HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-25 13:24:13
A+ A- Printo artikullin



Të krishterët në internet, me besim e frymë krijuese.



Të krishterët janë të thirrur të jenë të pranishëm në internet me besim e frymë krijuese, sepse “rrjeti” i internetit tashmë është pjesë përbërëse e jetës njerëzore. Këtë u kujton besimtarëve Kisha katolike lidhur me përdorimin e mjeteve të Komunikimeve Shoqërore. E vërteta, kumtimi i Lajmit të Mirë për jetën e njeriut edhe në epokën dixhitale e në mjetet dixhitale është një mision i rëndësishëm që ka sot Kisha e çdo besimtar në realitetin bashkëkohor.
Kështu, Kisha përcjell nga afër dhe e krahason epokën e internetit me shndërrimet e mëdha, që solli revolucioni industrial. Këtë pse teknologjitë e reja nuk po ndryshojnë vetëm mënyrën e komunikimit, por edhe vetë komunikimin. Tashmë ka lindur një mënyrë e re e të mësuarit dhe e të kuptuarit, me mundësi të panjohura për krijimin e lidhjeve e të bashkimit ndërmjet njerëzve. Kisha nuk mund t’i shikojë me indiferencë mundësitë e jashtëzakonshme, që krijon interneti, prandaj i fton të krishterët të bashkohen në rrjet me besim, me vetëdije, me frymë krijuese e përgjegjësi, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, që u krijon epoka dixhitale. E jo thjesht për të përmbushur dëshirën e pranisë në rrjet, por sepse ky rrjet është pjesë përbërëse e jetës njerëzore. Web-i po kontribuon për zhvillimin e formave të reja e të ndërlikuara të vetëdijes intelektuale e shpirtërore. Prandaj edhe në këtë fushë, na kujton Kisha, jemi të thirrur ta kumtojmë besimin tonë se Krishti është Zoti, Shëlbuesi i njeriut e i historisë.
Gjithsesi e vërteta e Ungjillit e kumtuar në hapësirën virtuale apo dixhitale të rrjetit, kërkon gjithnjë të mishërohet në botën reale e në lidhje me fytyrat konkrete të vëllezërve e të motrave, me të cilët jetojmë pranë e pranë çdo ditë. E kjo, sepse ka rrezik të harrojmë kush është i afërmi ynë, të jemi më pak të pranishëm e më të çkujdesur ndaj atij, që e kemi fare pranë në jetën e përditshme. Prandaj mbeten gjithnjë themelore lidhjet njerëzore të drejtpërdrejta në transmetimin e fesë, në ndarjen e përbashkët të vlerave të shpirtërore, njerëzore, kulturore e shoqërore.
Ekziston, pastaj edhe stili i krishterë që duhet të dallohet me praninë e vet në botën dixhitale. Është fjala për një formë komunikimi të ndershëm e të hapur, plot përgjegjësi e respekt ndaj tjetrit, gjithnjë në përkim të plotë me Ungjillin, edhe kur për të nuk flitet drejtpërdrejt. Është fjala për një stil, që prek zemrat e tund ndërgjegjet, ashtu siç bëri Jezusi me dishepujt e Emmausit, të cilëve u priu gradualisht në kuptimin e misterit, duke u bërë i afërmi i tyre, duke dialoguar me ta, duke i bërë, me delikatesë, të shprehnin atë, që fshihnin në zemër.
Kështu, duhet të jemi të vetëdijshëm se e vërteta që kërkojmë ta ndajmë me të tjerët, nuk duhet vlerësuar duke u nisur nga popullariteti i saj apo nga sasia e atyre, që na ndjekin. Të vërtetën duhet ta bëjmë të njohur në tërësi, pa kërkuar që të tjerët ta pranojnë e, sidomos, pa e zbehur. Në këtë mënyrë besimtarët, duke dëshmuar bindjet e tyre më të thella, japin një kontribut të çmuar që web-i të mos bëhet mjet, i cili e katandis njeriun në kategori, kërkon t’ia manipulojë emocionet ose t’u krijojë njerëzve të pushtetshëm mundësinë për t’i përdorur opinionet e të tjerëve për qëllimet e veta.
Kisha flet edhe për kufizimet e internetit: njohjen e pjesshme të së tërës, prirjen për të komunikuar vetëm disa pjesë të botës shpirtërore, rrezikun për të krijuar atë mendim për vetveten, që çon në vetëdashje deri në atë masë, sa të përpiqesh të pikturosh një portret artificial publik, e jo më pak, rrezikun e krijimit të një bote paralele, ose prirjes për të kapërcyer çdo masë në ekspozimin vetjak në botën virtuale. Sfida është të jemi njerëz të vërtetë, besnikë ndaj vetvetes e ta përdorim me përfitim arenën dixhitale. Ne, të gjithë, e sidomos të rinjtë, të cilëve Kisha katolike u kujton se lidhjet virtuale nuk duhet të zëvendësojnë lidhjen njerëzore të drejtpërdrejtë me personat, po t’i kultivojnë me pjesëmarrjen personale në jetën e përditshme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama