HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-08 15:35:30
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Lampeduzë: kush qau për ata që vdiqën në det? Jo, globalizimit të indiferencës



Në mes të njerëzve të vuajtur, për të shkundur ndërgjegjet e për të mundur indiferencën, që na bën të pandjeshëm. Këtë dëshmoi Papa Françesku sot paradite, me vizitën e tij historike në Lampeduzë. Papa i ardhur ‘nga fundi i botës’, deshi ta kryejë shtegtimin e tij apostolik në një skaj të fundmë të Evropës, ku vuajtja e emigrantëve, në kërkim të shpresës, takohet me bujarinë e bashkësisë së ishullit. Çast kulmor i vizitës, sa të shkurtër, aq edhe të ngarkuar me emocione, ishte Mesha, kremtuar në “Arenë”, stadium i vogël i Lampeduzës, përplot me besimtarë e emigrantë, më se 12 mijë vetë.
Periferi, që bëhet qendër; të fundmit, që bëhen të parët. Është mrekullia e kryer nga Papa Françesku në Lampeduzë. Papa duhet të vinte këtu, e është ai vetë që flet për këtë dëshirë të zemrës. Duhet të shikonte, të dëgjonte, të përqafonte ata që vuajnë e që bëhen ditë për ditë ‘Samaritanë të mirë’ për më të fundmit. Në Meshë, nga podiumi, mund të shikonte skeletet e barkave të emigrantëve. E edhe kelku, amvona, elteri, ishin realizuar me drurin e barkave, që ditë për ditë prekin bregun e Lampeduzës. Janë simbole që, ashtu si paramentet, nënvizuan përmasën pendestare të kremtimit. Papa e nisi homelinë duke folur për arsyen, që e shtyu të vizitojë ishullin: tragjedia e fundme e emigracionit. Një lajm, tha, që ishte ferrë në zemër. Ferrë, që sjell vuajtje, të mendosh për këto barka, të cilat, në vend që të ishin udhë e shpresës, u kthyen udhë të vdekjes:
“E atëherë ndjeva se duhet të vija këtu sot e të lutesha, të kryeja një gjest afërsie, por edhe të rizgjoja ndërgjegjet tona, që të mos përsëritet kurrë më, ajo që ndodhi. Të mos përsëritet, ju lutem!”.
E menjëherë pas, Ati i Shenjtë kujtoi, me mirënjohje, të gjithë ata që, si në Lampeduzë, ashtu edhe në Linoza, i ndihmojnë shtegtarët drejt një jete më të mirë:
Ju jeni realitet i vogël, por jepni një shembull të madh solidariteti! Faleminderit!”.
E në vijim Papa falënderoi kryetarin e bashkisë së Lampeduzës, Gjusi Nikolini dhe kryeipeshkvin e Agrixhentos, Françesko Montenegro, për atë që bëjnë, për ndihmën, afërsinë baritore. Më pas shtoi:
Një mendim për emigrantët e dashur myslimanë, që po nisin agjërimin e Ramazanit, me urimin që t’u sjellë fryte të begata shpirtërore. Kisha është pranë jush, që kërkoni një jetë më dinjitoze, për vete e për familjet. Ju: O’Scià”.
Papa foli më pas për pyetjet, që lindin në ndërgjegjen e çdo njeriu, në çdo kohë, nga leximet e sotme. “Adam, ku je?”; “Kain, ku është yt vëlla?”. Me mëkatin, theksoi, merr fund harmonia e tjetri nuk është më vëlla, për t’u dashur, por thjesht ‘tjetri’, që të trazon jetën të cënon mirëqenien. Njeriu atëherë çorientohet, sepse ka humbur vendin e vet në gjithësi e beson se mund të bëhet i pushtetshëm, se mund të sundojë mbi gjithçka, se mund të jetë edhe Zot:
Shumë nga ne, duke përfshirë edhe vetveten, jemi të çorientuar, nuk jemi më të vëmendshëm ndaj botës, në të cilën jetojmë, nuk kujdesemi për të, nuk e ruajmë atë, që Zoti e krijoi për të gjithë e nuk jemi të aftë as ta ruajmë njëri-tjetrin. E kur ky çorientim merr përmasa botërore, ndodhin tragjedi, si kjo, që pamë”.
“Ku është yt vëlla?”, pyeti akoma Papa. Kjo, pohoi, nuk është pyetje drejtuar të tjerëve, por secilit nga ne:
“Këta vëllezër e motra tona deshën të dilnin nga situata të vështira, për të gjetur pak qetësi e paqe; kërkonin një vend më të mirë për vete e për familjet e tyre, por gjetën vdekjen! Sa herë e kërkuan këtë, nuk gjetën mikpritje, nuk gjetën solidaritet! E zërat e tyre arrijnë deri tek Zoti”.
Më pas Papa denoncoi me forcë veprimtarinë e trafikantëve, atyre, që shfrytëzojnë varfërinë e të tjerëve, duke e bërë burim pasurimi për vete. Duke kujtuar veprën spanjolle Fuente Ovejuna, vuri në dukje se edhe sot, si në komedinë e Lope de Vegas, kur pyetemi se kush është përgjegjës për gjithë këto tragjedi, përgjigjemi “të gjithë”, që do të thotë “asnjeri”:
Kush përgjigjet për gjakun e këtyre vëllezërve e motrave? Askush! Të gjithë ne. Përgjigjemi kështu: nuk jam unë, unë nuk hyj fare, janë të tjerët, unë, sigurisht jo. Po Zoti na pyet, secilin nga ne: ‘Ku është gjaku i vëllaut tënd, që bërtet deri tek unë?’. Sot askush në botë nuk e ndjen veten përgjegjës për këtë; kemi humbur ndjenjën e përgjegjësisë vëllazërore”.
Papa Françesku shtoi se kemi rënë në sjelljen hipokrite të prifitit e shërbyesit të elterit, për të cilin flet Krishti në shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Edhe ne, vërejti, e shikojmë vëllaun gjysëm të vdekur buzë udhe; ndoshta mendojmë me vete ‘qyqari ky’, e vijojmë rrugën tonë, duke e lënë aty, palmuç. S’është puna jonë! E me këto fjalë e ndjejmë veten krejt të larë:
Kultura e mirëqenies, që na shtyn të mendojmë vetëm për vete, na bën të shurdhër për britmën e të tjerëve, na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura, por nuk vlejnë dy para, janë iluzion i zbrazët i së përkohshmes, që çon në indiferencën ndaj tjetrit, madje çon në globalizimin e indiferencës. Në këtë botë të globalizimit kemi rënë në globalizimin e indiferencës! Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk na përket, nuk na intereson, nuk është puna jonë”.
Rikthehet, vijoi Papa, figura manzoniane e “Të paemrit’. Globalizimi i indiferencës, vërejti me keqardhje, na bën të gjithë ‘të paemër’, përgjegjës pa emër, pa fytyrë.
Papa Françesku bëri, më pas, pyetjen e tretë dramatike: “Kush nga ne qau për këtë fakt e për të tjerë si ky?”:
“Kush qau për vdekjen e këtyre vëllezërve e motrave? Kush qau për këta njerëz, që ishin në barkë? Për nënat e reja me fëmijë ngrykë’. Për burrat, në kërkim të ndihmës për familjet? Jemi një shoqëri, që ka harruar të qajë, të vuajë së bashku me tjetrin: globalizimi i indiferencës na i thau lotët. Nuk jemi më të aftë as për të qarë”.
Në Ungjill, vijoi, dëgjuam britmën e Rakeles, që qan për vdekjen e bijve. Herodi, nënvizoi, mbolli vdekjen, për të mbrojtur mirëqenien e vet, flluskën e vet të sapunit. E kjo përsëritet:
“T’i kërkojmë Zotit ta shlyejë përgjithmonë atë, që ka mbetur nga Herodi në zemrën tonë; t’i lypim Zotit hirin të qajmë mbi indiferencën, të qajmë mbi mizorinë, që është në botë e në zemrën tonë, e edhe në zemrat e ‘të paemërve’ , të cilët marrin vendime shoqërore-ekonomike, që i hapin udhën dramave, si kjo. ‘Kush qau?’. ‘Kush qan sot në botë?”.Papa e përfundoi homelinë duke i lypur falje Zotit për indiferencën ndaj vëllezërve e motrave, për anestezinë e zemrave, shkaktuar nga mbyllja në mirëqenien tonë. Të lypim falje, tha Papa, për të gjithë ata që, me vendimet e tyre në nivel botëror, krijojnë situata, që çojnë në drama të tilla.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama