HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-25 15:44:24
A+ A- Printo artikullin



Kisha në Bruksel hap “Javën e shpresës” në një Evropë të tronditur nga kriza



U hap dje në Bruksel “Java e shpresës” “Week for Hope”, organizuar në kuadrin e Vitit të qytetarisë së BE-së më 24 deri më 27 qershor nga Komisioni i episkopateve të Komunitetit evropian (Comece). “Në një Evropë thellësisht të tronditur nga manifestimet e shesheve, nga kriza e papunësisë rinore, nga grevat, nga dhuna urbane e radikalizmi – shkruan gazeta e Vatikanit l’Osservatore Romano – Kisha zbret në fushë në emër të një shprese që pikërisht tani nuk mund të vritet”.
Temat e kësaj jave që diskutohet këtyre ditëve në Bruksel “përfaqësojnë argumentet e mëdha e teje të rëndësishme të aktualitetit që ipeshkvijtë katolikë evropianë po përpiqen t’i sjellin në agjendën politike të Bashkimit Evropian: edukimi i të rinjve, shërbimi dhe ndihmave e njerëzve të varfër e të mënjanuar, referimi etik në ekonomi e në financa, luftimi i krimit, emigracionet”.
Çdonjëri prej këtyre aspekteve paraprihet nga paraqitja e figurave shembullore të shenjtorëve e të të lumturve: atë Jerzy Poplieluszko për temën e drejtësisë, të paqes e të lirisë; John Henry Newman për edukimin; don Pino Puglisi për luftimin e krimit; atë Christian de Cherge’, vra me gjashtë sivëllezër tjerë rregulltarë në Tibhirine në Algjeri, për bashkim e dialog.
“Dhjetë vjet më parë – deklaroi kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munihut të Gjermanisë e president i Komisionit të episkopateve evropiane – Bashkimi Evropian ishte një vend krejt ndryshe: jetohej një periudhë optimizmi kur çdo gjë dukej e mundshme. Sot, kriza e ka shuar entuziazmin. Skepticizmi e dyshimi duket se mbizotërojnë herë pas here. Po nëse shikojmë të kaluarën, atëherë vërejmë se në Evropë kemi realizuar edhe gjëra të mëdha”.
Kardinali Marx i drejtoi një thirrje qytetarëve duke i nxitur të “jenë evropianë me shpresë. Në vitin e qytetarisë evropiane, ju inkurajoj t’i transmetoni shpresat tuaja përmes punës tuaj e impenjimit personal si qytetarë evropianë”. Më tutje – njofton Osservatore Romano – kardinali gjerman foli edhe për mundësinë që ofron “Week for Hope” për t’i njohur shenjtorët e martirët, të cilët me jetën e tyre janë bërë dëshmitarë të fesë, me gjurmët e së cilët e kanë karakterizuar në një mënyrë të veçantë historinë evropiane”.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Komisionit të episkopateve të Komunitetit evropian (Comece), atë Patrick Daly, “Java do t’ia arrijë qëllimin nëse do të arrijë të tregojë se si virtytet dhe vlerat e krishtera, të çmueshme për shoqërinë civile, kur mishërohen e përjetohen në mënyrë heroike e pa qëllime egoistike, kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të mirë. E Kisha është pikërisht në shërbim të atyre që bëjnë përpjekje për t’i dhënë një shpirt Evropës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama