HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-07-14 16:25:28
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Kastel Gandolfo: të jini shenjë e paqes dhe e shpresës!



Ditë për t’u takuar me qytetarët e Kastel Gandolfos, e sotmja, për Papën Françesku, por edhe për t’u shprehur mirënjohjen punonjësve të Vilave Papnore. Kështu e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë arsyen e vizitës në qytezën laciale, që nisi sot paradite, në orën 9.30, në Oborrin e Pallatit Papnor, ku takoi autoritetet fetare e qytetare.
Ditë vere tepër e nxehtë, por qytetarët e Kastel Gandolfos, të armatosur me kapele e ombrella, për t’u mbrojtur nga rrezet e zjarrta të diellit të korrikut, e mbushën përplot Sheshin e Lirisë. Ata, që presin e përcjellin vazhdimisht papët, nuk mund të mungonin sot. Ishin aty, për t’u takuar me Papën Françesku, që shkelte në qytezë për herë të dytë nga fillimi i Papnisë. Herën e parë, për të vizituar Papën e nderit, Benediktin XVI.
Ja edhe përshëndetja e Papës:
“Erdha këtu për të kaluar një ditë takimi me qytetarët e Kastel Gandolfos, me shtegtarët e me të gjithë vizitorët, që me të drejtë e duan këtë vend, magjepsen nga bukuria e tij, gjejnë këtu një çast prehjeje... Por erdha edhe për t’ju shprehur juve, që punoni në Vilat Papnore, mirënjohjen time për veprën tuaj të çmuar. E me ju, përshëndes edhe familjet të cilat, në një farë mënyre, marrin pjesë në shërbimin tuaj ndaj Selisë së Shenjtë”.
Papa vijoi të përshëndeste një për një realitetet e Kastel Gandolfos, qytezës, emri i së cilës lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me papët. Prej këndej, fjalët drejtuar banorëve vendas…
“.. të cilët i inkurajoj të jenë shenjë shprese e paqeje, gjithnjë plot me vëmendje për njerëzit e familjet në vështirësi. E kjo ka shumë rëndësi! Ne duhet të jemi gjithnjë shenjë shprese e paqeje, në këtë çast. Hapjani portat shpresës, që shpresa të mund të hyjë, të ecë përpara e të sjellë paqe, gjithnjë!”.
Gjatë përshëndetjeve, Papa kujtoi edhe paraardhësit e tij, të Lumin Gjon Pali II e Benediktin XVI, të cilëve u pëlqente t’i kalonin pushimet e verës në këtë seli papnore, ku pushuan e kaluan periudha të tëra pune e lutjeje, edhe papë të tjerë të Kishës Katolike:
“Shumë nga ju patën mundësi t’i takojnë e t’i mikpresin, duke ruajtur në zemër një kujtim të dashur. Uroj që dëshmia e tyre t’ju inkurajojë gjithnjë në besnikërinë e përditshme ndaj Krishtit e në përpjekjen e vazhdueshme për t’i jetuar pa asnjë lëkundje kërkesat e Ungjillit e mësimet e Kishës”.
Menjëherë pas bekimit, Papa Françesku i përshëndeti të gjithë personalisht e pastaj vizitoi Pallatin Apostolik. Për të kremtuar këtu, edhe lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot.U la, kështu, një kujtim të ri, të paharrueshëm, banorëve të kësaj qyteze, përhumbur në kaltërsi e blerim, që ruan në kujtesë një galeri të vërtetë ngjarjesh e portretesh papnore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama