HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-02 14:58:03
A+ A- Printo artikullin



Festë në Kopshtet e Vatikanit: Rrethi i Shën Pjetrit u ofron darkën 200 të varfërve



Mëse 200 të varfër të Romës morën pjesë në darkën e organizuar mbrëmë në Kopshtet e Vatikanit, para Shpellës së Lurdës, nga Rrethi i Shën Pjetrit. Vullnetarët shërbyen në tryeza, duke u bërë kamerierë për të varfërit, që e kthyen darkën në festë, për nder të Papës Françesku. Ishin të pranishëm kardinali Xhuzepe Bertelo, kreu i Guvernatoratit të Vatikanit dhe duka Leopoldo Torlonia, president i Rrethit. Në mikrofonin tonë, asistenti kishtar i Rrethit të Shën Pjetrit, imzot Franko Kamaldo, tregon për këtë mbrëmje:
Jetuam një ditë qetësie e gëzimi të madh. Darka – sipas fjalëve të vetë të varfërve – u pëlqye shumë. Edhe unë, kardinali Bertelo e duka Torlonia shërbyem në tryezë. Në fytyrat e njerëzve kishte gëzim, emocion e gati nuk u besonin syve: ishin në Kopshtet e Vatikanit, në një pasdite me diell, para Shpellës së Zojës, e njerëz të tjerë u shërbenin në tryezat e shtruara kaq bukur...
Kur mbaroi darka, pjesëmarrësve iu shpërndanë edhe pako, apo jo?
Dy qese: njëra me fruta e tjetra me ëmbëlsira, ardhur nga Napoli, dhuratë e njërit prej anëtarëve të Rrethit. Pastaj, për ta kujtuar këtë ditë, secilit iu dha një mbajtëse çelësash, me fytyrën e Atit të Shenjtë. Shpesh ata thërrisnin “Rroftë Papa”. E pastaj diçka fort e bukur dhe e veçantë: shumë prej nevojtarëve erdhën me shkrime, letra, mendime për Papën. Nëse ia mbërrijmë, maksimumi nesër paradite, do t’ia çojmë Papës së bashku me fotografitë e darkës, sepse shprehin mirënjohjen e të pranishmëve.
Në 144 vjetët e historisë së tij, Rrethi i Shën Pjetrit është impenjuar gjithnjë në veprimtari solidariteti. Me krizën aktuale, si ka ndryshuar identiteti i nevojtarëve? A janë shtuar?
Janë shtuar, pa dyshim. E ka ndryshuar edhe identiteti i tyre. Gjon Pali II e pati përkufizuar shumë bukur Rrethin: “Rrethi i Shën Pjetrit është krahu i bamirësisë së Papës për të varfërit e Romës”. Ka qenë kështu gjithmonë: gjatë Luftës II Botërore, në kuzhinën e Papës, që ishte edhe e Rrethit, shkohej për të marrë supën e Atit të Shenjtë. Sot, të varfërit kanë një fytyrë të re: më parë kishte shumë ekstrakomunitarë; ndërsa tani, kemi shumë italianë. Për shkak të krizës nuk ia dalin dot më, nuk arrijnë në fund të muajit.
Sipas jush, për çfarë kanë nevojë më shumë këta njerëz?
Do të thosha se kanë nevojë për gjithçka! Kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, pra për një pjatë gjellë, që s’kanë para ta blejnë, por kanë nevojë edhe për dashurinë, për solidaritetin e bamirësinë tonë. Tek ne e ndjejnë veten si në shtëpi.
Të dielën e kaluar u kremtua Dita vjetore për bamirësinë e Papës. Rrethi është pjesë aktive në të, apo jo?
Rrethi mbledh atë, që më parë quhej “Lëmosha e Shën Pjetrit” e sot quhet “Lëmosha për bamirësinë e Papës”. Edhe këtë vit, rreth 150 anëtarët e Rrethit mblodhën ofertat në katër bazilika papnore këtu në Romë, në datat 28-29-30 qershor. Këtyre u shtohen ofertat e famullive e pastaj, shuma i jepet Atit të Shenjtë gjatë audiencës së përvitshme të Papës me Rrethin e Shën Pjetrit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama