HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-06 13:30:51
A+ A- Printo artikullin



Me 7 korrik kalendari kujton shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit



Me 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit e Martir.
Për të gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir. Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë më lartë.
Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit të Durrësit.
Emri i Shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.
Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama