HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-05 12:56:59
A+ A- Printo artikullin



Imzot Tomazi Ecosoc: të përdoret teknologjia me përgjegjësi etike



“Teknologjia duhet përdorur me përgjegjësi etike, që t’u hapë rrugën formave të solidaritetit të vërtetë në dobi të vendeve më të varfëra”: këtë pohoi imzot Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës. Prelati foli në takimin e nivelit të lartë të Këshillit ekonomik e shoqëror të Kombeve të Bashkuara (Ecosoc), kushtuar temës: “Shkenca, teknologjia, shpikjet e reja dhe mundësitë e kulturës për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm”. Përhapja e njohurive shkencore dhe përdorimi i teknologjisë moderne ndër kombet në rrugë zhvillimi, tha imzot Tomazi, janë bërë tashmë komponente morale të së mirës së përbashkët. Aq më tepër, vijoi prelati, po të kemi parasysh se sot zhvillimi i popujve konsiderohet gabimisht vetëm si argument thjesht teknik, i lidhur me tregun ose me investimet prodhuese: të gjithë, faktorë me rëndësi të madhe, pohoi imzot Tomazi, por pa harruar se progresi thjesht ekonomik e teknologjik është i pamjafueshëm, sepse zhvillimi duhet të jetë i vërtetë e i gjithanshëm e duhet të përfshijë të gjitha aspiratat e njeriut, që mbetet burim kryesor e protagonist i domosdoshëm i tij. Zhvillimi nuk mund të realizohet pa njerëz të ndershëm, shtoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, pa financierë e politikanë, ndërgjegjja e të cilëve është në përkim të plotë me të mirën e përbashkët. Prej këndej, thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare që të përkufizohet përsëri zhvillimi i qëndrueshëm, duke u mbështetur mbi tri shtylla; ekonomike, ambientale e shoqërore. Vetëm kështu mund të bëhet rrugë vërtet e suksessheme për të luftuar varfërinë e për të përmirësuar jetën e popullsive botërore. Së fundi imzot Tomazi u ndalua tek rëndësia e kulturës, duke pohuar se pa kulturë, asnjë njeri nuk mund ta përdorë plotësisht fjalën, arsyen e edhe lirinë. Prandaj lidhjet ndërmjet kulturës e zhvillimit, duhen parë në mënyrë dialektike e jo deterministike, sepse kultura është burim strategjik për zhvillimin e vërtetë njerëzor, që duhet të përfshijë edhe mbrojtjen e dinjitetit e të lirisë individuale, shoqërore, politike si dhe të të drejtave të njeriut.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama