HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-02 14:55:32
A+ A- Printo artikullin



Papa: të ikim nga mëkati pa na marrë malli e të jemi të fortë, në ligështi



I krishteri është i thirrur të jetë i guximshëm në ligështinë e tij. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se nganjëherë duhet ta pranojmë që jemi të ligshtë, prandaj duhet të ikim nga mëkati pa keqardhje e pa e kthyer kokën pas. Në Meshën, bashkëkremtuar nga kardinali Manuel Monterio de Kastro dhe imzot Beniamino Stela, mori pjesë edhe një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh të Gjykatës së Pendestarisë Apostolike dhe një tjetër, i Akademisë Papnore Kishtare.

Të veprosh ngadalë, të ecësh duke kthyer kokën mbrapa, të kesh frikë t’i drejtohesh Zotit, hirit të Shpirtit Shenjt. Në homelinë e sotme, Papa Françesku e mori shtytjen nga Leximet liturgjike, për t’u ndaluar mbi katër sjelljet e mundshme në situata të ngarkuara me konflikte. Në çaste të vështira. Sjellja e parë është ajo e ‘ngadalësisë’ së Lotit. Ai, vërejti Papa, kishte vendosur ta linte qytetin, para se të rrënohej, po këtë e bën dalë-nga-dalë. Engjëlli e nxit të ikë një orë e më parë, por ai ngurron, nuk e ka të lehtë të shkëputet nga e keqja, nga mëkati. Edhe ne, shtoi Papa, duam të ikim. Jemi të vendosur, por diçka na pengon, na tërheq mbrapa. E kështu Loti nis të diskutojë deri me Engjëllin:
Është shumë e vështirë ta këputësh çdo lidhje me një gjendje mëkatare. E vështirë! Edhe kur tundohesh, është vështirë! Po zëri i Zotit të thotë këtë fjalë: ‘Ik!’. Ti nuk mund të luftosh aty, sepse zjarri e squfuri do të ta marrin frymën. Ik, pra!’. Shën Terezina e Krishtit Fëmijë na mëson se disa herë, në çaste tundimesh, e vetmja mënyrë është të ikësh e të mos kesh fare turp nga ikja; ta pranojmë se jemi të ligshtë e duhet të ikim. E populli ynë, në urtinë e tij, thotë paksi me tallje: ‘Ushtari që ikën, duhet për një luftë tjetër’. Të ikësh, për të ecur përpara në rrugën e Jezusit”.
Engjëlli, shtoi, thotë të mos e kthesh kokën mbrapa, të ikësh duke shikuar vetëm përpara. Këtu, vijoi Papa, vlen këshilla për ta mundur mallin për mëkatin. Të mendojmë për popullin e Zotit në shkretëtirë, nënvizoi Ati i Shenjtë, për premtimet, për gjithçka ka të bëjë me daljen nga skllavëria, në liri. E pra të ikurit i mori malli për qepët e Egjiptit. Harruan se këto qepë i hanin në sofrën e skllavërisë. Patën mall. Mall për t’u kthyer mbrapsht. E këshilla e engjëllit, shtoi Papa, ishte tejet e urtë. Mos shiko mbrapa! Ec përpara! Nuk duhet të bëjmë si gruaja e Lotit; duhet ta flakim çdo mall, çdo keqardhje, e edhe tundimin e kureshtjes, për të parë ç’po ndodh mbas shpinës sonë:
“Përballë mëkatit, të ikim, pa na marrë malli për të. Kureshtja nuk duhet gjë, bën keq!’. Po, si t’ia bëjmë, në këtë botë kaq mëkatare? E si do të jetë ky mëkati? Dua ta njoh....’. Jo, lëre! Kureshtja të bën keq. Ik e mos shiko mbrapa! Jemi të ligshtë, të gjithë, e duhet të mbrohemi. Situata e tretë është mbi barkë: frika. Kur deti trazohet nga stuhia e barka tundet e shkundet nga dallgët-mal: ‘Shpëtona, Zot, jemi të humbur’ – thonë ata. I kap frika! Edhe ky është tundim i djallit: të kesh frikë për të ecur përpara në rrugën e Zotit”.
Por duhet kujtuar edhe një tundim tjetër. Ai, që të pëshpërit në vesh: ‘Është më mirë të rri këtu, ku jam i sigurt’. Po ky, sqaroi Papa, është Egjipti i skllavërisë! ‘Kam frikë të ec përpara, shtoi Papa, kam frikë të shkoj atje, ku do të më çojë Zoti’. Por frika nuk është këshilltar i mirë. Jezusi, shtoi Shenjtëria e Tij, shumë herë na thotë: “Mos kini frikë! Frika nuk na ndihmon”. Kur Jezusi e fashit detin e trazuar, dishepujt në barkë mbeten me gojë hapur. Gjithnjë, kur jemi para mëkatit, para mallit, para frikës, tha Papa, duhet t’i drejtohemi Zotit: “Duhet ta shikojmë Zotin. Ta kundrojmë Zotin. Kjo na e krijon mahnitjen e bukur të një takimi tjetër me Zotin. O Zot, kam këtë tundim: dua të mbetem në këtë gjendje mëkati; kam kureshtje të di si janë këto gjëra. E pastaj thua: ‘Zot, kam frikë!’. Si dishepujt që, sa e panë Zotin, bërtitën: ‘Na shpëto, o Zot, jemi të humbur’. E u mahniten nga takimi i ri me Jezusin. Nuk jemi të leshtë, as të vaktë, jemi kreshnikë, guximtarë. Jemi të ligshtë, por duhet të jemi guximtarë në ligështi. E guximi ynë shumë herë duhet të shprehet duke ikur, pa kthyer kokën mbrapa, për të rënë në mallin e keq. Mos kini frikë ta shikoni gjithnjë Zotin!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama