HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-04 11:35:00
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Dekreti konciliar "Unitatis Redintegratio"



Të dashur dëgjues, vazhdojmë t’ju njohim me dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, përpjekje e Kishës Katolike për të interpretuar me frymë të re shenjat kohëve. “Shenja” e parë, themelore, e pamohueshme, është dekreti konciliar “Unitatis Redintegratio”.
U bë i njohur më 21 nëntor 1964, me 2137 vota “pro” dhe vetëm 11 vota “kundër”. Është, në fakt, akti zyrtar me të cilin fillon impenjimi ekumenik i Kishës Katolike, që braktis qëndrimin e saj tradicional në pritje të “kthimit” të jo katolikëve në gjirin e saj dhe deklaron se impenjohet për rivendosjen e bashkimit ndërmjet gjithë të krishterëve. Jo vetëm: “Unitatis Redintegratio” thekson se: të gjithë ata që besojnë në Krishtin dhe kanë marrë pagëzimin kanë hyrë në një lloj bashkimi, megjithëse jo të përsosur, me Kishën Katolike. Pastaj, katolikët duhet të dinë të njohin e të vlerësojnë vlerat e vërteta të krishtera, të pranishme në Kishat e tjera.
“Unitatis Redintegratio” njeh zyrtarisht, për herë të parë, vlerën e lëvizjes ekumenike që ekziston tashmë jashtë Kishës Katolike. Më tej, e konsideron ekumenizmin si frytin e një kthimi të vërtetë të Kishës kah Zoti dhe nxit impenjimin e katolikëve për të studiuar, informuar, lutur që të arrijnë njohuri më të mëdha në fe sëbashku me jo katolikët. Së fundi, në dekret pohohet se ndarjet e disa skizma u realizuan jo pa fajin e njerëzve nga të dyja palët. Vetë Papa Pali VI thotë: “Nëse ne kemi faj për një ndarje të tillë, i kërkojmë përvuajtërisht falje Zotit”. Kjo është pika nga ku fillon rruga e gjatë, e vështirë e Ekumenizmit, nga e cila nuk mund të hiqet dorë.
Pak muaj pas atij dokumenti historik, më 25-27 gusht 1965 fillon dialogu teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Federatës Luterane Botërore, me takimin e grupit të përzier në Strasburg. Tashmë ka filluar procesi i njohjes së anasjelltë. Teologë, rregulltarë, njerëz të kulturës i lënë pas mosbesimet e dyshimet dhe ecin në rrugën e dialogut dhe të përvojës së përbashkët të fesë e të lutjes. Oskar Kullman, pastor i reformuar francez, profesor në Universitetin e Bazilesë dhe në Sorbonë është njëri prej tyre. Pohon: “Është një privilegj i veçantë fakti se kam marrë pjesë, si i ftuar personal dhe si vëzhgues protestant, në Koncilin II të Vatikanit dhe kam jetuar me etërit konciliarë ditë për ditë”.
Tezé, “ajo pranverë e vogël”, siç i pëlqente ta quante Gjonit XXIII, karakterizohet që nga fillesat e saj për përmasën ekumenike. Rozher Shutc, me origjinë zvicerane, ka lindur në një familje protestante. Në vitin 1940 themelon bashkësinë e Tezèsë, një fshat shumë i vogël, jo larg Sitosë e edhe më afër Klënisë. Në Tezè, burra dhe gra, të ndryshëm për nga gjuha, raca, kultura, besimi i krishterë, kërkojnë sëbashku Zotin, eksperimentojnë forcën shëlbuese të pajtimit, ndjejnë urgjencën t’i shërbejnë atij, që është më i varfër e më i baktisur. Sot, bashkësia e Tezèsë përbëhet nga rreth njëqind vëllezër, prej 26 kombesh të ndryshme. Çdo javë zhvillohen takime që regjistrojnë nga një minimum prej 500 deri në një maksimum prej 6 mijë pjesëmarrësish, të ardhur nga 70 vende të ndryshme.
7 dhjetor 1965: në prag të mbylljes solemne të Koncilit, një tjetër akt historik: shfuqizimi i shkishërimeve (mallkimeve) reciproke ndërmjet Kishës së Romës dhe asaj të Kostandinopojës, në zanafillë të Skizmës dramatike të vitit 1054. Deklarata solemne e Palit VI dhe Atenagorës I lexohet publikisht e njëkohësisht, në Romë dhe në Stamboll. Pali VI dhe Atenagora I deklarojnë kështu sëbashku: “Duam t’i zhdukim nga kujtesa e nga mesi i Kishës, vendimet e shkishërimit të vitit 1054, kujtimi i të cilave deri në ditët tona, ka qenë si një pengesë në afrimin ndërmjet nesh me dashuri, e duam t’i lëmë në harresë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama