HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-16 10:29:03
A+ A- Printo artikullin



Me 16 korrik Kisha katolike kremton Zojën e Karmelit.



Festa e së Lumes Mari Virgjër e Malit Karmel, që kremtojmë sot, ndër shqiptarë njihet si festa e Zojës Karmë. Ky emërtim me të cilin Zoja e Bekuar nderohet në Kishë lidhet me Malin Karmel në Palestinë. Emri Karmel vjen nga aramaishtja e do të thotë “kopsht”. Është një kopsht natyror i Galilesë, shumë i gjelbër me pyetjet e bukura e një lartësi prej 546 metrash. Është “kopshti” i shpirtit që Elia profet kishte zgjedhur për vete, si vend e simbol i lartësimit drejt Zotit e beteje kundër meshtarëve të zotit Baal. Mbi historinë e lashtë të rrëfyer nga Bibla në Librin e Dytë të Mbretërve, zhytën rrënjët shpirtërore të Malit Karmel. Mbi këtë mal në shekullin e XII pas Krishtit, ekzistonte një grup murgjish oshënarë e asketë, që i kushtoheshin lutjes e meditimit të Fjalës së Zotit, të cilëve Patriku latin i Jerusalemit në vitin 1208 u dha rregulloren e jetës murgare, e cila më vonë u miratua nga Papa Onorio II më 1226.
Prania e murgjve oshënarë mbi Malin Karmel, sikur përmendem, lidhet me traditën e përshpirtërisë që ka zanafillën e vet në shekullin e IX para Krishtit, në epokën e Profetit Elia dhe Elizeut si dhe me “bijtë e profetëve”. Në mënyrë të posaçme përshpirtëria e nderimi ndaj Zojës së Bekuar, kultivuar nga murgjit oshënarët e mistik të Karmelit dhe nga ata e përhapur, lidhet me vegimin e resë së vogël që Elia profet, pati në atë vend, si shenjë paralajmëruese të reve që do të sjellnin shiun kaq të dëshiruar e të frytshëm pas tri vjet thatësie. Ja si e përshkruan Libri i Parë i Mbretërve: “Elia u ngjit në majë të Karmelit, u ul për tokë dhe fshehu fytyrën ndërmjet gjunjëve, e i tha djaloshit të vet “ngjitu lart e shiko drejt detit”. Ky u ngjit, e hodhi shikimin e tha : “asgjë nuk hetoj”. Përsëri i tha: “kthehu shtatë herë!”. Të shtatën herë djaloshi tha: “Ja, një re e vogël, pothuaj sa dora e njeriut, po ngjitet nga deti”. Atëherë Elia i tha: “Ngjitu e thuaj Akabit: Mbërthe e zbrit që të mos zërë shiu!” Menjëherë u terratis qielli e prej resh ra një shi i rëndë. Dora e Zotit ishte mbi Elinë..( I Mbret 18,44).
Kjo re që solli shiun shpëtimprurës në kohën e Elisë profet, ishte simboli i Marisë që solli Jezusin e pritur e Shpëtimtarin e të dëshiruar me gjithë shpirt. Karmeli nuk ishte larg nga Nazareti ku Maria pati jetuar duke e ruajtur në zemër, kujtimet e jetës të Jezusit, Djalit të saj Hyjnor, duke i mishëruar kujtimet në vepra e virtyte ungjillore: në lutje të pareshtur e të flaktë , në shërbim, përvujtëri, pastërti e flijim.
Pas miratimit nga papa Onori II e braktisjes përfundimtare të Palestinës, Urdhri murgar i oshënarëve, mes shumë vështirësish e problemeve, u përhap në vende të ndryshme të Evropës. I rrethuar me vështirësi e ngushtica të mëdha, më 1245 eprori i përgjithshëm i Urdhrin të Karmelitanëve, anglezi Simon Stock iu drejtua me dashuri e besim të posaçëm Virgjërës Mari duke kërkuar ndihmë. E Zoja e Bekuar, sipas të dhënave, më 16 korrik të vitin 1251 iu shfaq eprorit të përgjithshëm të murgjve të malit Karmel, Simon Stock.
Gjatë këtij vegimi, Zoja e Bekuar kishte në dorë “skapolarin” e urdhrit të Karmelit e duka ia ofruar Shenjtit i tha:”Për ty e për të gjithë Karmelitanët ky do të jetë një privilegj: kushdo që do të vdes me këtë, nuk do ta vuajë dënimin e amshuar”. Ishte premtimi i dhuratës së veçantë, ai i ruajtjes përfundimtare nga dënimi i përjetshëm për ata që e bartnin skapolarin e Karmelit. Këtij premtimi të Virgjërës Mari, u shtua edhe një tjetër, i njohur me emrin “ privilegji i së shtunës”, që do të thotë premtimin e shpëtimit nga ferri, për të gjithë ata besimtarë që do ta bartnin skapolarin dhe lirimin nga dënimi i Purgatorit, të shtunën pas vdekjes. Ky privilegj u shpall zyrtarisht nga Papa Gjoni XXII në Avinjon më 1322. E qenë pikërisht Papët, të cilët gjatë historisë me ndërhyrjet e tyre i dhanë privilegjit të hireve të Zotit, që besimtarët fitojnë përmes ndërmjetësimit të Zojës Karmelit, vlerë që askush nuk mund ta nënvlerësoi.
Papa Benedikti XVI, pikërisht në Lë Kombë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më 16 korrik të vitit 2006 me tjerash nënvizoi vlerën e kundrimit që buron nga feja e pastër në Zotin dhe përmendi figurat e njohura që ka dhënë Urdhri i Karmelitanëve e Karmelitaneve:
“Më i famshmi ndër këta njerëz të Zotit qe profeti i madh Elia, që në shekullin e IX para Krishtit, mbrojti trimërisht e në mënyrë të paepur nga kontaminimi ( ndotja e infektimi) i kultit të idhujve, pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë. Pikërisht duke u frymëzuar nga figura e Elisë, lindi Urdhri kundrues i ‘Karmelitanëve’, familja rregulltare që pati ndër anëtarët e vet shenjtorë të mëdhenj si Tereza e Aviles, Gjoni i Kryqit, Tereza e Jezusit Fëmijë e Tereza Benedikta e Kryqit ( në shekull, Edith Stein)”.
E duke nënvizuar lidhjen e ngushtë të Karmelitanëve me Zojën e Bekuar, Benedikti XVI theksoi:
“Karmelitanët e kanë përhapur në popullin e krishterë devocionin ndaj së Lumes Mari Virgjëra të Malit Karmel, duke e paraqitur atë si shembull të lutjes, të kundrimit e të përkushtimit ndaj Hyjit. Maria, vërtet, e para e në mënyrë të pakalueshme, pati besuar e përjetuar se Jezusi, Fjala e Zotit e mishëruar, është kulmi, maja e takimit të njeriut me Zotin. Duke e pranuar plotësisht Fjalën, që i ‘mbërrini hareshëm nga bjeshka e shenjtë’, jetoi përgjithmonë, në shpirt e në trup, me Zotin”.
Kujtojmë se Skapolari, ashti si Rruzarja, është ndër devocionet më të lashta e më universale të Kishës. Vet Zoja e Bekuar në Fatima të Portugalisë, gjatë vegimit përfundimtar të 13 tetorit të vitit 1917, u paraqit si Zoja e Karmelit me Skapolarin e Shenjtë. E motra Luçie, vegimtarja e Zojës Bekuar në Fatima, pati thënë: “Veshja, shenjë dalluese e bijve të Marisë, është shenjë e mbrojtjes së Nënës Qiellore, e Nënës së Mëshirshme, është qortim për një jetë të denjë e të shenjtë, në përkim me mësimet Ungjillore. Zoja e Bekuar donë që të gjithë ta bartin Skapolarin e Karmelit”, që të gjithë njerëzit të shpëtohen në Jezu Krishtin Shëlbues.
Prandaj Virgjëra Mari na paraqitet si dritë e Kishës, që na tregon si duhet të jemi e si, për fat të keq, nuk jemi. Është ajo Kisha që e dhuron plotësisht vetveten; është ajo Vasha e Besëlidhjes së Re, që i thotë çdo ditë "po" Atit të gjithëpushtetshëm Hyjnor.
E tani dy fjalë mbi domethënien e "skapolarit". Fjala skapolar vjen nga latinishtja e do të thotë shpatull. Skapolari është pjesë e petkut të disa Urdhrave rregulltare e është një lloj shalli: përbëhet nga dy copa stofi, që varen përgjatë trupit, para e mbrapa, me një të çarë në mes për të përshkuar kokën. Ngjyra e tyre varet nga urdhri fetar të cilit i përket rregulltari. Për Karmelitanët, skapolari është ngjyrë gështenjë.
Ky petk ka edhe formën e vet simbolike: dy copa të vogla stofi, lidhur me dy shirita, gjithnjë me ngjyrën e urdhrit, që varen në qafë poshtë veshjeve të zakonshme. Petku ka një rëndësi të madhe në lindje. Është shenjë e ndryshimit të gjendjes, të kushteve shoqërore e fetare. Atëherë kuptohet pse Virgjëra Mari, sipas traditës karmelitane - ia pati dhënë skapolarin Shën Simon Stokut, duke i premtuar se kush do ta vishte këtë petk, do të kishte ndihmën e saj në jetë e në vdekje. Por, të mos harrojmë, të vishesh me skapolarin do të thotë të vishesh me Krishtin, të hysh, siç thotë Shën Pali Apostull, në gjallërinë e jetës së Krishtit, në stilin marian të përshpirtërisë, të kesh një zemër, e cila kundron misterin e Krishtit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama