HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-06 13:03:40
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit “C”



Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë. Tema kryesore që përshkon leximet biblike të liturgjisë hyjnore të kësaj së diele, është ‘misioni’ i përbashkët i të gjithë të pagëzuarve. Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton se veprat e Hyjit duhen shpallur, përhapur për të mirën, gëzimin e ngushëllimin e mbarë njerëzimit. Krishti i thërret e dërgon të gjithë njerëzit për të sjell e përhap Lajmin e Mirë të shpresës tek çdo njeri e vend. Të jesh dishepulli Jezusit do të thotë vihesh në shërbim të Mbretërisë së Hyjit, ‘mbretëri’ që pikërisht në Krishtin është afruar e bërë e mundur për secilit njeri. Besimi në Mbretërinë e Hyjit kërkon prej nesh guximin për përhapjen e Ungjillit në çdo situatë të jetës. E ky mision kërkon përvujtëri, guxim, qëndresë, zell e përzemërsi për të bërë çdo ditë diçka të bukur për Zotin, sidomos me dëshminë e jetës sonë. Fjala e Zotit dhe Eukaristia që kremtojmë e përforcon në ne këtë bindje.
Prandaj nga liturgjia e kësaj së diele të gjithë jemi të ftuar të kthehemi idealisht tek Pagëzimi ynë për të ri-zbuluar thirrjen e për ta ndie veten në botë kumtuesë të butë e dëshmitarë të fortë të Ungjillit që shpëton. Në botën e sotme është shumë vështirë të jesh një krishterë koherent, është vështirë të jetosh në përkim me Ungjillin në mjedise shoqërore ku shpesh ndeshim në moskuptime e refuzime të porosisë ungjillore. Mirëpo edhe përkundra vështirësive e pengesave, Krishti na thërret e na dërgon të bartim e të kumtojmë Lajmin e Mirë të shpresës për të gjithë, në çdo rrethanë e mjedis të botës, me anë të predikimit të Kryqit.
Në të vërtetë, Mbretëria e Hyjit dëftohet e realizohet në personin dhe në veprën e Jezu Krishtit, sidomos në mundimet, vdekjen e ngjalljen e Tij. Me ngjarjen e Pashkëve realizohet pajtimi ndërmjet Hyjit e njerëzimit. Kumtimin e shpëtimit për të gjithë popujt, Jezusi ia beson veprimtarisë misionare të dishepujve të vet. Të jesh dishepull i Jezusit do të thotë të vihesh në shërbim të Mbretërisë së Hyjit që është mbretëri dashurie, vëllazërimi, paqeje e jete. Po, misioni nuk është cak as qëllim, por vetëm vegël, është instrument që mundëson që paqja e bekimi i Hyjit të depërtojnë e të mbërrijnë në çdo zemër njerëzore, në çdo familje e shtëpi.
Misioni Krishti u ka besuar dishepujve dhe ne dëshmimin e zbulimit të dashurisë së Hyjit të mishëruar e të plotësuar pikërisht në Të (Jezu Krishtin). E ky kumtim është edhe misioni që na besohet ndaj të tjerëve, misioni i pranimit të paqes e misioni i fesë që e liron njerëzimin nga skllavëria e djallit, e mëkatit dhe vdekjes, është misioni i jetës së pavdekshme në Krishtin Shëlbues. Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 66, 10-14
Profetët u kishin premtuar hebrenjve lumturi dhe siguri, si ajo që provon fëmija në krahët e nënës. Pas mërgimit do të lindte një popull i ri, që do të provonte një besim të ri në Hyjin e vet.
Por mërgimi kaloi dhe jeta mbeti e ashpër dhe e varfër. A ishte, pra, një iluzion paqja e premtuar? Shpresa e popullit mbeti e gjallë dhe e fortë, sepse betimi i Hyjit është gjithmonë i vlefshëm. Këmbëngulja jonë në shpresën është fytyra e dukshme e besnikërisë së Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij!
Sepse Zoti kështu po thotë: “Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë, porsi përrua vërshues pasuria e popujve. Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, përmbi gjunjë do t’ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj; në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.” Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat, dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij e felgrimi i tij mbi armiqtë e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 66

Veprat e Zotit janë të mëdha
----- ----- -----
Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme
janë veprat e tua!”
Le të të adhurojë mbarë toka
e le të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
----- ----- -----
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
----- ----- -----
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju
që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
----- ----- -----


Leximi i dytë Gal 6, 14-18

Fuqia shpëtimtare e kryqit vlen përgjithmonë dhe logjika e kryqit nuk është kurrë jashtë kohe. Nëse Jezusi ka dashur të na shpëtojë me kryqin, kjo do të thotë që kryqëzimi është rruga normale e shpëtimit. Të gjithë herët ose vonë do të thirremi në këtë provë të madhe dashurie, në të cilën njeriu arrin çlirimin e vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja, por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Pas tashti askush më të mos më trazojë, sepse unë mbar në trupin tim shenjat e Jezusit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete,
dhe na e besoi neve fjalën e pajtimit.
Aleluja

Ungjilli Lk 10, 1-12.17-20

Misionari shpall se Mbretëria është afër; nuk e bën vetëm me fjalë, por me mënyrën e tij të të sjellurit. Një dëshmi e tillë konsiston sidomos në varfërinë, që nuk është dhe aq një virtyt personal apo mungesa e mjeteve të nevojshme se sa një shenjë e gatishmërisë ndaj Ungjillit për shërbimin e vëllezërve. Jezusi dërgon të shtatëdhjetë e dy dishepujt për të treguar që lajmërimi misionar i Ungjillit është detyrë e të gjithë të krishterëve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni!
Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet, e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet.
Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thoni: ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë. Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’
Unë po ju them: Sodomasit do ta kenë më lehtë atë ditë se ai qytet.” Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” Fjala e Zotit!Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit mund të dëgjoni edhe këtu........... RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama