HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-28 15:52:58
A+ A- Printo artikullin



Dom Gjergj Meta: Dashuria sipas Obames



Love is business ose dashuria sipas Obames
Pakkush e ka vënë re një lajm në këto ditë të zhurmshme zgjedhore. Lajmi vjen nga SHBA. Erës së fortë të demokratit Obama po i ndihet ushtima. Gjykata e lartë e SHBA-ve me fjalë shumë të thjeshta ripërkufizoi martesën e cila tashmë mund të quhet e tillë edhe ndërmjet dy burrave apo dy grave. Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për lejimin e martesave gay, por edhe për ripërkufizimin e martesës në vetvete. Reagimi i vetëm i fuqishëm deri në këto momente ishte ai i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike Amerikane e cila e quajti “një ditë tragjike për martesën dhe kombin amerikan”. Në fakt është e tillë, pasi Gjykata e Lartë amerikane dëshmoi, sikurse në shumë raste të tjera edhe në Europë, falsitetin dhe raportin e gabuar me realitetin e martesës e cila nuk mund të përkufizohet ndryshe dhe nuk mund të ndodhë ndryshe përveçse ndërmjet një burri dhe një gruaje, një mashkulli dhe një femre.
Qysh në krye të herës Obama në programin e tij është ndër liderat amerikanë që ka shpallur me forcë rishikimin e disa ligjeve ndër të cilat të paktën tre kanë krijuar një zhurmë të fortë ndër qytetarët amerikanë, aborti, përdorimi i mjeteve kundër ngjizjes dhe martesat gay. Substancialisht dua të ndalem në ndikimet që mund të ketë një ligj i tillë mbi martesat gay, jo vetëm për USA por edhe më gjerë. Dy spondat e Atlantikut në fakt këtë herë janë bashkuar të paktën në terrenin e të ashtuquajturave “martesa homoseksuale”: kemi nga njëra anë USA e nga ana tjetër, Francë, Spanjë, Hollandë e Angli e ndonjë vend tjetër europian. Një rrjet i fortë lobimi i shtrirë gjerësisht në vendet më të përparuara ekonomikisht të perëndimit, pasi ka prekur ekonomitë botërore, ka monopolizuar lëndën e pare të vendeve të varfra etj, tani shtrin tentakulat e veta edhe në vetë qelizën e shoqërisë njerëzore: martesa dhe familja. E quajta qelizë, pasi në fakt e tillë është, por metafora e qelizës më ndihmon edhe për të konstatuar se në fakt në këto vende të përparuara qeliza ka ndërruar përkufizim; nuk është më familja, por individi ai i cili fiton mbi gjithçka. Në fakt edhe arsyeja e rishikimit të ligjit në shtetin e Kalifornisë, ndalimi i Propozimit 8 si amendament në Kushtetutën e këtij shteti, që e përkufizon martesën vetëm ndërmjet burrit dhe gruas, ka në thelb faktin se nëse kjo e drejtë i njihet burrit dhe gruas do të ishte diskriminim nëse nuk do t’i njihej edhe dy burrave apo dy grave. Së paku kjo mëtohet si arsye juridike, por në thelb ka edhe arsye të një rikonceptimi antropologjik e të një programi të qartë antifamilje e antimartesë. Vendosja e individit dhe e ekonomisë në qendër të shoqërisë ka krijuar një revolucion kopernikan në botën bashkëkohore. Njeriu tashmë shihet si i palidhur e i pakushtëzuar nga bashkësia, madje nuk është më ajo të cilës duhet t’i shërbehet, por ajo që shërben dhe është në funksion të individit dhe të korporatave ekonomike. Qejfet e individit dhe përfitimet e “ndërmarrjeve” janë kriteri themelor mbi të cilat mbështeten politikat e vendeve të zhvilluara. Një politikë e tillë e ka origjinën e saj jo vetëm në një ekonomi liberale, por edhe nga zhgënjimi i madh që sollën sistemet e kolektivizmit komunist. Paradoksalisht mbrojtësit më të mëdhenj të rendit komunist në vendet e lindjes europiane sot janë promovuesit më të mëdhenj të ligjeve pro abortit, pro martesave gay e pro pengimit të ngjizjes. Duhet sigurisht një analizë se pse ka ndodhur një shndërrim i tillë, pse prirjet majtiste të europianëve të sotshëm po çojnë ujë pikërisht te këto lloj ligjesh e konceptimesh të vendit dhe të drejtave të individit në shoqëritë bashkëkohore. Amerika e madhe shpesh me ligjet antijetë, antifamilje e antimartesë është vetëm një sinjal, shumë i fuqishëm, simbol do të thoja i farkëtimit të atyre “bombave” nukleare që duan pikërisht të zhbëjnë bërthamën, familjen e në këtë mënyrë të shkatërrojnë çka është më e natyrshme dhe më e bukur në jetën e njeriut. Ndoshta sepse këto vende të zhvilluara nuk kanë më c’të japin, kanë shterruar e atëherë u kanë ngelur stadet e fundit të zhbërjes e të skllavërimit njerëzor.
Era që fryn në lidhje me vlerat themeltare të shoqërisë, sikurse është familja dhe jeta, duhet të nxisë krijimin e një front opozitar të papërkulur. Me këtë dua të them se asnjë gjykatë, pavarësisht numrave, asnjë parlament, pavarësisht mazhorancave të cilësuara, nuk mund të prekë ato vlera që u paraprijnë këtyre mazhorancave e të cilat nuk janë të gatshme për eksperimentime laboratorike. Në këtë drejtim Kisha Katolike vazhdon ende të jetë autoriteti që me forcë ka kundërshtuar, edhe si në rastin e ligjit të sipërpërmendur, të gjitha ato përpjekje, qoftë ligjore e qoftë ekonomike, që pengojnë rritjen e personit dhe realizimin e tij në familje e në shoqëri. Shpresoj shumë që në vendin tonë marrëdhënia me të vërtetën e martesës të mos falsifikohet nga lobimet me matricë europiane apo amerikane për hir të interesave të ngushta apo të frikërave nga “të mëdhenjtë”. Është e vërtetë që sot si shoqëri shqiptare kemi problem të tjera, por edhe këto çështje janë në dyert e demokracisë e të parlamentit tonë. Këto nuk janë dhe nuk mund të jenë çështje mazhorancash apo krahësh politikë pasi shkojnë përtej tyre, ndaj kërkojnë një konsultim më të gjerë ose një opozitë morale më të fortë pjesë e së cilës nuk janë vetëm subjektet politike, por edhe shoqëria civile, Kisha katolike dhe komunitetet e tjera fetare.
Për mua personalisht arësyeja e vërtetë e mëtimit të këtyre ligjve është aq banale sa nuk ia merr kujt mendja. Nuk ka asnjë betejë parimore, asnjë ideal, por thjesht përfitime ekonomike që garantojnë ligjet për familjen. E gjithë kjo bëhet që edhe çiftet gay të kenë të njëjtat benefite ekonomike sikurse edhe çiftet heteroseksuale në rastet kur divorcohen, apo kur adoptojnë fëmijë, apo kur u vdes partneri. Mua edhe aq fort këto benefite nuk më interesojnë e le të jenë, por martesa nuk mund të ndryshojë përkufizimin e saj e nuk mund t’u vihet emri martesë çdolloj lidhjeje që i shkon nëpër mend dikujt apo që ia ka qejfi dikujt.
Në ovacionin e tij në Twitter thuhet se Obama, i gëzuar nga ky vendim, kishte thënë: “Love is love”, por në këtë rast më vjen të them se “love is business”.
Nga dom Gjergj Meta




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama