HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-17 16:09:32
A+ A- Printo artikullin



Atë Lombardi paraqet Ditën Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro me pjesëmarrje të Papës



Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, mbajti sot një takim kushtuar shtegtimit apostolik të Papës në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit, nga 22 deri më 29 korrik, me rastin e DBR-së.
Jemi të gjithë thellësisht të emocionuar, vërejti zëdhënësi i Vatikanit, për këtë udhëtim të madh, i pari shtegtim ndërkombëtar i Papës Françesku. I madh e tejet domethënës në kontinentin e tij, vijoi atë Lombardi, prandaj shumë i pritur. “Papa Françesku rimerr trashëgiminë e Papës Benedikti. Nuk ishte ai vetë, që vendosi ta bëjë shtegtimin e parë në Amerikën Latine por paraardhësi i tij, Benedikti, që e caktoi, duke pohuar se atje do të ishte i pranishëm edhe Papa. E do të jetë Papa Françesku, që do të zërë vendin e Benediktit në këtë shtegtim. Po ndodh pikërisht si me Papën Benedikti, që pati shtegtuar për herë të parë në atdhe, në Gjermani, pikërisht për Ditën Botërore të Rinisë të Këlnit, vendosur nga paraardhësi, Gjon Pali II.
Gjithsesi, programi i shtegtimit është pasuruar me elemente të reja, si ndalesa në Aparesidë, vizita në favelë e në spital, takimi me Komitetin e Celam; ndërsa është ruajtur numri i ditëve, nga 22 deri më 29 korrik”.
Atë Lombardi kujtoi, në vijim, se ideja për organizimin e Ditëve Botërore të Rinisë është e Gjon Palit II, prandaj nuk mund të mendohet për ditë rinore, pa praninë e Papës: është element themelor në këtë takim madhor.

Papa, vijoi atë Lombardi, do të niset më 22 korrik, në mëngjes, nga Vatikani, për në Fiumiçino, i shoqëruar nga disa autoritete të Vatikanit, duke filluar nga sekretari i Shetit, kardinali Tarçizio Bertone, ceremonierët, të ngarkuarit e komunikimit, të xhandarmërisë, të Rojeve zvicerane, mjeku...
Gjatë shtegtimit, takimi me gazetarët:
“Takimi është, por Papa më tha se donte ta bënte ndryshe. Nuk do të ndjekë, prandaj, skemën e zakonshme pyetje-përgjigje. Papa do të jetë në mes të gazetarëve e do t’i përshëndesë të gjithë, pa formulën e përgatitur të intervistës”.
Do të arrijë në Brazil pasdite, në orën 16.00 me orën vendase, 21.00 me atë evropiane. Në aeroport do të jetë edhe presidentja Dilma Roussef, por ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Pallatin e Guanabarës, seli e qeverisë së Shtetit të Rios.
Këtu Papa do të ketë edhe takimin privat me presidenten si edhe disa takime të shkurtëra me governatorin e shtetit të Rios dhe me kryetarin e bashkisë së qytetit. Brazili, kujtoi atë Lombardi, është Shtet Federal, prandaj ka tre nivele; bashkinë, Shtetin e Rios dhe qeverinë Federale. Prej këndej, ka autoritete të të tre niveleve, të cilët do ta përshëndesin Atin e Shenjtë.
Papa do të lëvizë me dy makina, një e mbuluar e një e zbuluar, njëra e bardhë, tjetra e gjelbër. Makina e zbuluar është xhipi, mbi të cilin jemi mësuar ta shikojmë Papën në Sheshin e Shën Pjetrit. Tjetra është rezervë.
Ati i Shenjtë do të banojë në rezidencën Sumaré, mbi një kodër me lartësi 400 metra. Zakonisht, shpjegoi Atë Lombardi, Papa strehohet në nunciaturë, por këtu nuk jemi në kryeqytet, prandaj u zgjodh i njëjti vend, ku qe strehuar edhe Gjon Pali II, kur ndodhej në Rio. Është vend i qetë, i rrethuar me blerim, ku të pushon syri.

Të martën ka shumë ngjarje interesante: paradite, takimi në Korkovado i autoriteteve me kardinalin Bertone, me dorëzimin e medaljes përkujtimore; pasdite, Mesha e hapjes së DBR-së, në Kopakabana, kryesuar nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Tempesta bashkëkremtuar nga kardinali Rilko, por pa praninë e Papës.
Me këtë Meshë hapet DBR-ja e Brazilit!

Të mërkurën, vijoi atë Lombardi, nis programi i veprimtarive të Atit të Shenjtë:
“I kushtohet shtegtimit në Aparesidë, fort të dëshiruar nga Papa, që ka një devocion të thellë marian. Dihet se ajo e Aparesidës është shenjtërore e madhe mariane, që vizitohet nga miliona shtegtarë e që ishte edhe seli e asamblesë së episkopatit latinoamerikan. Këtu u hartua dokumenti i Aparesidës, dokument i perspektivave të Kishës latino-amerikane, një nga redaktorët kryesor të të cilit ishte pikërisht kardinali Bergolio. Papa do të shkojë në Aparesidë të mërkurën paradite. Do të niset me helikopter e do të arrijë në orën 9.30. Do të shkojë drejt në shenjtërore”.
Kujtojmë se historia e Zojës së Aparesidës nis që nga viti 1717, pas një peshkimi të mrekullueshëm në lumin Paraiba. Pas dy përpjekjeve të pafrytshme për të zënë peshk, tre peshkatarë gjejnë ndër rrjeta një shtatore pa kokë të Zojës së Bekuar. Hedhin rishtas rrjetat e i nxjerrin përplot me peshk. E aty gjejnë edhe kokën e Shtatores. Zoja vendoset në shtëpinë e njerit prej tyre, ku rri 15 vjet e ku mblidhen besimtarët për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte. Devocioni përhapet me shpejtësi, me të edhe hiret, e aty, më 1737 ngrihet Kapela e parë, ndërsa më 1834, nis ndërtimi i Bazilikës së vjetër. Që nga viti 1894 kujdesi baritor në katedrale i besohet redentoristëve. Zoja e Aparesidës kurorëzohet më 1904.
Këtu, te këmbët e Zojës, në bazilikën, që i kushtohet, Papa do të kremtojë Meshën shenjte e, në përfundim, do të dalë në një nga ballkonet, për të përshëndetur besimtarët. Kjo etapë është domethënëse: Papa do t’ia besojë Zojës së Aparesidës DBR-së e edhe vetë të rinjtë e botës.
Pasdite do të rikthehet në Rio e do të shkojë drejt e në spitalin e Shën Françeskut të Asizit, ku do t’u drejtojë fjalën të pranishmëve.

Të enjten paradite, Papa do të jetë në Pallatin e Qytetit, seli e bashkisë së Rios, ku do t’i dorëzohen çelësat e qytetit e do të bekojë flamujtë olimpikë. Vëmendje, pra, edhe për botën e sportit.
Pastaj do të shkojë të vizitojë bashkësinë e Varginha, në një lagje të jashtme të Rios. Në këtë favelë, siç quhet në Brazil, do të bekojë elterin e Kishës e më pas do të hyjë edhe në një banesë, ku do të takohet me familjen, që banon aty. Nuk është i pari, që shkon në favelë. Pati shkuar edhe Gjon Pali II, kujtoi atë Lombardi.

Pasditen e së enjtes, festa e pritjes së Papës në Kopakabana, pastaj takimi i madh me të rinjtë e DBR-së. Këtu do të vendoset një tribunë e madhe. Pesë të rinj, nga pesë kontinente, do ta përshëndesin Papën. Pastaj përshëndetja e ipeshkvit dhe ajo e vetë Atit të Shenjtë.

E premtja paradite do të nisë me rrëfime. Papa do të shkojë në një vend, që quhet “Quinta da Boa Vista”, ku do të vendosen 100 rrëfyestore e ku Ati i Shenjtë do të rrëfejë pesë të rinj.
Veprimtari të tjera, pastaj, do të jenë takimi i Papës me pesë të rinj të burgosur dhe kremtimi i lutjes së Engjëllit të Tënzot nga ballkoni qendror i Pallatit ipeshkvnor. Pasditën e së Premtes, Udha e Kryqit. Më pas, takimi me klasën drejtuese. Kemi arritur tek e shtuna:
”Pasdite Papa do të shkojë në vendin ku do të kremtohet Mbrëmësorja e Lutjes dhe Mesha përfundimtare e DBR-së. Quhet Guaratiba, por është pagëzuar me emrin ‘Campus Fidei”. Papa do të kthehet për të fjetur në Sumaré, ndërsa të rinjtë do të vijojnë kremtimin në Campus Fidei. Të nesërmën, në orën 10.00, Mesha përfundimtare e DBR- së e, në përfundim, njoftimi për vendin ku do të kremtohet Dita e ardhshme Botërore e Rinisë”.
Papa Françesku është i treti papë, që shkel në Brazil:
“Gjon Pali II ka qenë katër herë në Brazil: tri, për shtegtime apostolike e një, si etapë ndalese, gjatë shtegtimit në drejtim të Argjentinës. Bendikti XVI shtegtoi vetëm një herë në Brazil, për Konferencën e përgjithshme të episkopattit latinoamerikan, në Aparesidë, ku shenjtëroi edhe San Frei Galvao, për t’u ndaluar edhe në Fazenda da Esperança. Papa Françesku është i treti papë, që shkon në Brazil, i ftuar nga ipeshkvijtë organizatorë të DBR-së dhe nga presidentja Dilma Roussef. Pak ditë pas zgjedhjes Papa pati pohuar se do të merrte pjesë në këtë ngjarje të madhe rinore”.
Në përfundim atë Lombardi u ndalua tek situata në Brazil, kohët e fundit teatër manifestimesh proteste:
“Shumëkush pyet nëse protestat e këtyre ditëve, në Brazil do të vijojnë edhe në praninë e Papës. Të shohim; kemi besim se autoritetet do të krijojnë atmosferën e nevojshme për këtë festë botërore, duke e ditur se manifestimet nuk kanë të bëjnë me Papën, as me Kishën”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama