HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-29 12:31:05
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i festës së Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj.



Sot, Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, të cilëve Krishti u besoi lartimin e ngrehinës së Kishës Katolike Universale, që i bën ballë shekujve.
Kremtohen solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës. Shën Pjetri u mbërthye në kryq, si Mësuesi i vet. Kërkoi ta mbërthenin e gozhdonin kokëposhtë, sepse i padenjë për një mbarim krejt të ngjashëm me Zotin. Shën Palit iu pre koka, jashtë mureve të Romës, sepse si shtetas romak, që kishte tradhtuar perënditë pagane, për një Zot të kryqëzuar, nuk duhej ta njolloste qytetin me gjakun e tij. Të krijohet përshtypja se gjithçka mori fund atë ditë, me një njeri të mbërthyer mbi kryq e një tjetër, me kokë të prerë.
Por, solemniteti i sotëm na kujton se pas çdo persekutimi, duhet parë ndeshja ndërmjet dritës e errësirës, ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet ligjit të dashurisë e ligjit të urrejtjes. Këtë na kujtojnë sot Princat e Apostujve, nga të dyja bazilikat e mëdha romake, që u janë kushtuar, e nga qindra kisha e kapela, përhapur kudo në botë, sot në festë për pajtorët e tyre të fuqishëm qiellorë. Paradoks, që nuk mund të mos e shtyjë njeriun t’i bëjë vetes pyetjen: “Po pse gjithë urrejtje, gjithë kjo mizori kundër ndjekësve të Krishtit? Jo dikur, jo dje, por edhe sot? Paradoksale kjo mëri, për ata që i binden ligjit të dashurisë, që marrin nga Mësuesi i tyre urdhrin të mos urrejnë asnjeri, as armikun, as atë që i kryqëzon e ua pret kokën. Por ka edhe më. Zoti i të krishterëve i urdhëron ndjekësit e vet ta duan atë, që s’i lë të qetë, që i mundon, thjeshtë për ligësi, që i kryqëzon, që ua pret kokën, sepse urren Zotin e tyre!
Arsyeja e persekutimit të ndjekësve të Krishtit buroi nga risia, që sillte krishterimi, i cili pohoi me forcë se njerëzit janë të barabartë. Madje Jezusi i sfidon ata, që kanë në dorë frenat e botës, të atëhershme e të sotme, i prek në krenarinë e tyre të pandreqshme, kur u kujton: “ Me të vërtetë po ju them: atë që s’e bëni për njërin prej më të vegjëlve, nuk e keni bërë për mua!”. Jezusi vuri në qendër të botës njeriun e zakonshëm, njeriun e vogël, njeriun shpirtërisht të çliruar nga përdhuna e të mëdhenjve. U kujtoi të gjithëve se mund të jesh i lirë edhe në burg, edhe në kryq, ashtu si mund të jesh skllav edhe mbi fron!
Prandaj risia e bukuria e mesazhit të Jezusit, u rrok menjëherë nga qindra mendimtarë në rrjedhë shekujsh. Edhe nga një shkrimtar, si André Gide (Andre Zhid), çmim Nobel për letërsinë, që letrarisht zvarritej në baltë, e nga një shkrimtar tjetër, i trazuar nga dyshime të thella, si filozofi rus, Dostojevskij. E përqafuan këtë mesazh, sepse kush e njeh Jezusin, nuk mund të bëjë më pa Të; Jezusi është i vetmi, që mund t’i japë kuptim jetës së njeriut, i vetmi mjek, që mund të shërojë ligështitë tona e mjerimin tonë, duke mjekuar shkakun e vetë mjerimit, ligësinë e shpirtit njerëzor.
Në Solemnitetin e sotëm, kujtesa historike na çon në vendet ku jetuan e u martirizuan apostujt, në Burgun Mamertin, tek burimi ujit, ku pagëzonin shokët e qelisë, që dilnin nga burgu i vetvetes të rilindur, si ndjekës të Jezusit. Një burg, që bëhet vend kulti. Bëhet kishë. Bëhet muze! E nuk është i vetmi: në botë, sidomos në atë Lindore, ka burgje, ku u bënë mizoritë më të mëdha mbi të krishterët, për shkak të urrejtjes kundër Krishtit. E nuk i përkasin shekujve të parë të krishterimit, por shekujve të vonë, kohëve shumë pranë nesh. Krishti vetë persekutohet në njëmijë mënyra, në bijtë e vet, ashtu si u persekutuan Apostujt e mëdhenj, që kremtojmë sot, vetëm pse mbrojtën të voglin, nga ligësia e njeriut të pushtetshëm; vetëm pse e mësuan të dojë e të mos urrejë askënd, as atë që u pret kokën e i kryqëzon, duke u hapur para udhën, që çon në Mbretërinë së qiellit, së cilës ata i besonin, i besojnë, deri në pikën e fundit të gjakut. Ky është mesazhi i Solemnitetit të sotëm!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama