HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-27 14:00:41
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: bazojeni me gëzim jetën mbi Jezusin Shkëmb. Jo, të krishterëve pa Krisht



Ka njerëz, që “maskohen si të krishterë” e tregohen ose tepër të lehtë, ose tepër të ashpër, duke harruar se i krishteri i vërtetë është njeri i gëzimit. Baza e fesë së tij është ai shkëmb, që quhet Jezu Krisht. Ky qe thelbi i mendimit të Papës Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.
Të ashpër e të trishtuar. Ose të gëzuar, por pa e pasur idenë e gëzimit të krishterë. Ati i Shenjtë i imagjinoi këto dy kategori besimtarësh, në dy “shtëpi” të ndryshme, duke theksuar se kanë të përbashkët këtë mangësi të rëndë: bazohen në një krishterim vetëm me fjalë e jo mbi “shkëmbin” e patundur të Fjalës së Krishtit. Papa mori shkas nga episodi i famshëm i Ungjillit të sotëm të Shën Mateut, ku tregohet ndryshimi ndërmjet shtëpisë së ndërtuar mbi rërë e asaj të ndërtuar mbi shkëmb:
“Në historinë e Kishës ka dy klasa të krishterësh: të krishterët e llafeve – ata që thonë “O Zot, o Zot, o Zot” – e të krishterët e veprave. Në të vërtetë, ka ekzistuar gjithnjë tundimi për ta jetuar krishterimin larg shkëmbit, që është Krishti. I vetmi që na dhuron lirinë për t’i thënë “Atë” Zotit është Krishti, është ky shkëmb. Është i vetmi, që na mban, në çastet e vështira, apo jo? Si thotë Jezusi: bie shiu, dalin lumenjtë, fryjnë erërat, por kur mbështetemi mbi shkëmb jemi të sigurtë, ndërsa kur bazohemi në fjalë… fjalët fluturojnë, nuk duhen gjë. Por, ky është tundimi i të krishterëve të fjalëve, të një krishterimi pa Jezusin, të një krishterimi pa Krishtin. E kjo ka ndodhur e ndodh edhe sot në Kishë: të jesh i krishterë pa Krishtin”.
Papa Françesku analizoi më nga afër këta “të krishterë me fjalë”, duke vënë në dukje tiparet e tyre. Kemi një tip të parë – që mund ta quajmë “gnostik” – i cili, në vend të shkëmbit, i pëlqejnë fjalët e bukura, tha Papa, e kështu, jeton duke pluskuar në sipërfaqen e jetës së krishterë. Pastaj, kemi një tjetër, që Ati i Shenjtë e quajti “pelagjian” (nga emri i një murgu tepër të rreptë), i cili ka një stil jete tepër serioze e është gjithnjë i kollarisur. Të krishterë, ironizoi Papa Bergolio, që i mbajnë sytë të ngulur në dysheme:
“Ekziston ky tundim sot. Të krishterë të lehtë, që besojnë në Zotin, në Krishtin, por në mënyrë të ‘hapërdarë’: nuk është Jezu Krishti, që t’i jep bazat. Këta janë gnostikët modernë. Të krishterë ‘të lëngshëm’. Nga ana tjetër, kemi ata, që besojnë se jeta e krishterë duhet të merret kaq shumë seriozisht, sa ngatërrojnë qëndrueshmërinë dhe korrektësinë me ngurtësinë. E kanë zemrën gur! Këta mendojnë se për të qenë të krishterë, duhet të mbajnë zi, gjithmonë”.
Problemi është, vazhdoi Papa Françesku, se kemi shumë nga këta të krishterë. Por nuk janë të krishterë, “maskohen si të tillë”. Nuk e dinë, nguli këmbë Ati i Shenjtë – ç’është Zoti, nuk e dinë ç’është shkëmbi, nuk e kanë lirinë e të krishterëve. E, për ta thënë më thjesht, nuk kanë gëzim:
“Të parët kanë një farë lloj ‘gëzimi’ sipërfaqësor. Të tjerët jetojnë si në funeral të përhershëm e nuk e dinë ç’është gëzimi i krishterë. Nuk dinë ta gëzojnë jetën, që na jep Jezusi, sepse nuk dinë të flasin me Jezusin. Nuk e ndjejnë veten të mbështetur mbi Jezusin, me atë forcë, që na jep prania e Tij. E jo vetëm nuk janë të gëzuar: nuk kanë as liri. Këta janë skllevër të jetës së lehtë, të hapërdarë e, ata të tjerët janë skllevër të ngurtësisë, nuk janë të lirë. Në jetën e tyre, s’ka vend për Shpirtin Shenjt. Por është Shpirti që na e jep lirinë! Sot, Zoti na fton ta ngremë jetën tonë të krishterë mbi Të, që është shkëmb, që na jep liri, që na e dërgon Shpirti Shenjt, i cili na bën të ecim përpara me gëzim, në udhën e Tij, sipas propozimeve të Tij”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama