HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-10 15:24:45
A+ A- Printo artikullin



Papa Bergoglio: dhembshuria e dashuria hapin portat e Kishës



Nga Lampeduza, Papa bëri thirrje të fuqishme për ta mundur indiferencën, përballë vëllezërve që vuajnë, në sa Krishti, nga Ungjilli, fliste plot dhembshuri “për turmat e lodhura e të sfilitura”. E Papa Françesku, nga ishulli i dhembjes e i vdekjes, i kujtonte botës se këta njerëz, të ikur nga tmerret e luftërave, të persekutimit, të urisë, e të mjerimit, e shikojnë Lampeduzën si ishull shpresash. Duhet mposhtur indiferenca, prandaj, në se nuk duam që shpirti ynë të thahet deri në atë masë, sa të mos jetë më i aftë as për një lot të vetëm, atje ku ka gjëmë, që lartohet deri te froni i Zotit. Është ftesë e përsëritur, gjatë këtyre tre muajve të papnisë, për dhembshuri, mëshirë, dashuri të krishterë, solidaritet. Prej këndej, pyetja tronditëse që Papa ia drejtoi mbarë botës: “Kush i qau mijëra njerëzit, që humbën përgjithmonë në ujë, në kërkim të shpresës, të cilën e dëshiron i pasuri e i vafëri; të një jete më të mirë, të cilën e ëndërron njeriu i Veriut e ai i Jugut të botës; të lirisë, që e meriton si ai që banon në ishullin e shpresave, ashtu edhe ai që prek brigjet e tij, i lagur deri në palcë nga uji i kripur, me dorën shtrirë për pakëz dritë.

Jezusi, duke parë turmat, pati mëshirë për ta, “sepse ishin të lodhura e të kapitura, si delet pa bari”. Papa Françesku shpjegon se mëshira e Jezusit nuk është thjesht ndjenjë, por mbi të gjitha, forcë, që jep jetë:
“Kjo dhembshuri është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë. Vetë termi biblik ‘dhembshuri’ të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt. E cili është fryti i kësaj dashurie? Është jeta!”(Engjëlli i Tënzot, 9 qershor 2013).

Zoti na shikon gjithnjë me dhembshuri, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër.
Jezusi na deshi shumë, jo me fjalë, por me vepra e me gjithë jetën e vet. Papa Françesku e ka kujtuar disa herë në homelitë e Meshëve, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës këtë Dashuri e cila, siç përsëriste Shën Injaci, shprehet më tepër me vepra, sesa me fjalë e që, sidomos, di më shumë të japë, sesa të marrë. Këto dy kritere, thekson Papa, janë dy shtyllat e dashurisë së vërtetë. E është Bariu i Mirë, Ai, që e përfaqëson dashurinë e Hyjit. Ai i njeh delet e veta një për një. Dashuria nuk është abstrakte, as e përgjithshme: është dhembshuri për secilin:
Dhembshuri! Po, Zoti na do me dhembshuri. Zoti e di mirë shkencën e bukur të përkëdheljeve, këtë dashuri të Hyjit. Nuk na do me fjalë. Na afrohet e na e jep këtë dashuri butësisht. Afërsi e dhembshuri! Këto janë dy mënyrat e dashurisë së Zotit, që na vjen pranë e na e jep gjithë ngrohtësinë e tij me gjëra edhe të vogla: me dhembshuri. E kjo është dashuri e fortë, sepse afërsia e dhembshuria na bëjnë ta shikojmë forcën e dashurisë së Zotit”(Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 7 qershor 2013).
“Po ju, a më doni, ashtu si ju desha unë?”. Këtë pyetje na bën Krishti me gojën e Papës Françesku, që nënvizon se dashuria duhet t’i shkojë pranë të afërmit, duhet të jetë si ajo e Samaritanit të Mirë e, posaçërisht, duhet të jetë afërsi, plot dhembshuri.
Gjyqi i Mbramë, vijon të na kujtojë Ati i Shenjtë, nuk duhet të na trembë, por përkundrazi, të na nxisë ta jetojmë mirë të sotmen. Zoti na e jep me mëshirë e durim këtë kohë, që të mësohemi ta njohim çdo ditë në të varfërit e të vegjlit. Dhembshuri, shpjegon Papa Françesku, do të thotë ta njohësh Krishtin në tjetrin, t’ia hapësh portat e Kishës:
“Të mendojmë sot për Jezusin, që dëshiron gjithnjë t’i afrohemi; të mendojmë për Popullin e shenjtë të Hyjit, popull i thjeshtë, që dëshiron t’i afrohet Jezusit; e të mendojmë për sa e sa të krishterë vullnetmirë, që gabojnë e, në vend që ta hapin portën, e mbyllin... E t’i lutemi Zotit që të gjithë ata, të cilët u afrohen portave të Kishës, t’i gjejnë të hapura në dy kapakë; të hapura, për të hyrë e për të takuar dashurinë e Jezusit. T’ia lypim këtë hir” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 25 maj 2013).
Po portat e shtëpive tona, të zemrave tona, a hapen, kur në to troket mjerimi?
Kultura e mirëqenies, që na shtyn të mendojmë vetëm për vete, na bën të shurdhër për britmën e të tjerëve, na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura, por nuk vlejnë dy para, janë iluzion i zbrazët i së përkohshmes, që çon në indiferencën ndaj tjetrit, madje çon në globalizimin e indiferencës. Në këtë botë të globalizimit kemi rënë në globalizimin e indiferencës! Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk na përket, nuk na intereson, nuk është puna jonë”(Homelia e Meshës në Lampeduzë).
Globalizimi i indiferencës, vërejti me keqardhje Papa, na bën të gjithë ‘të paemër’, si personazhi i frikshëm i krijuar nga Manxoni, na shndërron në përgjegjës pa emër, pa fytyrë.
E më pas, pyetja dramatike: “Kush nga ne qau për këtë fakt e për të tjerë si ky?”:
“Kush qau për vdekjen e këtyre vëllezërve e motrave? Kush qau për këta njerëz, që ishin në barkë? Për nënat e reja me fëmijë ngrykë’. Për burrat, në kërkim të ndihmës për familjet? Jemi një shoqëri, që ka harruar të qajë, të vuajë së bashku me tjetrin: globalizimi i indiferencës na i thau lotët. Nuk jemi më të aftë as për të qarë”.
Jehon, krejt i freskët në kujtesën e njerëzimit, zëri i Papës Françesku, që kërkon t’i jepet fund globalizmit të indiferencës, për t’i hapur rrugën globalizmit të dhembshurisë, të mëshirës, të solidaritetit.
Prej këndej, i lyp falje Zotit për indiferencën ndaj vëllezërve e motrave, për anestezinë e zemrave, shkaktuar nga mbyllja në mirëqenien tonë, për të gjithë ata që, me vendimet e tyre në nivel botëror, krijojnë situata, që çojnë në drama të tilla.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama