HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Ekumenizmi >  2013-07-02 14:57:50
A+ A- Printo artikullin



Serbi: nunci në Beograd, imzot Antonini, mbi kremtimet për 1700-vjetorin e Ediktit të Kostandinit.



Në Serbi, të gjitha nismat katolike për kremtimin e 1700-vjetorit të Ediktit të Kostandinit do të jenë nën shenjën e ekumenizmit. E nënvizon këtë, nunci apostolik në Beograd, imzot Orlando Antonini, që shpjegon edhe vlerën e këtij përkujtimi historik për thellimin e dialogut ekumenik në Serbi dhe në të gjithë rajonin ballkanik. E intervistuam:

Pyetje: - Imzot Antonini, ç’vlerë kanë kremtimet kushtuar Ediktit të Kostandinit, lidhur ngushtë me dialogun ekumenik në Serbi?

Përgjigje: - Këto kremtime mund të ishin një hap i madh përpara në dialogun ekumenik si dhe në rrugën drejt bashkimit. Kur arrita në Serbi, në vitin 2009, qarkullonte një ide madhështore: flitej për t’i mbledhur, në vitin 2013, me rastin e 1700-vjetorit të Ediktit, në Nish, vendlindje e Kostandinit, të gjithë krerët e krishterë. Në radhë të parë do të ishin Papa, patrikët ortodoksë dhe liderët e konfesioneve protestante historike. Mendohej se rasti e vendi gjeografik mund të ishin zona asnjanëse më e përshatshme për një takim të tillë historik. Pastaj, kur nisi të kalohet në ‘por’, u vërejt se sektorë të ndryshëm të shoqërisë serbo-ortodokse, për shkak të problemeve historike ende të pazgjidhura ndërmjet serbëve e kroatëve lidhur me masakrat e kryera nga regjimi ustash gjatë Luftës II Botërore, iu kundërvunë idesë së ardhjes së Papës me këtë rast: më parë Papa të lypë falje, ngulmonin - sepse i binin shkurt punës, duke e ngarkuar Kishën katolike me përgjegjësinë e krimeve – e pastaj mirë se të vijë.
Natyrisht sektorë të tjerë mbajnë qëndrime të ndryshme; madje mund të them se pjesa kryesore e Kishës serbe do të ishte dakord për ardhjen e Papës; por për arsye urtie, për të shmangur rrezikun e përçarjes në gjirin e vet, e edhe për të mënjanuar vështirësitë në gjirin e Ortodoksisë, në përgjithësi, Kisha serbe nuk ka arritur miratimin e mjaftueshëm, që të kryhet vizita e të jetë e frytshme për të dyja palët. Tani jubileu i Ediktit po kremtohet veçmas nga secila Kishë, me nismat e veta, por duke i ftuar edhe përfaqësuesit e të tjerave. Në kremtimet ortodokse kryesore, që do të mbahen tetorin e ardhshëm, për shembull, do të jenë të ftuar personalitetet më të larta, edhe Papa, ndonëse jo në mënyrë të përcaktuar. E çuditshme, pastaj, që në Serbi ishte vetë Presidenti i Republikës, Nikoliç, ai që i mblodhi bashkë Kishat, siç pati bërë Kostandini në Koncilin e Nikesë, në vitin 325: themeloi Komitetin Kombëtar, që kryesohet nga Kreu i Shtetit, me bashkëkryetar Patrikun Irenej e me anëtarë edhe Kishën katolike si dhe bashkësitë protestante vendase. Mbeti e parealizuar, ajo që mendohej, por diçka u bë. Nuk e di si qe kremtuar në vitin 1913, 1600-vjetori i Ediktit, por besoj se nuk ishte më ekumenik se ky i vitit 2013. Një hap, herë pas here. Ndoshta më 2113, për virtyt të Shpirtit Shenjt e me ndërmjetësinë e Kostandinit e të Shën Helenës, do të mundemi ta kremtojnmë të gjithë së bashku, në një Kishë sërisht të pandarë, 1800 vjetorin e Ediktit të Milanos.

Pyetje: - Cili është mesazhi, që i kumton ky dokument ditëve tona, kur përçarjet vijojnë akoma në gjirin e botës së krishterë?

Përgjigje: - Ndoshta nuk theksohet mjaftueshëm se Edikti i Milanos jo vetëm që sanksionon lirinë e fesë për të krishterët, por edhe, e sidomos, lirinë e ndërgjegjes për të gjithë. Shihet qartë atje, ku lexojmë: “...in primis ordinanda esse credidimus ... ut daremus et Christianis et omnibus liberam potestatem sequendi religionem quam quisque voluisset...”. (... para së gjithash e quajtëm për detyrë ... t’u japim, si të krishterëve, ashtu edhe të gjithëve, mundësinë e lirë për të ndjekur fenë, që dëshirojnë). Sot liria e ndërgjegjes, për mua, është mesazhi më kuptimplotë i dokumentit të vitit 313. Sepse është pikërisht liria e ndërgjegjes, ajo që nuk njihet kudo nëpër ligjshmëritë. Ka shtete që, siç dihet, parashikojnë akoma dënimin me vdekje për qytetarët, që duan të ndërrojnë fe, e ka zona, në të cilat bëhet gjithnjë më e vështirë t’i jetosh e t’i praktikosh vlerat e krishtera. Sipas meje, kjo do të jetë pika kryesore e dialogut me Islamin, nga njëra anë, e nga ana tjetër, problemi më i mprehtë lidhur me kombet e Perëndimit të shekullarizuar, ku po përvijohet një revolucion antifetar e posaçërisht antikrisian, i cili gjen shprehjen e vet deri në ligjet që i detyrojnë besimtarët të heshtin, kur duhet të flasin për vlerat e tyre e të bëjnë praktika në kundërshtim me vizionin e tyre etik e moral. Ndoshta do të na duhet të përgatitemi për t’i bërë ballë një periudhe të re persekutimi. Në shekujt e parë gjaku i të krishterëve i detyroi pushtetet politike të atëhershme t’i modifikojnë ligjshmëritë përsa i takon lirisë fetare, edhe pse të krishterët ishin të bashkuar. Prandaj është e nevojshme që sot, pikërisht për ta zbatuar plotësisht Ediktin e Milanos në nivelin e lirisë së ndërgjegjes, të krishterët e të gjitha konfesioneve duhet t’i kapërcejnë përçarjet e tyre, për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të shoqërisë moderne.

Pyetje: - Ç’rëndësi ka bashkimi shpirtëror i të krishterëve për mënjanimin e dramave, si ato që jetuan në historinë e kohëve të fundit Republikat ballkanike?

Përgjigje: - Duhet thënë se dramat e historisë në Ballkan burojnë nga kundërvëniet etnike e politike, që çojnë në kundërvënie fetare ndërmjet të krishterëve e myslimanëve nga njëra anë, e ndërmjet vetë të krishterëve, nga ana tjetër: praktikisht, ndërmjet serbëve ortodoksë e kroatëve katolikë. Kjo kundërvënie është nga më të ndërlikuarat e Planetit, një lëmsh, që s’i gjindet filli e që ka nisur të ngatërrohet përpara se të fillonin masakrat kundër serbëve në Luftën II Botërore. Kundërvënia i ka rrënjët në dhjetvjeçarët e ndoshta-ndoshta, në shekujt e mëparshëm. Çdo lloj studimi historik lidhur me këtë, kam frikë se nuk do të arrijë kurrë të sqarojë cila është e vërteta, nuk do të na e tregojë kurrë, siç thuhet, se ‘kush e nisi sherrin i pari’. Prandaj uniteti shpirtëror i të krishterëve është jo vetëm i rëndësishëm, por edhe themelor, si e kujtuat edhe ju, për të shmangur rrezikun e dramave të tjera, po aq të dhimbshme, sa ato, që lanë pas një vazhdë tragjike gjaku. Vetëm ky unitet shpirtëror i të krishterëve mund të tërheqë përsëri vëmendjen e tyre mbi vlerat kryesore ungjillore, si dashuria për armikun, ‘thelb i revolucionit të krishterë’, siç ka thënë Benedikti XVI, e prej këndej, edhe falja për fyerjet.
Të paktën për të krishterët, qofshin ortodoksë apo katolikë, këto dy shtylla të mesazhit të Krishtit duhet të jenë imperativ i pakundërshtueshëm. Nëse nuk zbatohen, druhem se në Ballkan do të nisin të enden fantazma të reja, të dala nga tragjeditë e vjetra e sherri nuk do të marrë fund deri në Gjyqin e Mbramë. Prej këndej, ka shumë rëndësi që të gjithë vendet ballkanike të hyjnë në Evropë: në këtë kuadër politik më të gjerë se ai i tyre, mund të favorizohet krijimi i një shoqërie shumetnike në të cilën çdo anëtar jo vetëm që do të mund të bashkëjetojë paqësisht me të tjerët, por edhe t’i bashkojë aftësitë e veçanta në shërbim të së mirës së përgjithshme. Dashtë Zoti i historisë, që kjo të bëhet realitet.

Pyetje: - Cilat janë nismat kryesore të këtyre kremtimeve?

Përgjigje: - Bah, mbi të gjitha çdo dioqezë ka programuar si kremtime kishtare, ashtu edhe kulturore. Për shembull, në maj, kryedioqeza e Beogradit e ajo e Gjakovo-s, në Kroaci, organizuan një Simpozium, kushtuar Kostandinit dhe lirisë fetare. Simpoziumi nisi në Srjem, qytet i Shën Jeronimit, ku u edukua Perandori Kostandin, e përfundoi në Beograd. Kremtimi kryesor do të mbahet në Nish, më 20 e 21 shtatorin e ardhshëm. Në të do të marrë pjesë e do të flasë edhe kryeipeshkvi i Milanos, Kardinali Anxhelo Skola. Veprimtaria do të hapet me një Udhë Kryqi nëpër rrugët e qytetit, në kujtim të Kryqit të Krishtit, zbuluar në Jeruzalem nga Nëna e Perandorit, Shën Helena e edhe të Kryqit, që iu duk Kostandinit natën para betejës së Ponte Milvios, në vitin 312. Do të përfundojë me një bashkëkremtim në Stadiumin komunal. Duke pasur parasysh përqindjen shumë të ulët të katolikëve në Serbi (5%, përqendruar kryesisht në veri, në Vojvodinë, jo në kryedioqezën e Beogradit), Kisha vendase u ka bërë thirrje dioqezeve të vendeve fqinje edhe Veprës Romake të Shtegtimeve, që të nisin në drejtim të Nishit, shtatorin e ardhshëm, sa më shumë shtegtarë. Edhe unë po bëj thirrje nga Radio Vatikani: ejani në Nish, në shtator, për të kremtuar Kryqin, nëpërmjet të cilit u shëlbua mbarë bota, shenjë e dashurisë hyjnore për njeriun, që i kapëcen kufijtë e mendjes njerëzore.
Përsa u përket veprimtarive kulturore, parashikohet veçanërisht një ekspozitë, që do të hapet në tetor, në Krahun e Karlit të Madh, në Vatikan, me objekte arkeologjike romake të Muzeut Kombëtar të Beogradit, ndërsa më 8 tetorin e ardhshëm, në Beograd, do të shfaqet Opera ‘In Hoc Signo” kushtuar jetës së Kostandinit, me libret të drejtorit të sotëm të Operës së Beogradit, Dejan Miladinoviç, serbo-ortodoks, e muzikë të imzot Marko Frizinës. Siç shihet, nismat synojnë të kenë ngjyrime të theksuara ekumenike.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama