujt e tij e i porositi të shkonin te Jezusi e ta pyesnin: “Je ti, apo duhet të presim një tjetër?”. Jeta e tij është terr, dhimbje pa fund. As kjo nuk iu kursye Gjonit, tha Papa, e shtoi: “Figura e Gjonit më bën të mendoj shumë për vetë Kishën:
“Kisha ekziston për të shpallur, për të qenë zë i një Fjale, i dhëndrit të saj, që është Fjala. E Kisha ekziston për ta shpallur këtë Fjalë deri në martirizim. Martirizim pikërisht në duart e mendjemëdhenjëve, mendjemëdhenjëve më të pushtetshëm të tokës! Gjoni mund të bëhej i rëndësishëm, kishte ç’të thoshte për vete. Po ai nuk foli kurrë, vetëm tregoi, e ndjeu veten zë, jo Fjalë. E kjo është e fshehta e Gjonit. Po pse Gjoni është shenjt e nuk ka mëkat? Sepse kurrë, kurrë nuk e përvetësoi të vërtetën, që nuk ishte e tija. Nuk deshi të bëhej ideolog. E mohoi vetveten, që Fjala të lartohej. E ne, si Kishë, mund të lypim sot hirin të mos bëhemi Kishë e ideologjizuar...”.
Kisha, shtoi, duhet ta dëgjojë Fjalën e Jezusit e të bëhet zë, duke e shpallur me guxim. Kjo, tha Papa, është Kisha pa idelogji, pa jetë të veten: Kisha, që është mysterium lunae, që e merr dritën nga dhëndri i vet e duhet të ulet, që Ai të rritet:“Ky është modeli, që jep sot Gjoni, për ne e për Kishën. Një Kishë, që duhet të jetë gjithnjë në shërbim të Fjalës. Një Kishë, që nuk merr asgjë për vete. Sot, në lutje, lypëm hirin e gëzimit, i kërkuam Zotit ta ngazëllejë këtë Kishë, në shërbim të Fjalës, të jetë zë i kësaj Fjale, ta predikojë këtë Fjalë. Të kërkojmë hirin që t’i ngjajmë Gjonit, pa ide vetjake, pa e përvetësuar Ungjillin, një Kishë, vetëm zë, që tregon Fjalën, e këtë, deri në martirizim. Ashtu qoftë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama