HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-28 14:49:20
A+ A- Printo artikullin



Papa Bergoglio: i krishteri të jetë durimtar e i paqortueshëm, duke ecur gjithnjë në praninë e Zotit



Zoti na kërkon të jemi të durueshëm e të patëmetë, duke ecur gjithnjë në praninë e tij. Këtë pohoi sot Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti e zgjedh gjithnjë rrugën për të hyrë në jetën tonë e kjo kërkon durim nga ana jonë, sepse jo gjithnjë bëhet i dukshëm. Në Meshë morën pjesë, ndërmjet tjerësh, një grup nëpunësish të Drejtorisë së Shëndetësisë e Higjienës, shoqëruar nga drejtori, doktor Patricio Poliska.

Zoti hyn ngadalë-ngadalë në jetën e Abrahamit. Patriarku ishte 99 vjeç, kur iu premtua se do të kishte një djalë. Ndërsa në jetën e të gërbulurit, hyn menjëherë: ia dëgjon lutjen, e prek e ja, bëhet mrekullia. Papa Françesku u frymëzua nga Leximi i Parë e nga Ungjilli i sotëm, për të shpjeguar si e zgjedh Zoti rrugën e hyrjes në jetën tonë e të popullit të vet. Ndryshon rruga, që zgjedh për Abrahamin, nga ajo për të gërbulurin. Kur Zoti vjen, nuk zgjedh gjithnjë të njëjtën mënyrë. Nuk ka protokoll veprimi i hirit të Zotit, nuk ekziston asnjë rregull. Një herë, shtoi, vepron në një mënyrë, më pas, në një mënyrë tjetër, por për të vepruar, vepron gjithnjë. Gjithnjë, ripohoi, Zoti vjen të takohet me ne:
“Zoti zgjedh gjithnjë mënyrën e vet për të hyrë në jetën tonë. Shpesh e bën këtë ngadalë, aq ngadalë, sa rrezikohemi ta humbasim durimin: ‘Po, o Zot, deri kur më?’. E lutemi, lutemi... E ai nuk ndërhyn në jetën tonë. Nganjëherë, kur mendojmë për atë që na ka premtuar Zoti, bëhemi paksa mosbesues, dyshimtarë e, ashtu si Abrahami, paksi fshehurazi, vëmë edhe buzën në gaz... Thuhet në këtë Lexim se Abrahami e fshehu fytyrën e qeshi... U lëkund paksa besimi i tij. ‘Po si është e mundur! Unë plak në pleqëri, do të kem një djalë; unë, njëqind vjeç e gruaja ime, nëntëdhjetë?!”.
Të njëjtin mosbesim, vijoi të shpjegojë Papa, do të kishte edhe Sara, nën Lisat e Mamrës, kur tre Engjëjt do t’i thoshin të njëjtën gjë asaj e Abrahamit. Sa herë edhe ne, kur Zoti nuk vjen, reflektoi Ati i Shenjtë, kur nuk kryen mrekulli e nuk bën atë, që dëshirojmë të bëjë, e humbasim durimin ose në shpirtin tonë nis një farë mosbesimi:
Po, nuk e bën. Dyshimtarëve nuk mund t’ua bëjë. Zoti ka kohën e vet. Por edhe Ai, në këtë lidhje me ne, ka shumë e shumë durim. Jo vetëm ne duhet të kemi durim: edhe Ai. E ai e ka gjithnjë. Ai na pret! E na pret deri në fund të fundit të jetës! Të mendojmë për Hajdutin e mirë, pikërisht në fund, në fund të fundit, e njohu Zotin, e e deshi. Zoti ecën me ne, por shpesh herë nuk e shohim, si në rastin e dishepujve të Emausit. Zoti merret me jetën tonë, kjo është e sigurt! Por shpesh ne nuk arrijmë ta dallojmë. Kjo kërkon durim. Të mos harrojmë: Zoti, që ecën me ne, edhe Ai na duron shumë”.
Papa foli, në vijim, për misterin e Zotit, që ecën me hapin tonë. Nganjëherë në jetë, vërejti, ngjarjet bëhen tepër të errëta, ka tepër errësirë, aq sa na lind dëshira të ulemi sa më shpejt nga kryqi ynë. E gjithnjë, kur zbresim nga kryqi, e bëjmë pesë minuta para se të vijë çlirimi, në çastin kur padurimi arrin kulmin:
“Jezusi mbi Kryq ndigjonte si e sfidonin: ‘Zbrit! Zbrit! Eja’. Po ai duroi deri në fund të fundit, sepse ai na duron. Hyn gjithnjë në jetën tonë, është i lidhur me ne, por e bën në mënyrën e tij e kur i duket se është më mirë. Na thotë vetëm atë, që ia pati thënë Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i përkryer’, i paqortueshëm, e kjo është fjala e duhur. Ec në praninë time e përpiqu të jesh i patëmetë. Kjo është udha me Zotin e Ai ndërhyn, po duhet të presim, të presim çastin, duke ecur gjithnjë në praninë e tij e duke bërë çmos për të qenë të paqortueshëm. T’ia lypim këtë hir Zotit: hirin e ecjes gjithnjë në praninë e Tij, duke u përpjekur të jemi të paqortueshëm”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama