HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-26 14:41:03
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë Bergoglio: priftërinjtë duhet të kenë hirin e atësisë shpirtërore. Urimet kardinalit De Giorgi



Zoti do që priftërinjtë të jetojnë me hirin e plotë të atësisë, asaj shpirtërore, lidhur me njerëzit, që u janë besuar. E pohoi Papa Françesku në Meshën, kryesuar paradite në Kapelën e Shën Martës. Me Atin e Shenjtë ishin të pranishëm prelatët e meshtarët, që shoqëronin kryeipeshkvin e nderit të Palermos, kardinalin Salvatore De Giorgi, i cili sot kremtoi 60-vjetorin e shugurimit meshtarak, rrethanë që Papa e ceku me fjalë plot nderim gjatë homelisë dhe e rikujtoi në audiencën e përgjithshme.
Dëshira për t’u bërë baba shkruhet në fibrat më të thella të njeriut. E prifti, nënvizoi Papa, nuk bën përjashtim, ndonëse këtë dëshirë e plotëson dhe e jeton në një mënyrë të veçantë:
“Kur burri nuk e ndjen këtë dëshirë, do të thotë se ka diçka mangut: diçka nuk shkon. Të gjithë ne, për të qenë, për t’u përkryer, për të fituar pjekurinë, duhet ta ndjejmë gëzimin e atësisë: edhe ne, të pamartuarit. Atësi është t’u japësh jetë të tjerëve, të japësh jetë, të japësh jetë... Për ne atësia është baritore, atësi shpirtërore: por është njëlloj dhënie jete, na bën njëlloj baballarë”.
Shtytjen për reflektimin e sotëm, Papa Françesku e mori nga fragmenti i shkëputur prej Librit të Zanafillës, në të cilin Zoti i premton Abrahamit gëzimin e një biri, e njëherësh, pasardhës të shumtë, sa yjet e qiellit. Për ta vulosur këtë pakt, Abrahami ndjek porositë e Zotit. Ngre një elter, flijon disa kafshë e pastaj i mbron nga sulmi i zogjve grabitqarë. Më prek thellë në shpirt, shpjegoi Papa, figura e këtij nëntëdhjetëvjeçari, me shkop në dorë, që mbron flinë e tij. Më bën të mendoj për një atë, që mbron familjen, bijtë:
Një atë, që e di ç’do të thotë t’i mbrosh fëmijët. E ky është hir, që ne, priftërinjtë, duhet ta kërkojmë: të jemi etër, baballarë. Të kërkojmë hirin e atësisë, të atësisë baritore, të atësisë shpirtërore. Mëkate kemi shumë, por ky është i commune sanctorum, të gjithë kanë mëkate. Por të mos kesh bij, të mos bëhesh baba, është sikur jeta të mos ia arrinte qëllimit, të ndalej në mes të udhës. E prandaj edhe duhet të jemi etër. Hir, ky, që e jep vetë Zoti. Njerëzit na thonë: “Atë, atë, atë...’. Duhet të jemi etër, me hirin e atësisë baritore”.
Në këtë pikë, Papa ia nguli plot dashuri sytë kardinalit De Giorgi, që pikërisht sot kremtonte 60-vjetorin e meshtarisë: “Nuk e di ç’ka bërë Salvatori i dashur, po jam i sigurt se ka qenë atë”. E kjo është një shenjë, vijoi Papa, duke iu drejtuar grupit të meshtarëve, që e shoqëronin, shuguruar nga Hirësia e Tij. Tani ju takon ju, i nxiti Papa Françesku meshtarët, të jepni frytin tuaj, e frytet duhet të jenë të mira, shtoi me simpati:
“Falënderojmë Zotin për hirin e atësisë në Kishë, që shkon nga ati tek biri, e kështu me radhë... Mendoj, për të përfunduar, për dy ikonat, e edhe një më shumë- ikonën e Abrahamit, që lyp një djalë, ikonën e Abrahamit me shkop në dorë, duke mbrojtur familjen e ikonën e Simeonit plak në Tempull, kur merr jetën e re: bën një litrugji të vetvetishme, liturgjinë e gëzimit, të Atij, Krishtit. E edhe ju Zoti sot ju dhëntë shumë gëzim”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama