HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-28 14:50:55
A+ A- Printo artikullin



Dom Mirget Gegaj: Si meshtarë në mesin e popullit të Zotit



Kisha dioqezane e Tiranë-Durrësit në festë, për shugurimin meshtarak të diakonit shqiptar dom Mirget Gegaj. Meshën solemne të shugurimit meshtarak, në festën e Shën Pjetrit e Palit Apostuj, në Katedrale të Shën Palit në Tiranë, nesër në ora 11.00 do ta kryesojë kryeipeshkvi i vendit, imzot Rrok Mirdita. Mbi gëzimin e domethëniet e shugurimit meshtarak, në mikrofonin e RV të dëgjojmë dëshminë e diakonit dom Mirgetit, me prejardhje nga Berisha e Pukës e banues në Mamurras të zonës së Kurbit.........RealAudioMP3
Si meshtarë në mesin e popullit të Zotit. Misioni i meshtarëve është ta dëshmojnë dashurinë e Krishtit, pa iu nënshtruar modave të çastit. Prandaj janë ata shenjë e pranisë së Zotit në botë. Meshtarët kanë si mision të punojnë për ta bërë të pranishëm Zotin e Sakramentet e tij në realitetin e përditshëm të njerëzve.
Meshtarët nuk duhet ta reduktojnë shërbimin e tyre thjesht në profesion, por ta jetojnë me gëzim dashurinë për Zotin, në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlikuar. Prandaj është e rëndësishme që besimtarët ta shohin se prifti nuk bën thjesht një detyrë, me orë pune e pastaj është i lirë për të jetuar për vete, por se është një person i pasionuar pas Krishtit, që bart zjarrin e dashurisë së Krishtit për njerëzit. Kështu nëse shohin se prifti është plot me gëzimin e Hyjit, e kuptojnë se nuk mund të bëjë gjithçka, i pranojnë kufizimet e tij dhe e ndihmojnë.
Meshtaria është një “po” e përhershme, është akt besnikërie e dashurie, njëlloj si martesa ndërmjet burrit e gruas, është themel i vërtetë i kulturës së krishterë.
Kremtimi i përditshëm i Eukaristisë i ndihmon meshtarët të shmangin rrezikun e klerikalizmit e të mbylljes në vetvete, e në këtë aspekt shembulli i jashtëzakonshëm i së Lumes Nënë Terezë, vepra e jashtëzakonshme e së cilës nuk do të ishte e mundur pa praninë e Tabernakullit e të dashurisë së Zotit, është mësim i madh. Të mendojmë për Nënë Terezën, vërtet shembull madhështor për këtë shekull, për këto kohë, shembull dashurie që e harron vetveten, që lë mënjanë çdo lloj klerikalizmi, që përzihet me njerëzit e me botën, shkon tek më të braktisurit, tek më të varfrit, tek personat në prag të vdekjes dhe dhurohet krejtësisht për të varfrit e të braktisurit. Por kjo Nënë Terezë, që na ka dhënë këtë shembull, këtë bashkësi që ndjek gjurmët e saj, vendoste gjithnjë Tabernakullin si kusht i parë për themelimin e Kongregatës.
Pa praninë e dashurisë së Zotit, që u jepet të tjerëve, nuk do të ishte i mundur realizimi i atij apostullimi, nuk do të ishte e mundur të jetonte lëshimin e vetvetes në dorën e Zotit. Vetëm duke e lënë veten në dorën e Zotit, në këtë aventurë të Hyjit, në këtë përvujtëri të Atit të Gjithëpushtetshëm, motrat e së Lumes Nënë Terezë mundën e mund të kryejnë edhe sot këtë akt të madh dashurie, këtë shërbim për të gjithë. Ajo le të jetë shembull për këta meshtarë të ri. Lypet të jetojmë stinën e rilindjes e të përtëritjes shpirtërore, duke ndjekur me guxim udhën e kthimit tonë të përhershëm tek Zoti, udhën e pastrimit e të pajtimit. Lypet të gjejmë rrugë të reja për t’u transmetuar të rinjve bukurinë dhe pasurinë e miqësisë me Jezu Krishtin në bashkim me Kishën e tij, siç na ftoi të bëjmë Benedikti XVI e Papa aktual Françesku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama