HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-07-03 14:53:11
A+ A- Printo artikullin



Sipas OKB-së, mund të përgjysmohet numri i të uriturve në botë e të arrihet objektivi i Mijëvjeçarit



OKB-ja mendon se mund të arrihet objektivi i Mijëvjeçarit, sipas të cilit numri i të uriturve në botë duhet përgjysmuar brenda vitit 2015. Që nga vitet ’90 e deri më sot, përqindja e njerëzve me ushqim të pamjaftueshëm është ulur nga 23,2% në 14,9%. E kjo, pavarësisht nga kriza globale. Intervistuam kreun e misionit të Selisë së Shenjtë pranë FAO-s (Organizata për Bujqësinë e Ushqimin), Vincenzo Buonomo:
Që gjatë konferencës së FAO-s, javën e kaluar, doli në dritë se 18 vende kanë arritur nivelin e mjaftueshëm të ushqimit të popullsisë, prandaj gjysma e njerëzve, të cilët në një farë mënyre, vuajnë nga uria, janë çliruar nga kjo peshë e rëndë. Kësaj i shtojmë faktin se 20 vende të tjera janë gati ta arrijnë këtë objektiv rreth 1000 ditë para afatit të 2015-ës. Del kështu në pah vullneti politik për të zbatuar këshillat e FAO-s, të OKB-së, përsa i përket prodhimit dhe shpërndarjes. Është punuar shumë me aspektin e fundit, pasi uria ka në bazë probleme ekonomike, por edhe probleme, që rrjedhin nga konflikte e fatkeqësi natyrore, që e pengojnë ushqimin të arrijë tek popullsia.
Shumë “ekspertë” e alarmuan botën , duke mbrojtur tezën se shtimi i popullsisë do të sillte probleme të jashtëzakonshme për ushqimin. Ndërsa, sipas statistikave tuaja, shtimi i popullsisë sjell madje zhvillim ekonomik, apo jo?
Çështja është shumë e qartë nga pikpamja e numrave. Sipas statistikave të FAO-s, prodhimi aktual botëror i ushqimeve është në gjendje të shuajë urinë e dyfishit të popullsisë aktuale. Madje, një e treta e prodhimit nuk përdoret për ushqim: ose hidhet, ose përdoret për qëllime të tjera. Le të mendojmë, për shembull, vetëm çështjen e prodhimit të disa biokarburanteve… Gjithashtu, gjatë kohëve të fundit, po kthehet ideja e investimit në bujqësi, pasi është e nevojshme që prodhimi botëror të ruajë ritmin. Kjo duhet parë në një kuadër më të gjerë, në të cilin ndihma publike për zhvillimin pakësohet vazhdimisht. Vetëm në vitin e fundit ajo është ulur me 13% e kjo do të thotë se vetëm pak fonde përdoren për investimet në bujqësi.
Cilat janë vendet, ku popullsia vuan akoma nga uria?
Flasim për 870 milion të uritur në botë e për rreth 2 miliard e gjysëm të ushqyer keq. Në veçanti, gjendje krize kemi në zonën e Afrikës subsahariane dhe të Bririt të Afrikës. Ka vështirësi aty-këtu në Azinë Juglindore, ndërsa përmirësohet gjendja në zonën e Kaukazit, e cila ishte problematike për mungesën e ushqimeve. Çështja është se akoma preken fashat më të brishta të popullsisë, si fëmijët, gratë e pakicat, që shpesh përjashtohen nga shpërndarja e ndihmave.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama