HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-07-01 15:30:57
A+ A- Printo artikullin



BE-ja me 28 anëtarë: hyn Kroacia. Presidenca e turnit i kalon Lituanisë



Që sot, 1 korrik, presidenca e turnit e Bashkimit Evropian i kalon Lituanisë, vend i Evropës Lindore, i cili pas një rënieje në vitin 2009, që nga viti 2010 po zhvillohet me ritme të shpejta e sot, bën pjesë në ekonomitë më të mira evropiane. Ndërkaq, që dje, me integrimin e plotë të Kroacisë, Bashkimi Evropian numëron 28 vende anëtare. Akoma ndjehet jehona e festës së madhe në Zagreb, në praninë e autoriteteve nga shumë vende. Pikërisht për këto dy ngjarje, folëm me sekretarin e përgjithshëm të Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE), atë Patrik H. Deli:
Lituania bëhet presidente e Bashkimit Evropian e, në këto gjashtë muaj, edhe Konferenca Ipeshkvnore e saj do të përfshihet më ngushtë në punën e Komisionit. Këtë vit, kryeipeshkvi i Vilniusit tha homelinë në Meshën për Evropën, që u kremtua nga kryeipeshkvi i Brukselit. Shpresojmë të presim për vizitë në Bruksel ipeshkvij të ndryshëm nga Lituania, të cilët duhet ta njohin më mirë botën evropiane në nivel politik, shoqëror e kishtar.
Ç’kontribut të veçantë mund të japë Lituania në ruajtjen e ekuilibrit evropian?
Është vend, që në të kaluarën e afërt, ka jetuar një periudhë të vështirë e që prej 20 vjetësh, po eksperimenton pavarësinë, por edhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Perëndimit. Qytetarët lituanë shkojnë për të punuar jashtë vendit dhe kjo përvojë, që ka sjellë ndryshime kulturore, kthimin nga Perëndimi, duke e lënë pas Lindjen, ka shkaktuar një ndryshim 180 gradësh edhe përsa i përket orientimit politik.
Të flasim për zonën e Ballkanit. Kroacia sapo u bë anëtare e Bashkimit Evropian, me të drejta të plota. Cili mund të jetë kontributi i saj?
Kroacia është një vend më shumë, një vend i njohur nga evropianët, sepse shkojnë atje si turistë. Për popullin, që del nga një vuajtje e jashtëzakonshme, ky është çasti i njohjes, i përfshirjes në familjen tonë të madhe. Kroacia na sjell diellin e, shpresojmë, edhe entuziazmin për t’u anëtarësuar në BE. Integrimi e rrit vetëbesimin, vlerësimin e Kroacisë për vetveten e kjo mund të jetë pozitive, megjithëse vendi hyn në Bashkimin Evropian në një çast krize.
Ju përmendët çastet e vështira, por Kroacisë i është dashur të luftojë. Nuk mund t’i harrojmë konfliktet e fundit në Ballkan. Si është gjendja për integrimin e shteteve të tjera?
Shpresojmë! Ka vende të tjera ballkanike, ulur – të themi – “në sallën e pritjes”, por afatet janë më të gjata. Serbia e ka filluar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me vetëdijen se kohët nuk do të jenë aspak të shkurtra. Hyrja e Kroacisë mund t’u japë shpresë kandidatëve të tjerë, por nuk duhet harruar se vetë Bashkimi Evropian tronditet nga një krizë ekonomike, që ndikon rëndë në nivelin shoqëror. Ndoshta, duhet ngadalësuar disi procesi i hyrjes së anëtarëve të tjerë. Megjithatë, unë nuk jam politikan, jetoj me shpresën e një Evrope më të mirë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama