HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-07-04 13:08:05
A+ A- Printo artikullin



Adli Mansur është presidenti i përkohshëm i Egjiptit, pas puçit, që rrëzoi kreun e Vëllezërve Myslimanë



Kryetari i Gjykatës Kushtetuese egjiptiane, gjykatësi Adli Mansur u betua sot si president i ri i Egjiptit. Ky është rezultati i parë i puçit të djeshëm, që e çoi presidentin e mëparshëm Mohamed Morsi në arrest shtëpiak, pezulloi Kushtetutën dhe hapi udhën për zgjedhje të parakohshme. Adli Mansur u betua edhe si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë, në të cilën, për ironi të fatit, e kishte caktuar përkohësisht pikërisht Morsi. 67 vjeç, baba i tre fëmijëve, presidenti i ri ka studiuar në institutin prestigjoz francez “Ecole Nationale d’Administration” e ka qenë funksionar edhe në regjimin e Mubarakut.
Ndërkaq, bilanci i ndeshjeve të djeshme flet për së paku dhjetë viktima e bashkësia ndërkombëtare shikon me shqetësim e dyshim si zhvillohen ngjarjet. Imami i madh i Al-Azharit, Papa i koptëve, Tauadros II dhe zëdhënësi i opozitës, Mohamed El-Baradei janë ngarkuar të mblidhen për të gjetur udhën e daljes nga kriza, një lloj “roadmap”, ku të përfshihen edhe të rinjtë kryengritës të lëvizjes “Tamarrod”. Kjo rrugë mund të parashikojë një periudhë tranzicioni, që do të ndiqet nga zgjedhjet presidenciale e legjislative dhe nga formimi i një qeverie teknike. Pas lajmit për “road map”, u vu zhurmues në sinjalin e disa rrjeteve televizive të Vëllezërve Myslimanë dhe të dy emitenteve salafite. Forcat e sigurisë arrestuan personelin e rrjetit të Katarit, al-Zhazira. Është lëshuar edhe një mandat-arresti për kryetarin dhe zëvendësin e partisë së Vëllezërve Myslimanë. Si duhen interpretuar ngjarjet e fundit? Pyetëm pedagogun e Islamit bashkohor në Universitetin italian të Trentos, Masimo Kampanini:
Shkruhet një faqe e shëmtuar në historinë e Egjiptit. Pavarësisht se opozita në sheshe ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake interpreton vullnetin e popullit, mendoj se largimi i presidentit nga ana e ushtrisë është puç, pasi Morsi është zgjedhur me rrugë demokratike. Mund të mos na pëlqejë, por këto janë rregullat e demokracisë. E ushtarakët vështirë se mund të paraqesin kredenciale demokratike: ndërhyrja e tyre mbetet autoritare e shqetësuese. Ekziston rreziku që Vëllezërit Myslimanë të mos qëndrojnë duarkryq, por mendoj se nuk do të arrijnë deri në luftë civile.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama