HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-07 16:59:57
A+ A- Printo artikullin



Ati i Shenjtë në takimin me seminaristët e novicët: Do të desha një Kishë më misionare



Dje pasdite, duke u takuar me të rinjtë, që përgatiten për jetë meshtarake e rregulltare, në Sallën e Palit VI, në kuadrin e Vitit të Fesë, Papa i porositi të japin kontributin për një Kishë besnike ndaj udhës, ku na prin Jezusi, të jenë kundrues e misionarë.

Ishte dialog i atit me bijtë, biseda e pasur me mendime, që Papa Françesku u dhuroi seminaristëve, novicëve e noviceve si dhe të rinjve, që janë për udhë vokacionale, mbledhur dje pasdite në një sallë plot ngrohtësi, në sa jashtë qielli mbulohej me re, për të lëshuar, pastaj, një shtrëngatë të fortë verore. Në reflektimin e tij, Papa Françesku u ndalua tek dhurata e përgjigjes, që të rinjtë i japin Zotit, tek ajo ‘po’- e ‘përgjithmonë’, me porosinë që të ruhen fort nga rreziku i përhershëm i kulturës të së përkohshmes:
“Unë nuk ju qortoj ju, qortoj këtë kulturë të së përkohshmes, që na dëmton të gjithëve, sepse nuk na bën mirë: më parë kultura favorizonte zgjedhjen e një rruge përfundimtare, si për jetën familjare, ashtu edhe për atë rregulltare e meshtarake. Por në këtë epokë nuk është aspak e lehtë zgjedhja e një rruge përfundimtare. Jemi viktima të kulturës të së përkohshmes”.
Thirrja, shtoi Papa, është para së gjithash gëzim, që nuk lind nga blerja e smartphon-it më të ri, scotter-it më të shpejtë, modës më të fundit:
“Po unë, vërtet po ju them se më dhemb, kur shikoj ndonjë prift a ndonjë murgeshë me makinë të modelit të fundit: jo, nuk duhet! Nuk mund të bëhet! Besoj se makina është e nevojshme, sepse duhen bërë shumë punë e duhet të lëvizësh, por merrni një më të përvuajtur, e? E nëse ju pëlqen ajo, e bukura, mendoni sa fëmijë në botë vdesin nga uria. Vetëm këtë!”.
Gëzimi lind nga gjëra, që nuk kanë të bëjnë me këtë realitet, me të cilin jeni në lidhje të vazhdueshme e prandaj, nuk mund ta injoroni. Gëzimi lind nga zëri që t’i flet zemrës:
Duhet ta dëgjosh, kur të thotë: ‘Ti je i rëndësishëm për mua”, e jo doemos me fjalë. Është pikërisht kjo, që Zoti na bën ta kuptojmë. Duke ju thirrur, Zoti ju thotë: ‘Ti je i rëndësishëm për mua, të dua, besoj në ty’. Të kuptosh e të dëgjosh, kjo është e fshehta e gëzimit tonë. Ta ndjejmë se Zoti na do, ta kuptojmë se për të nuk jemi numra, por njerëz; ta ndjejmë se po na thërret. Të bëhesh prift, rregulltar, rregulltare, nuk varet kryesisht nga ne, por është përgjigje që i jepet një thirjeje, thirrje dashurie”.
I jepet plot gëzim. Gëzim, që është ngjitës, sepse nuk mund të jemi të shenjtë në trishtim. Gëzim, pra, tha Papa e në vijim u kujtoi të rinjve kushtin e pastrisë, çelibatin, rrugë, që fiton pjekurinë, në atësinë e amësinë baritore.
E kësaj porosi, Papa i shtoi një fjalë-kyçe: vërtetësinë, që është e natyrshme për të rinjtë e të rejat:
“... E ju të gjithëve ju vjen neveri, kur takoni në ne, priftërinj që nuk janë të vërtetë e murgesha, që nuk janë të vërteta”.
Në jetën e njeriut të kushtuar, vendin e parë e zë dëshmimi i Ungjillit, e pastaj, siç e thekson edhe Shën Françesku i Asizit, edhe fjalët. Vërtetësi e transparencë, prandaj, sidomos kur flisni me rrëfyesin, pa frikë se po bëni figurën e mëkatarit, sepse nga pendimi për mëkatin, buron hiri i plotë.
Por, kujdes, pohoi Papa, nganjëherë në bashkësitë përhapet zakoni për të folur larë e pa larë, për të shpërralluar tjetrin prapa shpine, për xhelozi, ambicje, zili. E pastaj shkohet tek eprorët, të cilëve u thuhen gjithnjë gjëra jo pozitive. Kjo nuk na ndihmon. Ta ndotësh tjetrin, është keq. E edhe më keq, ta marrësh nëpër gojë kot.
Në fund, dy porosi: të dalësh nga vetvetja për të takuar Jezusin në lutje e të dalësh për të takuar të tjerët.
Në fund, salla ushtoi nga Atyna e thënë në gjuhë të ndryshme të botës, me të njëjtën frymë e të njëjtin devocion: frymëmarrje e kor i zërave të Kishës universale.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama