HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-26 15:49:52
A+ A- Printo artikullin



Papa ngre Komisionin Papnor Referues për IOR-in



Një organizëm, që do të studiojë pozicionin juridik të IOR-it (Institutit për Veprat Fetare) dhe do të mundësojë harmonizimin më të mirë të tij me misionin universal të Selisë Apostolike. Kjo është natyra dhe qëllimi i Komisionit Papnor Referues për IOR-in, ngritur nga Papa Françesku përmes një Kirografi, pra një letre të shkruar me dorën e vetë Atit të Shenjtë, që mban datën e 24 qershorit 2013.
Parimet ungjillore, thuhet në të, duhet të karakterizojnë edhe veprimtarinë ekonomike e financiare, siç është ajo e Institutit, që njihet nga të gjithë si Banka e Vatikanit. Papa Françesku bën kështu të vetin një mendim të shprehur më parë nga Benedikti XVI, pasi është këshilluar edhe me kardinaj e ekspertë të tjerë. Mandati i organizmit do të jetë mjaft i “gjerë”, sqaroi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Komisioni do të mbledhë informacione për Institutin dhe do t’ia paraqesë Papës. Gjatë kësaj kohe, vetë IOR-i do të vazhdojë të punojë sipas dispozitave të vitit 1990, kur i Lumi Gjon Pali II i pati dhënë personalitet juridik.
Komisioni Papnor përbëhet nga pesë personalitete të kryesuara nga kardinali Rafaele Farina. Anëtarët e tij janë kardinali Zhan-Lui Toran dhe profesoresha Meri En Glendon, sekretar – imzot Piter Brajën Uells dhe koordinator – imzot Huan Injacio Arrieta Okoa de Çinçetru. Kirografi përcakton nëntë fusha të veprimtarisë së Komisionit, por në pikën 2 shihet qartë se ai vishet me pushtet mjaft të madh. “Sekreti zyrtar – shkruhet në të – dhe kufizimet e tjera të vendosura me ligj nuk e pengojnë, ose kufizojnë kontrollin e Komisionit mbi dokumente, të dhëna e informacione”, përveçse mbi normat, që kanë të bëjnë me autonominë dhe pavarësinë e Autoriteteve, të cilat vigjëlojnë dhe administrojnë Institutin e Veprave Fetare.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama