HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-25 16:13:42
A+ A- Printo artikullin



Vritet një meshtar në Siri. Kardinali Sandri: sa më shpejt, të fillojë puna për pajtimin



U vra barbarisht dje në Siri, atë Fransua Murad, murg eremit 49-vjeçar, që jetonte në kuvendin e françeskanëve në Gasanieh, 120 km larg Halebit. Fshati, ku jetonte meshtari ndodhet në kufi me Turqinë, është shkatërruar krejtësisht e të krishterët janë larguar prej tij. Aty janë vendosur disa familje rebelësh, të cilët nuk janë as sirianë, por dallohen për ekstremizmin e tyre fetar. Në një mesazh të prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore, kardinalit Leonardo Sandri, për patrikun siro-katolik, Jusif Injac III Junan, dënohet ashpër ky episod dhune dhe u kërkohet palëve në konflikt e bashkësisë ndërkombëtare të fillojnë seriozisht punën për arritjen e paqes e të pajtimit në vend. Dëshira e të krishterëve në Siri e në gjithë Lindjen e Mesme, shkruhet në mesazh, është të qëndrojnë në vendet ku është kumtuar për herë të parë Lajmi i shëlbimit, duke treguar me gjestet e tyre të vogla e të përditshme, fytyrën e Krishtit. I telefonuam një rregulltari françeskan në Siri, emrin e të cilit nuk mund ta përmendim për arsye sigurie. Ja ç’na tha:
Ajo, që di unë, është se ky prift, ky murg, jetonte në mesin tonë e kishte edhe një qendër të vetën, afër Gasaniehut. Vinte shpesh tek fretërit, i përshëndeste… Pa pritur, dëgjova se u vra me gjakftohtësi: e morën nga kuvendi i vet, e sollën deri tek kuvendi ynë dhe e vranë pa iu dridhur syri. Pastaj hynë në kuvend – si në anën tonë, ashtu edhe në atë të murgeshave – dhe vodhën çdo gjë, që mund të vidhnin. E kjo nuk është hera e parë. Por, lajmi i vrasjes më bëri shumë përshtypje. Sipas meje, populli sirian nuk vepron kështu. Është mënyra e veprimit e njerëzve, që vijnë nga jashtë, e ekstremistëve, që vijnë këtu për të shfarosur gjithçka nuk është myslimane. Sirianët, të krishterë e myslimanë, kanë jetuar së bashku prej shekujsh e nuk besoj se për pak kohë mund të fshihet gjithë përnjëherësh kjo histori bashkëjetese.
Perëndimi ka vendosur të ndihmojë rebelët, në luftën siriane. Si e mendoni ju?
Po, Perëndimi përkrah revolucionin. Por, duke e ndihmuar revolucionin pa dallim, askush nuk mund të garantojë se armët e Perëndimit nuk shkojnë në duart e ekstremistëve. Nuk mund të garantojmë që çfarë i jepet një grupi, nuk kalon në grupin tjetër. Madje, mund të pohojmë të kundërtën: jo vetëm po e detyrojnë qeverinë të bjerë, por po bien edhe të gjitha parimet e kultura njerëzore.
Ka dëshmi që këto grupe vijnë në një kuvend fetar dhe kërcënojnë: keni 24 orë për të ikur…
Di se kanë shkuar në një kuvend tjetër murgeshash, afër Halebit dhe u kanë dhënë atyre 24-48 orë për të ikur nga krejt kompleksi, sepse Halebi dhe rrethinat janë deklaruar principatë myslimane, prandaj askush tjetër, përveç myslimanëve, nuk mund të jetojë në të. Edhe murgeshat duhet të largohen, sepse kuvendi do të kthehet në qendër edukimi e arsimimi islamik.
Pra, s’është thjesht një rast i izoluar?
Jo, jo: nuk është rast i izoluar. Megjithëse revolucionarë të tjerë, pak më të moderuar, kanë deklaruar se largimi i të krishterëve me forcë nuk u përgjigjet parimeve myslimane. E këtë mbështesim edhe ne: të krishterë e myslimanë mund të jetojnë bashkë, me kusht që të mos vijnë këta ekstremistë, sidomos nga jashtë vendit.
Nga cilat vende?
Nga vendet me prirje fetare ekstremiste, si Afganistani, Çeçenia… Janë gjetur edhe ekstremistë nga Libia, në mesin e revolucionarëve sirianë…




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama