HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-09 12:17:54
A+ A- Printo artikullin



Dom Nikollë Mini në përvjetorin e lindjes



Duke shfletuar kalendarin historik, më 9 korrik, përkujtojmë përvjetorin e lindjes së meshtarit monsinjor Nikollë Minit.
Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi, më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Dom Nikollë Mini shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i zgjuar, jashtëzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me Dom Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtorja e Zojës së Crnagore në Letnicë, në Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e Prizrenit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në altar, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin ndaj Kishës, për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën.
Figurë poliedrike, monsinjor Nikollë Mini u dallua si meshtar i jashtëzakonshëm, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar, gojëtar, publicist, autor i fletëpalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me ipeshkvin imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese, prej nga dolën shumë botime të reja e që me disa ndërprerje, vazhdon të botohet e të botojë edhe sot.
Mbeti në kujtesën e besimtarëve si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për Altarin e mbylli sytë në Altar, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama