HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-18 15:05:21
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku e Aparesida: lidhja e tij e thellë me “Zojën e Bekuar zeshkane”



Kalojnë me shpejtësi ditët e zakonshme, duke i hapur rrugën një dite të jashtëzakonshme: Ditës së 28-të Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro me temë “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!’ (Mt 28,19) që do të nisë më 23, për të përfunduar më 28 korrik. Është shtegtimi i parë apostolik ndërkombëtar për Papën, e do të fillojë me vizitën në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, Pajtore e Brazilit. Pikërisht këtu, në maj 2007, pas vizitës së Benediktit XVI, kardinali i asokohshëm Bergolio ishte kryetar i Komitetit, që hartoi dokumentin përfundimtar të Konferencës V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan.
Devocioni i thellë për Zojën e Aparesidës i thërret çdo vit në shtetin e San Paolos rreth 8 milionë shtegtarë. Gjunjëzohen para Zojës, ia besojnë dhimbje e vështirësi. Sepse kjo shtatore e vogël e Zojës zeshkane është e lidhur ngushtë me vuajtjet e popullit: një popull, që përshkoi shekujt nën zgjedhën e skllavërisë, që u copëtua nga vuajtja, ashtu si shtatorja e Zojës së Aparesidës, së cilës peshkatarët ia gjetën një herë trupin prej terrakote, pa kokë, e pastaj kokën, të zezë, si ngjyra e skllevërve, si jeta e tyre.
Ajo, Nëna e shpresës, që vijon ta mbrojë Brazilin, pret e përcjell njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, ndërmjet të cilëve, edhe Papë. Në gjunj para saj u ul Gjon Pali II, më 1980 e Benedikti XVI, më 2007. Tani, Papa Françesku, gjatë shtegtimit të tij të parë ndërkontinental:
“Unë do të nisem pas tetë ditësh, po shumë të rinj do të jenë në Brazil para meje. Të lutemi, pra, për këtë shtegtim të madh, që Zoja e Aparesidës, Pajtore e Brazilit, t’u prijë hapave të pjesëmarrësve e t’ua hapë zemrat, për ta pranuar misionin, që do t’u besojë Krishti”.
Janë fjalët e Papës Françesku të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Kastel Gandolfo.
T’i lutemi, prandaj, Nënës së Hyjit, Zojës së Aparesidës, t’i marrë krahë të rinjtë, që do të mblidhen nga mbarë bota në Brazil, në emër të Birit të saj Hyjnor; me fjalët që pati shqiptuar Benedikti XVI:
“O Nëna jonë, mbroje familjen braziliane e latinoamerikane!
Mblidhi nën mantelin tënd mbrojtës bijtë e këtij vendi të dashur, që na mikpret.
Ti që je avokate pranë Birit tënd Jezus, jepi popullit brazilian paqe e begati!
Ndiko në zemrat e vëllezërve tanë të mbarë Amerikës Latine, zellin misionar për të përhapur kudo farën e fesë e të shpresës.
Bëj që thirrja jote për kthimin e mëkatarëve, e cila jehoi fuqishëm në Fatima, të bëhet realitet e t’ia ndryshojë faqen shoqërisë sonë E Ti, që nga Shenjtërorja e Guadalupes ndërmjetëson për Popullin e Kontinentit të Shpresës, bekoja të rinjtë, trojet e vatrat”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama