HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-06-29 14:51:34
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 30 qershor



E diel 30 qershor, Kisha katolike kremton të dielën 13-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë sot më 30 qershor kalendari përkujton edhe martirët e parë të Kishës romake, festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron kurrë ata që dhurojnë jetën për dashurinë tënde!”.
Të hënën më 1 korrik, kalendari përkujton shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Liturgjia na kujtojnë se Jezusi është gati edhe sot të na shërojë me fjalët e gjestet e liturgjisë së Fjalës e të liturgjisë eukaristike.

Të martën më 2 korrik, kalendari përkujton shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit. Këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij.

Të mërkurën më 3 korrik, kalendari përkujton shën Tomën Apostull e shën Leonin II, papë. Kujtojmë se shën Tomës Apostull iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mbi mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij.

Të enjten më 4 korrik kalendari përkujton shën Izabelën e Portugalisë. Liturgjia e ditës na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.

Të premten më 5 korrik kalendari përkujton shën Antonin Maria Zakaria, rregulltar. Shën Antoni Zakaria themelues i rregulltarëve Barnabitë e i Motrave Engjëllore të shën Palit, na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e tronditin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!
Kujtojmë edhe se këtë ditë Bijtë e bijat e shëna Antonin Maria Zakarisë do të jenë në festë. Prej kohe me mision në Shqipëri e në Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre në Shkodër, Fushë Milot, Prizren e Prishtinë.

Të shtunën më 6 korrik kalendari përkujton shën Maria Goretit, virgjër e martire, Papët e Shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit e të lumen Maria Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i liturgjisë së ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë shkandullisht larg nga mëshira hyjnore.

Të dielën që vjen më 7 korrik Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit, e gjithnjë më 7 korrik kalendari përkujton edhe shën Astin ipeshkëv të Durrësit e shën Benediktin XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama