HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-27 14:01:14
A+ A- Printo artikullin



Imzot Tomazi i kërkon OKB-së të përfshijë edhe vende të tjera në pritjen e refugjatëve nga Siria



Delegacioni i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës vë në dukje me trishtim se numri i nevojtarëve të ndihmuar nga Komisariati i Lartë për Refugjatët gjatë 12 muajve të fundit, është rritur. Dje, në Asamblenë e organizmit, foli Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, imzot Silvano Maria Tomazi.
Dhuna, denoncoi ai, po i detyron njerëzit të ikin nga shtëpitë, pasi në horizont, nuk shihet asnjë zgjidhje politike për konfliktet e armatosura. Imzot Tomazi iu referua veçanërisht gjendjes në Siri, duke theksuar se armatosja e palëve nuk do të ekuilibrojë ndikimin e grupeve të ndryshme, por do të shkaktojë vetëm vrasjen e më shumë civilëve. Kohët e fundit, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët po përpiqet të kuptojë rolin mbrojtës, që mund të kenë bashkësitë fetare në gjendje të ngjashme me atë të Sirisë. Imzot Tomazi dha disa shembuj në këtë drejtim. “Në këtë çast, në Siri – nënvizoi ai – një organizatë katolike po punon përmes 20 bashkësive fetare (katolike, ortodokse, protestante dhe myslimane) për t’u dhënë ushqime, ilaçe, strehim dhe mbështetje psikologjike rreth 100 mijë njerëzve në Damask, Homs, Haleb e rrethina. Ndihmat ndahen sipas nevojave e jo sipas besimit fetar. Është e nevojshme – kërkoi imzot Tomazi – që të forcohen lidhjet ndërmjet këtyre grupeve dhe Komisariatit për Refugjatët, në mënyrë që të mbrohet më mirë popullsia”.
Pavarësisht nga puna e bërë në vendet rreth Sirisë për të strehuar e mirëpritur rreth 1 milion e gjysëm refugjatë sirianë, imzot Tomazi tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se nevoja për solidaritetin ndërkombëtar ndjehet edhe në zona të tjera të globit, por fondet shkojnë me shumicë vetëm drejt emergjencës siriane. Një fëmijë i sëmurë, që ka nevojë për ilaçe në një kamp të Zambies, shtoi Vëzhguesi i Vatikanit, nuk është i ndryshëm nga një fëmijë i ngjashëm në Damask, apo në Aman.
Problemi i fundit i prekur nga prelati qe mundësia e zgjerimit të hapësirës për mbrotjen e refugjatëve. Imzot Tomazi lavdëroi gatishmërinë e Jordanisë, të Libanit, të Turqisë e të Irakut për të pritur të huaj në territorin e tyre, por vendet e tjera nuk mund të kufizohen vetëm në admirimin e këtyre përpjekjeve, pa i imituar. Delegacioni i Selisë së Shenjtë kërkoi zgjerimin e hapësirës së mikpritjes për refugjatët dhe gjetjen e zgjidhjeve afatgjata e të qëndrueshme për të ikurit nga lufta.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama