HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-29 16:22:59
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: gjithnjë e vetëm dashuria e Krishtit e çon përpara Kishën.



Pas Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku u duk në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në Shesh e prisnin mijëra besimtarë e turistë nga mbarë bota.“Është gjithnjë e vetëm dashuria e Krishtit, ajo që ngjall fenë dhe e çon Kishën përpara”. Kështu u shpreh Papa, duke u rikthyer tek kujtimi i martirizimit të Pjetrit e Palit, mbi gjakun e të cilëve u hodhën bazat e Kishës së Romës. Prej këndej, nënvizoi Papa, i gjithë Populli i Hyjit u është borxhli dy Apostujve për dhuratën e fesë. Pjetri qe i pari, që dëshmoi se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit; Pali e përhapi këtë lajm në botën greko-romake e Provania deshi që të dy të vinin në Romë e këtu të derdhnin edhe gjakun për fe:
Prandaj Kisha e Romës u bë, menjëherë, vetvetiu, pikë referimi për të gjitha Kishat e përhapura nëpër botë. Jo për shkak të pushtetit të Perandorisë, por për shkak të forcës së martirizimit, të dëshmisë së dhënë për Krishtin”.
Shpjegoi, më pas, se Pjetri, kur e dëshmoi fenë e tij në Jezusin e Pali, së pari armik i të krishterëve, e përhapi, nuk vepruan me aftësi njerëzore:
“Ja përvoja e mëshirës, e faljes së Hyjit në Jezu Krishtin: ky është Lajmi i Mirë, Ungjilli, që Pjetri e Pali e provuan në vetvete, për të dhënë, më pas, për të, edhe jetën. Mëshirë e falje; Zoti na fal gjithnjë, Zoti ka mëshirë, është i mëshirshëm, ka zemër të dhembshur e na pret gjithnjë”.
Kjo është feja, që Pjetri e Pali e morën nga Krishti dhe e transmetuan në Kishë:
“Të dashur vëllezër, ç’gëzim i madh është të besosh në Zotin, që është i tëri dashuri, i tëri hir”.
Papa Françesku kujtoi, më pas, Shën Andreun Apostull, vëlla i Simon Pjetrit, pajtor i Patriarkanës së Kostandinopojës:
Gjithë së bashku i dërgojmë urimin tonë të përzemërt Patrikut Bartolomeu I, lutemi për të e për këtë Kishë”.
E pas një Falemimërie, thënë së bashku për Bartolomeun I, Papa u kërkoi besimtarëve të luten për kryeipeshkvijtë metropolitë të Kishave të ndryshme të botës, që morën sot palion, shenjë bashkimi e uniteti, duke u drejtuar edhe bashkësive të prelatëve një përshëndetje të posaçme:
“Lutem për të gjitha bashkësitë e tyre; posaçërisht inkurajoj popullin qendërafrikan, të vënë në provë të rëndë, që ta vijojë ecjen me fe e shpresë".






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama