HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-12 14:10:42
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: ndjekja e Krishtit, udhë shërbimi, larg joshjes të së përkohshmes



Nga faqet e Ungjillit, që u lexua dje në liturgjinë e Meshës, Apostujt e pyesin Jezusin ç’do të fitojnë si ndjekës të tij. Pyetja e Apostujve nuk mund të mos na kujtojë disa reflektime të kohëve të fundit, në të cilat Papa Françesku vuri theksin pikërisht mbi vlerën e ndjekjes së Krishtit e të lutjes. Duke sqaruar edhe ç’fitojnë ata, që kanë vendosur të ecin pas një Zoti të ngarkuar me kryq, pas një Mesie, që do të kryqëzohet, për t’u ngjallur në të tretën ditë, duke e mundur përgjithmonë vdekjen.
“Ne lamë gjithçka e të ndoqëm, ç’ do të fitojmë, atëhere?”. Kjo është pyetja, që Pjetri vijon t’ia drejtojë Jezusit nga faqja ungjillore; kërkesa, që vijon të përsëritet në kohë. Çdo brezni e Kishës ia kujton Krishtit, për të marrë gjithnjë të njëjtën përgjigje: “Njëqind fish më shumë sot, e jetën e pasosur nesër”. Kërkesë e hapur e ofertë e qartë. E pra, pohon Papa Françesku, lind një problem jo i lehtë për t’u zgjidhur. Kur, duke vendosur ta ndjekë Krishtin, njeriu, kotraktues i ligshtë, nis të llogarisë ç’do të fitojë, në vend që të lërë në pjatë një monedhë të vetme, atë të shpirtmadhësisë, të zemërgjërësisë, sipas shembullit të Krishtit, kontraktuesit të fortë. E ky tundim, kujtoi Papa, ia trazon nga pak shpirtin gjithë të krishterëve:
“Të ndjekësh Jezusin si formë kulturore… Nëse ndiqet Krishti si propozim kulturor, kjo udhë përdoret për t’u ngjitur sa më lart, për të pasur sa më shumë pushtet. E historia e Kishës është përplot me joshje të tilla, duke nisur nga disa perandorë, për të vijuar me sundimtarë e njerëz të të gjitha ngjyrave, apo jo? E, ndërmjet tyre, edhe disa - nuk dua të them shumë - por disa priftërinj, disa ipeshkvij, apo jo? Ka nga ata që thonë se janë shumë… janë ata, që mendojnë ta ndjekin Jezusin thjesht për të bërë karrierë”.
Si e pastron fushën nga gjërat, të cilat e ndotin lidhjen ndërmjet atij, që kërkon, e atij që ofron, Papa Françesku flet për një fitim tjetër. Fitim i vërtetë. Ky, po, e pasuron burrin e gruan, që ka vendosur të ecë pas Krishtit, pavarësisht nga natyra e thirrjes: kush beson, nuk beson vetëm, por në një shtëpi e në një bashkësi të madhe, sa bota: në Kishë. E Kisha, pohon Papa, është Nëna, që na tregon kush jemi:
“Identitet i krishterë do të thotë t’i përkasësh Kishës, sepse ta gjesh Jezusin jashtë Kishe, nuk është e mundur. E kjo Kishë Nënë, e cila na jep Jezusin, na jep edhe identitetin, që nuk është vulë: është përkatësi. Identitet do të thotë përkatësi”.
E përkatësia nuk mund të jetë veçse e fortë, po të mendosh se identiteti i krishterë u fitua me çmimin e gjakut, nga Kalvari, dymijë vjet më parë, në Golgotat, ku vdesin të krishterët e sotëm. Por edhe këtu, Papa Françesku tërheq vëmendjen. Ta ndjekësh Jezusin deri tek fitimi i qindfishtë e tek jeta e amshuar, është zgjedhje përfundimtare! E kjo zgjedhje e përjashton joshjen e së përkohshmes, që shpesh e tundon edhe njeriun e fesë, të cilit nis e i pëlqen më shumë të bëjë një mijë hapa të vegjël rreth vetvetes, sesa hapin e madh, përfundimtar, drejt Kryqit të Krishtit:
“Dëgjova një herë njërin që donte të bëhej prift, por vetëm për dhjetë vjet, jo më shumë…. Sa çifte, sa çifte martohen, pa e thënë me zë të lartë, por duke e pëshpëritur në zemër të vet: derisa të zgjasë dashuria, e pastaj të shohim! Joshja e së përkohshmes: kjo është pasuri. Duam të bëhemi zotër të kohës, ta bëjmë të vogël kohën, ta mbyllim brenda një çasti. Këto dy pasuri janë ato që, në këtë çast, na pengojnë të ecim përpara. Mendoj për shumë e shumë burra e gra, që u larguan nga toka e tyre për të shërbyer gjithë jetën si misionarë: kjo është përfundimtare”.
Joshjes nga e përkohshmja, Papa Françesku i kundërvë gjithnjë hapin drejt periferive të jetës, drejt skajeve e skutave. I fton, prandaj, besimtarët, të dalin nga skuta e errët e zemrës së vet, të ndriçuar nga drita e lutjes. Ajo dritë, që i prin lundërtarit, atij, që nuk është i krishterë sallonesh, nuk është fytyrë e trishtuar, si spec turshi, por burrë a grua që, më parë në gjunjë, e pastaj në veprim, ecën drejt premtimit të qindfishit e të jetës së amshuar: “Lutja drejtuar Atit në emër të Jezusit na bën të dalim nga vetvetja; lutja, që na mërzit, është gjithnjë brenda nesh, si një mendim që shkon e vjen. Nëse nuk arrijmë të dalim nga vetvetja drejt vëllezërve nevojtarë, drejt të sëmurit, të paditurit, të varfërit, të shfrytëzuarit, nëse nuk e bëjmë këtë dalje nga vetvetja drejt këtyre plagëve, nuk do ta mësojmë kurrë lirinë, që na çon në daljen tjetër nga vetvetja: njëra drejt Plagëve të Jezusit; tjetra, drejt plagëve të vëllezërve e motrave tona. E kjo është rruga, që dëshiron Jezusi në lutjen tonë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama