HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-14 15:58:21
A+ A- Printo artikullin



Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti dëshiron mëshirë, më shumë se fli. Një mendim për Shën Kamilin, DBR-së e Festën e Kastel Gandolfos



Samaritan i mirë është ai, që vë në jetë vullnetin e Zotit, duke u kujdesur, jo me fjalë, por me vepra për të afërmin. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot. Papa kujtoi mësimin e shembëlltyrës së Ungjillit, duke nënvizuar se “zemra e samaritanit është e mirë e bujare” e duke pohuar se ai pati dhembshuri e mëshirë. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi figurën e Shën Kamilit, pikërisht sot, që hapen kremtimet për 400-vjetorin e vdekjes së Shenjtit. Më pas, mendimi i Françeskut shkoi shumë larg, në Brazil, ku pas pak ditësh do të jetë në mes të të rinjve të mbarë botës, e në Volinia të Ukrainës, ku u përkujtua 70-vjetori i masakrës, që tronditi rëndë dy popuj, atë polak e atë ukrainas.

“Hyji do mëshirë, më shumë se fli”: këtë theksoi Papa, duke reflektuar mbi shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë që, shpjegoi, është shembull dashurie për të afërmin. Samaritani pati mëshirë për njeriun e grabitur e të dërmuar, vijoi Papa, duke përsëritur me ngulm: “Pati mëshirë”. E Ati i Shenjtë na kërkon të reflektojmë mbi sjelljen e samaritanit, protagonist i shembëlltyrës:
“Samaritanët përbuzeshin nga Judenjtë, për shkak të traditave të ndryshme fetare; e pra Jezusi na bën të shikojmë se zemra e këtij samaritani është e mirë, e fisme, bujare e se, ndryshe nga prifti e leviti, ai e vë në jetë vullnetin e Zotit, që do mëshirë, më shumë se fli”.
Pastaj Papa shtoi, jashtë tekstit:
“Zoti e do gjithnjë këtë: dëshiron të jemi të mëshirshëm e të mos shkojmë duke dënuar gjithë botën, jo! Mëshirën e zemrës, do, sepse ai vetë është i gjithëmëshirshëm. Ai di t’i kuptojë mjerimet tona, vështirësitë tona edhe mëkatet tona. Na jep të gjithëve zemër të ndjeshme, për të bërë atë, që bëri Samaritani, i cili imiton pikërisht mëshirën e Hyjit, mëshirën për njeriun në çaste të vështira”.
Samaritani është shembull i dashurisë për të afërmin, vijoi Papa Françesku i cili, në këtë lutje të Engjëllit të Tënzot, përshëndeti edhe banorët e “kësaj qyteze të bukur”, siç e quajti ai vetë, duke i falënderuar të gjithë, banorë e shtegtarë, për lutjet. Nënvizoi, më pas, se pikërisht sot Kisha përkujton Shën Kamilin de Lelis, themelues i Shërbëtorëve të të Sëmurëve, pajtor i tyre dhe i punonjësve të shëndetësisë, që vdiq më 14 korrik 1614. E pikërisht sot u hapën kremtimet për 400-vjetorin e vdekjes së tij, që do të arrijë kulmin pas një viti:
Përshëndes me shumë dashuri bijtë e bijat shpirtërore të Shën Kamilit, që jetojnë karizmën e tij të mëshirës, në lidhje të ngushtë e të përditshme me të sëmurët. Të jeni si samaritani i mirë! E edhe mjekët, infermierët e të gjithë ata, që punojnë në spitale e në shtëpitë e mjekimit i uroj të frymëzohen nga i njëjti shpirt”.
Pastaj, lutja Zojës së Bekuar, duke i kërkuar t’i marrë krahë të rinjtë, që do të mblidhen nga mbarë bota në Brazil, në emër të Birit të saj Hyjnor;
Të lutemi, pra, për këtë shtegtim të madh, që Zoja e Aparesidës, Pajtore e Brazilit, t’u prijë hapave të pjesëmarrëve e t’ua hapë zemrat, për ta pranuar misionin, që do t’u besojë Krishti”.
Një mendim tjetër, i improvizuar, simpatik:
Po shikoj se ka shumë të rinj në moshë, pa dyshuar se të gjithë e keni zemrën të re, eh? Epo, përgëzime!”.
Pas lutjes mariane, Papa u ndalua disa çaste tek 70-vjetori i masakrës së Volinës, që u kujtua sot edhe në Meshën e kremtuar në katedralen e Lutskut. Akte të tilla, tha Papa, shkaktuar nga ideologjia nacionaliste, në rrethanat tragjike të Luftës II Botëore, shkaktuan dhjetra mijëra viktima e plagosën rëndë vëllazërinë ndërmjet dy popujve, atij polak e ukrainas:
“Ia besoj mëshirës së Zotit shpirtrat e viktimave e, për popujt e tyre, kërkoj hirin e pajtimit të plotë e një ardhmëri të qetë, plot shpresë e bashkëpunim për ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit”.
Një përshëndetje e veçantë ajo, drejtuar besimtarëve të dioqezës së Albanos, të cilëve u kujtoi festën e 15 korrikut, përkujtimin e Shën Bonaventurës, pajtor i Albanos, pasuar nga fjalë plot dashuri e nga urimi …
“Që festa e nesërme të jetë e bukur, e urime. Po do të kisha dëshirë t’ju dërgoja një tortë, por… por… nuk e di në se e bëjnë aq të madhe…”.
Shumë përshëndetje të tjera, pastaj. Drejtuar pjesëmarrësve në shtegtimin e Familjes së Radio Marisë në Jasna Gora, Çestokova;
shtegtarëve të tjerë, grupeve famullitare;
familjeve, të rinjve, e posaçërisht atyre, që kishin ardhur nga Irlanda si dhe të rinjve të shurdhër, ardhur në Romë për një takim ndërkombëtar;
murgeshave të Zemrës së Krishtit, me familje në kombe të ndryshme;
Bijave të Dashurisë Hyjnore, mbledhur në Kapitullin e përgjithshëm, Eproret e Bijave të Marisë Ndihmëtare...Të gjithë morën nga Papa urimin: “Javë të gëzuar e drekën e mirë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama