HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-02 14:56:21
A+ A- Printo artikullin



“Besoj në Ty!”. Dita e seminaristëve, novicëve e noviceve: 6 mijë të rinj në Romë, nga 4 deri më 7 korrik



“Besoj në Ty!”: kjo është tema e “Ditës së Seminaristëve, Novicëve e Noviceve si dhe të gjithë atyre, që ecin në udhën e realizimit të thirrjes meshtarake e rregulltare”. Ngjarja, organizuar në kuadrin e Vitit të Fesë, do të kremtohet më 4 deri më 7 korrik. Programin e nismës e shpjegoi dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri.

Gjashtëmijë seminaristë, novicë e novice do të vijnë në Romë nga 66 vende, disa shumë të largëta, si Kina, Japonia e Vietnami, Zimbabve e Tanzania, Kili e Uruguai Papua Guinea e Re e Ishujt Salomone. Do të vijnë në emër të mijëra e mijëra të rinjve të tjerë, nga të katër anët e botës, tha imzot Fizikela, që gjejnë ende forcë e guxim t’ia kushtojnë Zotit gjithë vetveten, në jetën meshtarake e rregulltare:
“Nuk mund të mungonte, në këtë Vit, një çast kaq shprehës. Dëshira për të vënë në dukje gëzimin e shumë të rinjve, që ndjejnë në zemër thirrjen e Zotit e, pavarësisht nga vështirësitë, e bëjnë me guxim një hap, përmes të cilit vënë në lojë gjithë vetveten e jetën e vet”.
Thirrja për këtë jetë, nënvizoi kryetari i dikasterit të Vatikanit, u kërkon të heqin dorë nga shumë gjëra, shpesh, nga gjithçka. “Fitorja e vërtetë është të bëhesh dishepull i Krishtit”:
“Të besosh në fjalën e Tij e ta vësh gjithnjë jetën në shërbim të Kishës, domethënë të të tjerëve, është zgjedhje, që nuk kërkon pak, por tepër shumë; prej këndej, mund të bëhet realitet vetëm me forcën, që buron nga takimi me Krishtin”.
Besoj në Ty! Do ta dëshmojnë të rinjtë në katër ditë, të ngarkuara me veprimtari fetare, formuese e edhe zbavitëse, që do të arrijnë kulmin në takimin me Atin e Shenjtë, në Vatikan, në Sallën e Palit VI, të shtunën pasdite, më 6 korrik; e në Meshën e kryesuar nga Papa Françesku, të dielën paradite, më 7 korrik, në orën 9.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Po kujtojmë vetëm disa nga takimet:
të enjten, më 4 korrik, do të organizohet shtegtimi tek Varri i Shën Pjetrit, me një reflektim, mbajtur nga kardinali Anxhelo Komastri;
të premten, më 5 korrik, paradite, do të mbahen katekizma në gjuhë të ndryshme e në Kisha të ndryshme të Romës; pasdite, pastaj, vizita në vende të përmendura, ku ruhen relike shenjtorësh të lidhur me qytetin e Romës. Pastaj, festa në Sheshin e Kampidolios.
Të shtunën paradite, një seancë formuese pranë Universitetit Lateranens; pasdite, pas takimit me Papën, do të kremtohet një procesion marian në Kopshtet e Vatikanit, deri në tremen e Shën Pjetrit, me meditimin pëfundimtar mbajtur nga kardinali Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Jetën Rregulltare.
Këto ditë romake u prijnë atyre të DBR-së në Rio-De-Zhanéjro. Jemi të sigurt, përfundoi imzot Fizikela, se edhe në ditët e Rios do të vihet në qendër të vëmendjes tema e thirrjes për jetë meshtarake e rregulltare:

Urojmë që ditë kaq të ngarkuara me lutje, reflektim, miqësi, këngë e gëzim, të mund të ngjallin në shpirtin e të gjithëve, duke nisur nga pjesëmarrësit, kuptimin e vërtetë të pjesëmarrjes aktive e frytdhënëse në jetën e Kishës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama