HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-11 15:11:56
A+ A- Printo artikullin



Reforma e sistemit penal në Vatikan me Motu proprio të Papës Françesku



U botua sot Letra Apostolike e Papës Françeskut, në formë Motu proprio, mbi ligjet e reja në lëndën penale dhe masat ndëshkimore administrative për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Selinë e Shenjtë.
“Në kohët tona – shkruan Papa Françesku – pasuria e përbashkët është gjithnjë më e kërcënuar nga kriminaliteti transndërkombëtar e ai i organizuar, nga përdorimi i gabuar i tregut dhe i ekonomisë si dhe nga terrorizmi. Prej këndej, është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të adoptojë mjete të përshtatshme juridike, që krijojnë kushte për ta parandaluar e për ta kundërshtuar kriminalitetin, duke favorizuar bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në lëndën penale. Prandaj, duke dashur të pohojmë impenjimin e Selisë Apostolike për të bashkëpunuar në këto drejtime, u pa e arsyeshme të bëhen disa modifikime në fushën e ligjshmërisë penale vatikanase, në vijim të veprimtarisë së nisur që nga vitit 2010, nën papninë e Benedikit XVI.

Motu proprio, mbi të gjitha – shpjegon një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit – ka për qëllim ta shtrijë (që nga 1 shtatori) zbatimin e ligjeve penale, miratuar në datën e sotme nga Komisioni Papnor për Qytet–Shtetin e Vatikanit, edhe në mjediset e Selisë së Shenjtë, domethënë lidhur me anëtarët, zyrtarët, nëpunësit e Selisë së Shenjtë si dhe personat juridike kanonike, legatët papnorë dhe personeli diplomatik i Selisë së Shenjtë. Kjo shtrirje ka për qëllim të lehtësojë veprimtarinë e organeve gjyqësore të Shtetit të Vatikanit në ndjekjen e krimeve, që parashikohen nga këto ligje, edhe në rastet kur fakti kryhet jashtë kufijve të vetë Shtetit.

Të njëjtat ligje kanë përmbajtje më të gjerë. Parashikojnë edhe zbatimin e Konventave të shumta ndërkombëtare, ndërmjet të cilave po kujtojmë: katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 kundër krimeve të luftës; Konventën ndërkombëtare të 1984-ës kundër torturës dhe dënimeve të tjera, ose trajtimeve mizore, çnjerëzore e poshtëruese; Konventën e vitit 1989 mbi të drejtat e fëmijës dhe Protokollet e saj fakultative të vitit 2000.

Në këtë kuadër - vijon komunikata - radhitet edhe krimi i torturës si dhe përkufizimi i plotë i kategorisë së krimeve kundër të miturve (ndërmjet të cilëve, shitja, prostitucioni, rekrutimi e dhuna seksuale në dëm të tyre; pedopornografia; përdorimi i materialeve pornografike, aktet seksuale me të miturit).

Përfshihen edhe figurat kriminale, lidhur me krimet kundër njerëzimit, të cilave u është kushtuar një titull më vete: parashikohen, ndërmjet tjerash, dënime të posaçme për krime si genocidi e apartheidi, në vazhdën e normave të Statutit të Gjykatës penale ndërkombëtare të vitit 1998; e edhe titulli i krimeve kundër administratës publike është rishikuar, lidhur me Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 2003 kundër korrupsionit. Në këndvështrimin e masave ndëshkimore, u mor vendim të hiqet dënimi me vdekje, ndërsa dënimi me burgim të përjetshëm, të zëvendësohet me atë të heqjes së lirisë për 30 deri në 35 vjet.

Në vijë me orientimet më të fundme në selitë ndërkombëtare u përfshi edhe sistemi ndëshkimor në ngarkim të personave juridike, për të gjitha rastet kur ata përfitojnë nga veprimtaritë kriminale të kryera nga organet ose nga vartësit, duke vënë theksin mbi përgjegjësitë e tyre të drejtpërdrejta dhe mbi ndëshkimet përkatëse si shkarkimi nga detyra ose zhdëmtimi me para. Pastaj përfshihen parimet e përgjithshme të procesit të drejtë brenda një kohe të arsyeshme e të pafajsisë së të pandehurit. Fuqizohen edhe masat parandaluese në dispozicion të Autoritetit gjyqësor (me azhurnimin e disiplinës së konfiskimit, fuqizuar nga përfshirja e masës së bllokimit parandalues të pasurive)

Një sektor shumë i rëndësishëm i reformës – nënvizon komunikata e Sallës vatikanase të Shtypit - ka të bëjë me riformulimin e normave lidhur me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar, me adoptimin e masave të përshtatshme të bashkëpunimit në përkim me konventat e fundme ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ligji në lëndën e masave ndëshkimore administrative, ka karakerin e normativës së përgjithshme, në shërbim të disiplinave të veçanta, që në lëndë të ndryshme, parashikojnë ndëshkime, me synim, favorizimin e zbatimit dhe të respektimit të normave në mbrojtje të interesave publike. Këto ndërhyrje normative, përfundon Komunikata, lidhen me azhurnimin, me qëllim që sistemi normativ vatikanas të jetë sa më i plotë e sistematik..




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama