HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-27 11:36:41
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Dekreti konciliar “Apostolicam actuositatem”



Të dashur dëgjues, janë bërë tashmë gjashtë, emisionet që i kemi kushtuar Koncilit II të Vatikanit, në këtë rubrikë. Ju kemi njohur me katër kushtetutat, që miratuan etërit konciliarë dhe që u dhanë shtysën reformave në Kishë. Sot, do të fillojmë të flasim për nëntë dekretet, që dolën nga Koncili, duke filluar nga “Apostolicam actuositatem”, në të cilin trajtohet tema e apostullimit të laikëve, pra e pjesëmarrjes së tyre aktive në jetën e Kishës Katolike.
Apostullimi i laikëve është urgjent, shkruhet në këtë dekret konciliar, sepse pa ta Kisha nuk mund të veprojë në rajonet, ku meshtarët janë pak, ose nuk janë të lirë. Laikët marrin pjesë në veprimtarinë kishtare, duke vazhduar jetën e tyre në botë, ose duke ndjekur karizmën e shoqatës, apo të organizatës, në të cilën janë anëtarë. Apostullimi, thekson “Apostolicam actuositatem”, kërkon një formim bazë të krishterë, por edhe një formim specifik. Pra çdo laik, duhet të specializohet në fushën e veprimit të tij në Kishë, si në katekizëm, në punën me fëmijët, me të varfërit, etj.. Natyrisht, nuk është fjala për studim të mirëfilltë, nuk është universitet, por veprimtari kishtar duhet të njohë mënyrat dhe mjetet për të zgjidhur problemet, në fushën me të cilën merret.
Dekreti “Apostolicam actuositatem”, duke nënvizuar nevojën dhe urgjencën e kontributit të laikëve në përhapjen e Ungjillit të Krishtit, paralajmëroi rolin, që kanë aktualisht lëvizjet e ndryshme brenda Kishës. Famullia mbetet gjithnjë vendi për ta jetuar fenë në bashkësi, por, siç thoshte shën Pali Apostull, Kisha është korp me shumë gjymtyrë e Shpirti Shenjt ka dikuar mbi të karizma të ndryshme. Sot, ka shumë shoqata si Veprimi Katolik… e shumë lëvizje si Përtëritja në Shpirtin Shenjt, Fokolarinët, Bashkim e Çlirim… që njihen nga Kisha dhe kryejnë veprimtari apostullimi, secila sipas thirrjes së vet.
Nëse, për shembull, lëvizja “Bashkim e Çlirim” nënvizon veçanërisht aspektin komunitar të fesë dhe mishërimin e saj në jetën e një bashkësie, që në nivelin më të lartë është Kisha, “Përtëritja në Shpirtin Shenjt” e vë theksin në veprimin e vazhdueshëm të Shpirtit Shenjt, i cili ua përtërin jetën besimtarëve. Të shumtë janë ata, që i afrohen fesë, pasi janë takuar me ndonjë anëtar të këtyre shoqatave apo lëvizjeve, të cilët u dëshmojnë me vepra e jo vetëm me fjalë, se e shohin ndryshe nga të tjerët jetën e përditshme, me gëzimet e me vështirësitë e veta, pa u frikësuar, të sigurtë se Zoti është me ta gjithmonë, për t’i ndihmuar e për t’i shoqëruar. Prandaj, dekreti konciliar “Apostolicam actuositatem” u hap udhën shoqatave e lëvizjeve, duke këshilluar të mos shihen me dyshim, si grupe që e prishin unitetin e Kishës, por si pasuri për bashkësinë e krishterë, me kusht që t’i binden autoritetit kishtar.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama