HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-12 11:09:59
A+ A- Printo artikullin



Atë Leonard de Martino në përvjetorin e vdekjes



Duke shfletuar kalendarin historik, më 12 korrik, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh.
Më 12 korrik 1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino. De Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino.
Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.
I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888.
Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama