HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-28 15:01:41
A+ A- Printo artikullin



Atë Ilia Matia: të jesh meshtar do të thotë të jesh shenjë sakramentale e Zotit në jetën e botës



Në Pistoia të Italisë, nesër në festën e shën Pjetrit e Palit Apostuj, do të shugurohet meshtar rregulltari i Vëllazërisë Apostolike të Jerusalemit, diakoni shqiptar nga Sheldija, atë Ilia Matia. Meshën e shugurimit, në ora 18.00 në Katedralen e Pistoia-s, do ta kryesojë imzot Mansueto Bianchi. Të jesh meshtar do të thotë të jesh i thirrur nga Zoti për të qenë shenjë sakramentale e dashurisë së Tij Hyjnore në jetën e Kishës e në jetën e botës. Do të thotë të dëshmosh, kumtosh e mishërosh Lajmin e Mirë për çdo njeri në realitetin e shoqërisë bashkëkohore. Po më shumë mbi këtë shugurim meshtarak, të dëgjojmë atë Ilia Matia në mikrofonin tonë....RealAudioMP3
Të gjithë e dinë kush janë meshtarët katolikë, por le të bëjmë një udhëtim nëpër faqet e Shkrimit Shenjt, Biblës, për të kuptuar më mirë domethënien e kësaj fjale…
Në të gjitha fetë, megjithëse në nivele të ndryshme, ekzistojnë të ashtuquajturit “profesionistë”, që kremtojnë ritet e shenjta. Ata bëhen të tillë shpesh përmes një shugurimi ritual, hyjnë në bashkim me misterin hyjnor dhe bëhen një lloj ure komunikimi me ç’është “profane”, që zakonisht konsiderohet gjithçka qëndron në prag, ose jashtë tempullit të shenjtë të fesë. Ky lloj konceptimi, rrezikon ta largojë meshtarin nga bashkësia, ta bëjë diçka të paprekshme e të izoluar. Kjo shihet nganjëherë edhe në Legjislacionin e ndërlikuar liturgjik biblik, që shprehet veçanërisht në Librin e Levitikut. Por, kjo lloj perdeje e shenjtë ka edhe të mirën e ekzaltimit të transcendencës së Zotit, i cili nuk mund të reduktohet në horizontin tokësor, as mund të manipulohet, as është vepër e mendjes së njeriut.
Në Bibël, ekziston edhe një lloj tjetër vetëdijeje për meshtarin. Në këmbët e malit Sinai, zëri i Hyjit zbret nga majat mbi krejt Izraelin, me këtë deklaratë: “Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh e një popull i shenjtë”. Besëlidhja e Re do ta përdorë këtë përkufizim për Izraelin, duke ia përshtatur Kishës (Pjt 2,9) dhe të zgjedhurve të Zotit (Vap 5,10). Ai është interpretuar në mënyra të ndryshme, megjithatë, ekziston një bindje mjaft e bazuar, sipas së cilës, ashtu siç ndodhi për fisin meshtarak të Levit përballë fiseve të tjera, edhe populli i Zotit merr shugurimin e tij të veçantë, që e bën dëshmitar e ministër të shëlbimit për të gjitha kombet e botës.
Kjo pohohet për çdo të krishterë, i cili në pagëzim shugurohet mbret, profet e meshtar, në bazën e trajtës së njëjtë me Krishtin. Nga kjo meshtari, të themi “e zakonshme” mund të kalohet në konceptimin e meshtarit sipas Besëlidhjes së Re, e cila, natyrisht, nuk e hedh poshtë përmasën e shenjtë, pasi përndryshe liturgjia do të kthehej në një rit shoqëror, apo folklorist, por e ndërthur vizionin e Sinait me një perspektivë më të gjerë. Para së gjithash, duhet nënvizuar se Jezusi nuk është meshtar, sipas formës kanonike të Besëlidhjes së Vjetër. Më të vërtetë, Ai është i fisit të Judës, prandaj nuk bën pjesë në meshtarinë levitike, siç shpjegohet në Letrën drejtuar Hebrejve, ku thuhet se “po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të ishte as prift”(8,4): “Dihet se Zotëria ynë vjen nga fisi i Judës, fis ky për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinj”(7,14).
E megjithatë, është pikërisht kjo Letër, teksti i vetëm i qartë në paraqitjen e Krishtit si “Kryeprift, i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt”(7,26). Por Ai është meshtar, jo përmes flijimeve rituale e akteve të shenjta, por përmes ofertës së flijimit të vetvetes: “Ai s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten”(7,27). Në këtë dritë përvijohet edhe meshtaria e re e krishterë.
Kjo meshtari nuk është e trashëguar, prandaj nuk lidhet me mishin e gjakun, apo me shenjtërinë e detyruar, siç ndodhte për priftin levitik. Është më e ngjashme me profecinë, që për natyrën e vet është karizmatike: në fakt, lind nga thirrja hyjnore e drejtpërdrejtë dhe nga hiri hyjnor. Thirrja e meshtarit të krishterë shkon përtej gjendjes së tij personale, apo shoqërore: “Jezusi thirri ata që deshi vetë”(Mk 3,13). E meshtari “kushton fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin”(1 Pjt 2,5).
(nga Çelësi i fjalëve të Kishës: meshtaria 10.06.2010 RV)




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama