HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-06 13:30:29
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës



E diel 7 korrik Kisha katolike kremton të dielën e 14-të gjatë vitit, e gjithnjë më 7 korrik kalendari përkujton edhe shën Astin ipeshkëv të Durrësit e martir dhe shën Benediktin XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.

Të hënën më 8 korrik kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të shën Palit. Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlerë tërë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap të përditshëm.

Të martën më 9 korrik , kalendari përkujton shën Agostin Zhao Rong, meshtar e shokët e tij, martirë kinezë, shën Adrianit III papë dhe shën Veronika Gjulianin, abateshë, klarise kapuçine. Këto figura na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.

Të mërkurën më 10 korrik, kalendari përkujton shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet e shpirtit e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.

Të enjten më 11 korrik kalendari përkujton shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e të Shën Piut I papë. Liturgjia e ditës na kujton se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi të vërtetë në jetë. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti.

Të premten më 12 korrik kalendari përkujton shën Gjon Gualbertin, abat, themlues i Valombrozanëve dhe shenjtorët Naborin e Feliçin, martirë milanezë. Bashkësia apostolike e kupton mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin vet për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit.

Të shtunën më 13 korrik kalendari përkujton shën Enrikun II perandor, shën Esdrën, skribë e shën Silën, nxënës i shën Palit. Liturgjia e ditës na kujton se misioni i nxënësit nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht si delja në mes të ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen papritmas në armiq për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen, që s’dihet nga ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti i Atit qiellor.

Të dielën e ardhshme më 14 korrik , Kisha katolike do të krmetojë të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 14 korrik kalendari përkujton edh shën Kamilin de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve. Liturgjia e Fjalës së Zotit na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama