HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-07-01 16:38:38
A+ A- Printo artikullin



16 viktima në manifestimet kundër presidentit Morsi në Egjipt



Egjipti në kaos. Katër ministra dhanë sot dorëheqjen, ndërsa opozita i jep ultimatum presidentit Morsi: brenda orës 17.00 të ditës së nesërme, 2 korrik, duhet të largohet, përndryshe do të fillojë një fushatë mosbindjeje civile. Gjatë manifestimeve kundër kreut të shtetit, humbën jetën 16 vetë e u plagosën 781 të tjerë. Në Kajro, protestuesit sulmuan selinë kryesore të partisë “Vëllezërit Myslimanë”. Ç’po ndodh? Ia drejtuam mikrofonin korrespondentes së gazetës italiane “La Stampa”, Françeska Paçi:
Sheshi Tahrir dhe ai përpara Pallatit presidencial në Kajro – dy vendet, ku u zhvillua manifestimi oqeanik i djeshëm – janë tashmë krejt të qetë. Në këtë çast, kaosi është zhvendosur në jug të Egjiptit, në zonën rreth Asiutit, kështjellë e Vëllezërve Myslimanë dhe e partive të tjera islamiste. Nga njëra anë, megjithëse nuk shihet haptasi, ushtria është mëse e pranishme. Dje, në manifestime, kishte edhe shumë policë me divizë të bardhë e shumë të tjerë, që shpjegonin se në regjimin e vjetër të Mubarakut, ata duhej vetëm të bindeshin, por tani, dy vjet e gjysëm pas revolucionit, i kuptojnë kërkesat e popullit e janë me të, kundër Vëllezërve Myslimanë. Edhe të rinjtë e revolucionit kanë kujdes që shërbimi i rendit të mos krijojë ndeshje.
Ju e ndoqët gjendjen edhe dy vjet më parë, në sheshin Tahrir. Çfarë ka ndryshuar?
Në krahasim me revolucionin e dy vjetëve e gjysëm më parë, ndryshimi kryesor është se nën regjimin e mëparshëm, ky manifestim as që mund të bëhej. Natyrisht, ka gjithnjë nostalgjikë të regjimit në shesh, por revolucionarët e orës së parë, të rinjtë e lëvizjes “Tamarod”, saktësojnë se atëherë nuk mund as të flisje një fjalë për ngjyrën e këmishës së djalit të Mubarakut, ndërsa tani, mund të manifestohet edhe kundër një presidenti, i cili, u pëlqen apo jo të gjithëve, ka dalë nga zgjedhje të ligjshme. Ky është ndryshimi i parë. I dyti ka të bëjë me numrin jashtëzakonisht të madh të njerëzve, shihet qartë. Në shesh ka shumë më tepër njerëz se në periudhën e revolucionit. Kjo, sepse, para dy vjetësh, njerëzit kishin frikë (pati mëse njëmijë të vdekur kur përzunë Mubarakun), ndërsa tani jo. Gjithashtu, në shesh ka njerëz, që para dy vjetësh, votuan për Morsin, duke menduar se vërtet ai e Vëllezërit Myslimanë mund t’i zgjidhnin problemet e vendit, por u zhgënjyen. Manifestimet janë shumëngjyrëshe: ka liberalë, që akuzojnë Morsin se po e islamizon vendin; ka njerëz të fesë e gra të mbuluara, që mendojnë se veprimtaria e Vëllezërve Myslimanë e ka paraqitur Islamin në dritë të keqe, sepse ka qenë përpjekje gati e çmendur për pushtet.
Sipas jush, si do të zhvillohet situata?
Vështirë të thuhet, sepse edhe vetë lëvizja “Tamarod”, që lindi jashtë opozitës zyrtare, është e paparashikueshme. Janë një grup të rinjsh, që vendosën të mbledhin firma kundër Morsit e as që e imagjinonin se do të arrinin deri në 22 milion, duke mbushur plot sheshet. Ia filluan para tre muajsh, prandaj nuk dihet ç’ndodh nesër. Fatmirësisht, forca e të rinjve të “Tamarod”-it qëndron në faktin se duan të mbeten paqësorë. Duhet parë si do të sillet ushtria. Zakonisht, ushtria ndërhyn vetëm në raste dhune, përndryshe luan rolin e spektatorit, por është protagoniste e rëndësishme, pavarësisht se nuk shihet.
Brenda lëvizjes “Tamarod” a ka eksponentë, që mund të bëhen personalitete politike?
Jo, është lëvizje pa kryetar. Në gjirin e opozitës, krerët mbeten tre të urtët e vjetër, të orës së parë: Mohammed El Baradei, Amr Mussa dhe naseriani Hamdine Sabbahi. Në të vërtetë, këta nuk ishin në krye as në fillim të revolucionit kundër Mubarakut, por pastaj, u njohën disi nga sheshi, si figura simbolike e karizmatike. Po të marrim parasysh sa e re është lëvizja, mund të them se këta nuk e përfaqësojnë as për moshën, as për përkatësinë në parti. Lëzija është pa parti dhe i përfshin të gjithë. Por, sigurisht, këto do të jenë tri figurat kryesore. Ndoshta, ka shanse Hamdine Sabbah, kandidati naserian, që në turnin e parë të zgjedhjeve presidenciale mori mjaft vota, aq sa, nëse nuk do të ishte përçarë opozita, mund të kishte fituar.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama