HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-09 13:49:37
A+ A- Printo artikullin



Mirënjohja e një emigranti tunizian për Papën Françesku: “Engjëll i dërguar nga qielli”.



Lampeduza është ishull i shpresës për mijëra emigrantë afrikanë, që kapërcejnë Mesdheun në kërkim të një ardhmërie më të mirë. Arrijnë këtu, pas një udhëtimi të tmerrshëm. Pasi kanë parë vdekjen sy më sy. E kanë parë edhe miq, dashamirë, familjarë, foshnja gjiri, duke humbur në thellësitë e ujërave, shpesh të trazuara. Në zemrën e tyre ka shumë dhimbje: dhimbje pse lanë vatrat, lanë gjithkënd e gjithçka, për të lundruar drejt një shprese aspak të qartë. Për këta njerëz, që vijnë nga bregu tjetër i “Mare nostrum”- “Detit tonë” siç e quanin romakët Mesdheun, shkoi Papa Françesku në Lampeduzë. E ata i shprehën mirënjohjen e thellë, sepse për ta e ktheu një skutë ishullore, në qendër të botës.
Gëzim e emocion shpreh edhe Omari, një djalosh tunizian, me besim mysliman, që e flaku në ishull vala e zbarkimeve të vitit 2011. Sot punon si mediator kulturor në “Mikpritja në Lampeduzë’, ku strehohen emigrantët. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Në fytyrën e Papës Françesku, në sytë e tij, në dritën e syve të tij, na u duk se pamë një mik, që na njihte prej kohe. Na u duk si të ishte njeri, që të thotë: unë nuk jam i krishterë, nuk jam mysliman, nuk jam kopt, nuk jam hebre, jam njeri, që i do të gjithë njësoj! Shiko, në Siri vijon kasaphana; në Tunizi ka shumë vëllezër e motra, që vuajnë; në Libi, një mori problemesh të pazgjidhura... Shkatërrime e tragjedi në të katër anët!

Pyetje: - E Papa, a të jep ndonjë shenjë shprese?

Përgjigje: - Mua, po. Shumë! Unë besoj se fiton gjithnjë kush do! Fiton njeriu, që ka dinjitet. Fiton i sinqerti. Fiton zemra e bardhë e shpirti i pastër! Jam i sigurt se ai do të bëjë gjithçka mundet për ne, e ne kemi vërtet nevojë për ju e, posaçërisht, për Të.

Pyetje: - Atëherë ju mendoni se është figurë e rëndësishme jo vetëm për të krishterët, por edhe për myslimanët?

Përgjigje: - Po, natyrisht. Është si një ëngjëll i dërguar nga qielli. E vizita e tij, si diçka, që e prisnim prej shumë kohe. Jam i sigurt se ai, pas Lampeduzës, do të shkojë edhe në Afrikë... Duhet të marrin fund këto kasaphana, që po mbysin botën në gjak. Dëshiroj t’i them faleminderit. Njëmijë herë. Dua t’i them se ashtu si lutet Ai për ne, lutemi edhe ne për Të e i urojmë jetë të gjatë e shëndet të plotë. Shpresoj se Ai do t’ia dalë mbanë ta ndihmojë Afrikën, se do të bëjë shumë për ne, sepse edhe ne kemi shumë nevojë për Të.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama